Roberto Morozzo della Rocca: “7 prilli është e premte e shenjtë. Atë ditë bëhet pushtimi ushtarak i Shqipërisë, me 22.000 burra që zbarkojnë në mëngjes herët në brigjet e Shqipërisë ku priten nga një rezistencë thuajse e papërfillshme e ushtrisë shqiptare, që numëronte vetëm disa mijëra njerëz, e që për më tepër ishte po ajo ushtri e stërvitur nga vetë italianët, që e njihnin mirë e dinin nga ta zinin…”
Roberto Morozzo della Rocca është një ndër historianët më të njohur italianë. Autor i shumë librave, mes të cilëve “Kombi dhe feja në Shqipëri” analiza më e thellë e identitetit shqiptar shkruar deri më sot, është shef i katedrës së historisë në universitetin Roma III. Della Rocca është konsulenti historik i dokumentarit “Albania il paese di fronte” prodhuar nga Istituto Luce e njëkohësisht edhe një ndër të intervistuarit kryesorë që përshkruajnë momentet historike të Shqipërisë parë nga Italia. Ja si shpjegon lidhjet Itali-Shqipëri nga fillimet e shekullit XX deri në pushtimin italian.
Ç’rol ka pasur Italia në pavarësinë e Shqipërisë dhe më pas në krijimin e shtetit shqiptar?
Roberto Morozzo della Rocca: Lidhur me pavarësinë shqiptare mund të thuhet që Italia nuk ka favorizuar projektet e copëzimit të saj mes grekëve, serbëve dhe sllavëve. Kështu Shqipëria arriti të kishte kufijtë e saj – që në të vërtetë as nuk përmblidhnin të gjithë shqiptarët e Ballkanit, – edhe falë interesimit të Italisë që nuk donte ekspansionin grek apo sllav mbi Adriatik, përballë brigjeve puljeze. Shqipëria e pavarur që lind në vitet 1912-1913, në 1912-n sipas shqiptarëve, sipas pakteve ndërkombëtare, është një Shqipëri që përfshin vetëm gjysmën e popullsisë shqiptare në Ballkan, si dhe vetëm gjysmën e territoreve të banuara nga shqiptarë. Kjo dihej mjaft mirë në Itali, italianët ashtu si edhe grekët e serbët, ishin ata që njihnin më mirë se kushdo çështjet shqiptare, ndryshe nga francezët, gjermanët apo anglezët.
Italia përkrah para së gjithash lindjen e një bërthame kombëtare shqiptare, e më pas, rreth viteve të Luftës II Botërore, krijon të ashtuquajturën Shqipëria e Madhe, që është një term jo shumë i saktë, pasi në të vërtetë Shqipëria e madhe nuk është gjë tjetër veçse Shqipëria etnike, pra përputhja mes kufijve dhe zonave të populluara nga shqiptarët. Kështu, ajo që quhej Shqipëria e Madhe ishte bashkësia e shqiptarëve në Ballkan që ishin të ndarë mes Shqipërisë së tanishme të Tiranës, territoreve të Kosovës, të Maqedonisë perëndimore, në Veri të Greqisë, dhe në bregdetin e Malit të Zi, sepse Tivari dhe Ulqini, qytete të vjetra veneciane, ishin dhe janë, edhe sot, të banuara kryesisht nga shqiptarë.
Është pavarësi që zgjat pak. Megjithëse Italia mbështet krijimin e shtetit shqiptar, është po ajo që e pushton gjatë Luftës së parë Botërore.
Gjatë Luftës I Botërore, nëpër Shqipëri kalojnë 7 ushtri të ndryshme dhe Shqipëria humbet 10% të popullsisë së saj. Vetëm sepse gjendet në zemër të sheshit të Luftës, që siç e dimë nis mes Serbisë dhe Perandorisë Habsburge, dhe Shqipëria është aty pranë ndaj detyrohet të përjetojë të gjitha pasojat e konfliktit, dhe megjithëse është vend neutral, bëhet vendi përmes të cilit kalon linja e frontit të Ballkanit, dhe natyrisht, kjo ka pasojat e veta. Italianët, me t’u gjendur në Shqipëri për të luftuar, dhe kanë bazat e veta detare në Vlorë, Durrës, Shëngjin, nuk duan të largohen më. Jemi në epokën e imperializmit, dhe konceptimet e fuqive të mëdha e të mesme europiane janë tipike imperialiste, që dëshirojnë ekspansionin përtej kufijve të veta.
Në fund të Luftës I Botërore, thuajse e gjithë Shqipëria është e pushtuar nga italianët, me përjashtim të disa zonave të kontrolluara nga grekët apo francezët. E pikërisht në këtë pushtim të parë italian të Shqipërisë, për të cilin nuk flitet, ë kemi edhe çastet e para të kundërvënies së shqiptarëve kundër italianëve.
Po, shqiptarët, pas mbarimit të Luftës I Botërore, kanë një reagim patriotik dhe kërkojnë të çlirojnë vendin e tyre nga pushtuesit italianë, dhe për fat të mirë Italia përjeton vështirësi të brendshme, po përjeton të ashtuquajturin ‘dyvjeçari i kuq’. Në këtë çast shqiptarët organizojnë revoltën e armatosur të Vlorës kundër italianëve që kanë në dorë këtë port strategjik. Nga Italia, nga Ankona veçanërisht, priten të vijnë përforcime për italianët që sundojnë Vlorën, por këta trupa nuk nisen për shkak të një revolte në portin e Ankonës. Por duhet thënë edhe që shqiptarët tregojnë trimërinë e tyre dhe arrijnë që me armët e tyre, ato pak armë, të hedhin italianët në det. E të mos harrojmë italianët kishin fituar Luftën I Botërore, ishin fuqia që kontrollonte Adriatikun.
Qeveritë e para shqiptare lindin në të njëjtën periudhë kur në Itali fashizmi po troket në derë. Dhe me ardhjen në fuqi të Mussolinit, Shqipëria kthehet sërish në shënjestër gjeo-strategjike të rëndësishme në planet italiane.
Italia ndjek një politikë ekspansioniste ndaj Shqipërisë, që kur Mussolini merr pushtetin. Edhe më parë, ndiqte një politikë të tillë, por përpiqej vetëm të kishte ndonjë bazë detare mbështetjeje në brigjet e saj. Me ardhjen e Mussolinit organizohet një politikë e mirëfilltë ekspansioniste, edhe pse disi e paqartë. Sepse nga njëra anë, Mussolini dëshironte të kontrollonte shtetin shqiptar, por nga ana tjetër, edhe ta fortifikonte këtë shtet, për ta pasur si kundërpeshë, si barrierë kundër influencës sllave dhe greke në Ballkan.
Kjo paqartësi zgjidhet nga fundi i viteve ’30, kur Mussolini zgjedh përfundimisht, jo për të bërë një Shqipëri të fortë, por për ta pushtuar, e për t’ia ngjitur Italisë.
Problemi ekonomik ka peshën e vet, por është dytësor ndaj çështjes strategjike: Italia kërkonte një këmbë ure në Ballkan, më tepër se një vend për të shfrytëzuar.
Natyrisht, në Shqipëri zbulohet naftë, dhe prodhimi i naftës, që ende ishte i ulët në fillim të viteve ’30, në vitin 1933 nxirreshin 11.000 fuçi në vit, por në 1939-n u arrit në 930.000, dhe për Italinë nuk ishte gjë e vogël pasi ndaj asaj ishin marrë masa për historinë e Etiopisë. Dua të them që edhe ekonomia nuk ishte pa peshë në vendimet e Mussolinit. Për të mos përmendur që në Shqipëri kishte, dhe ka akoma, edhe krom, nikel, hekur. Megjithatë motivi kryesor i ekspansionit italian në Shqipëri është ai strategjik.
Në këto përpjekje të penetrimit ekonomik në fillim të viteve ’20, italianët ndeshin një personazh të rëndësishëm të historisë italiane, presidentin e më pas mbretin Zog. Kush është Zogu për italianët?
Pothuajse të gjithë periudhën fashiste, bashkëbiseduesi shqiptar i Mussolinit është Zogu, i cili vetëzgjidhet mbret në vitin 1928, por që më parë ishte Kryetar qeverie dhe më pas President. Zogu është një personazh me dy fytyra, nga njëra anë dëshiron të kthejë Shqipërinë në një vend perëndimor, bën reforma politike, agrare, krijon embrionin e shtetit të së drejtës. Më parë Shqipëria ishte një vend anarkik, veçanërisht fiset e maleve nuk e njihnin ligjin. Por në të njëjtën kohë vetë Zogu është lindor, dua të them se është një personazh që të fut ujë nën rrogoz, që tjetër thotë e tjetër mendon, kërkon t’ua hedhë bashkëbiseduesve të vet. Kur italianëve negociojnë me Zogun, në një farë pike, nga mesi i viteve ’30, shohin që gjithçka që i thonë Mbretit, kthehet përmbys me veprimet e tij. Arrijnë deri aty sa i kërkojnë Zogut të kundërtën e asaj çka dëshirojnë për të pasur efektivisht atë që dëshirojnë: ata duan të bardhën dhe i kërkojnë të zezën për të pasur më pas pikërisht të bardhën, e anasjelltas. Sepse Zogu ishte personazh bizantin, ishte rritur në oborrin e Sulltanit, i marrë peng nga turqit për të siguruar besnikërinë e të atit, njeri i dëgjuar mes fiseve të veriut. Pra Zogu ish rritur në Stamboll, pikërisht në oborrin ku intrigat e pusitë ishin në rend të ditës.
Dhe Zogu di të thurë intriga, e nuk e kupton kurrë nëse atë që thotë e mendon apo nuk e mendon, e dëshiron apo nuk e dëshiron. Ndaj italianët gjenden shpesh të çorientuar përballë tij, e veç të tjerave, ndoshta edhe për këtë arsye pushtojnë Shqipërinë, sepse e konsiderojnë një bashkëbisedues të vështirë.
Por i kësaj kohe është edhe Pakti i Miqësisë dhe shumë investime italiane në Shqipëri, në ndërtime, koncesione…
Zogu kishte një problem të madh, që nuk zotëronte burime financiare, dhe Shqipëria ishte një vend shumë i varfër: 90% e popullsisë ishte rurale, nuk kishte industri, nuk kishte prurje nga emigrantët siç ka sot, sepse nuk kishte emigracion për punë. Ndaj Zogu kishte nevojë për para, fillimisht ua kërkonte jugosllavëve, më pas anglezëve, dhe në fund italianëve. Dhe Italia fillon t’i japë hua në këmbim të besnikërisë së tij politike e strategjike.
Fakti që nuk ka burime shqiptare e dobëson politikën e Zogut, është i detyruar të kërkojë financime jashtë shtetit dhe kjo e bën atë, nuk them shërbëtor, por vartës të Italisë. Shërbëtor jo, sepse ai me mënyrën e tij bizantine të administrimit të pushtetit dinte të ta hidhte, të çonte ujin në mullirin e tij… dhe kjo zgjati për 15 vjet, deri kur në fund italianët nuk deshën të vazhdonin më lojën e Zogut.
Ai deshi të forconte lidhjet me Italinë edhe përmes martesës së vet, kur u përpoq të krijonte një dinasti të vërtetë me një pasardhëse të fronit mbretëror italian. Kërkon dorën e një vajze të familjes Savoja…
Për t’u siguruar që italianët nuk do të pushtonin Shqipërinë, e nuk do ta shfronësonin ai kërkoi të lidhte krushqi me familjen Savoia. Kërkoi disa herë një princeshë të kësaj familjeje për grua, por Savoia-t që e përbuznin, e shihnin si një Mbret të dorës së dytë, nuk i dhanë dorën e asnjë prej princeshave të tyre (ndryshe kishin vepruar me dinastinë bullgare: Mbreti Boris kish arritur të merrte për grua Giovanna di Savoia, vajzën e Vittorio Emanuele III). Por Zogu nuk heq dorë nga strategjia e tij martesore për përforcimin e pushtetit të tij, kërkon, sidoqoftë, një aristokratike perëndimore. Dërgon emisarët e tij në Europë të mbledhin fotografi evropianesh fisnike, deri kur sheh atë të Geraldina Appoiny-t: i pëlqen dhe e zgjedh ta marrë për grua. Në njëfarë mënyre Zogu kënaqet, sepse nuk gjen dot më mirë, me Geraldina Appony-n, hungareze me nënë amerikane. Për më tepër Geraldina ishte katolike, dhe për të, mysliman, ky fakt shërbente për t’i dhënë një profil pluralist dhe më perëndimor mbretërisë së tij. Në të vërtetë, po të lësh mënjanë mënyrën disi kureshtare të gjetjes së gruas, martesa e tyre mund të quhet e arrirë, pse jo e lumtur, sepse ai e Geraldina gjejnë gjuhën e përbashkët: ajo do të jetë gjithnjë krah tij, do të mbrojë gjithnjë, edhe në mërgim, për dhjetëra vjet me radhë.
Ai që e sheh martesën e Zogut me një konteshë hungareze, të afërt me gjermanët, si dështim të politikës italiane është Galeazzo Ciano. Zogu e fton t’i bëhet dëshmitar martese. Është tallje apo një mënyrë për ta marrë me të mirë Ministrin e Jashtëm?
Zogu e di mirë që Ciano ka një pasion të madh për Shqipërinë, një pasion për ta pushtuar, sepse Cianoja, shumë më tepër se Mussolini, ishte për pushtimin e Shqipërisë. Dhe besoj se, më shumë se për t’u tallur, Zogu përpiqet ta marrë me të mirë Cianon e kjo është arsyeja që e fton si dëshmitar në martesën e vet me Geraldinën. E mban urtë, të themi, por në të vërtetë, as kjo nuk mjafton që Ciano t’i bëhet mik e ta shohë me sy të mirë.
Ciano është ai që ka përcaktoi kthesën politike ndaj Shqipërisë pasi emërohet Ministër i Jashtëm. Mos ndoshta Ciano e mbivlerëson Shqipërinë, mos është tepër optimist kur bind Ducen ta pushtojë?
Ndoshta Ciano e ka mbivlerësuar Shqipërinë. Por megjithatë, meqë ekspansioni italian ishte i pamundur në drejtime të tjera, Cianoja – me shumë të drejtë nga pikëpamja e realizmit politik – kish parë tek Shqipëria, pika e dobët e Ballkanit, mundësinë për të pasur ndikim vendimtar italian.
Ndoshta nga pikëpamja ekonomike ekzagjeronte perspektivat. Diçka kishte, e thashë edhe më lart, nafta, kromi, por ai mendonte të çonte në Shqipëri qindra mijëra kolonë italianë që të mbillnin e të korrnin frytet e tokave shqiptare.
Asokohe shqiptarët ishin vetëm 8-900 mijë, thuajse të gjithë fshatarë, por terrenet e kultivuara ishin vetëm 9% e sipërfaqes së vendit. Mund të bëhej shumë më tepër, të bonifikoheshin kënetat, ndaj edhe ndonjë perspektivë nga pikëpamja bujqësore edhe mund të kishte…
Pse u vendos të pushtohet Shqipëria e të shfronësohet Mbreti Zog?
Ai që e shtyn Mussolinin për pushtimin e Shqipërisë është Galeazzo Ciano. Mussolini merr kohë, duket që nuk është shumë i vendosur, porse në mars të 1939-ës e mbledh mendjen që ta pushtojë Shqipërinë. Ky vendim vjen si pasojë e faktit që Hitleri pat bërë aneksimin e Austrisë nga Gjermania e më pas pushtoi Boheminë. Mussolini është xheloz për sukseset gjermane dhe kërkon një trofe të vetin. E ky trofe nuk mund të jetë tjetër veçse Shqipëria. Me një fjalë mund të themi që shtysa fillestare është Cianoja, por Mussolini vendos thuajse papritur vetëm kur sheh sukseset gjermane në veri të Europës, dhe vendos t’i imitojë.
E kështu vjen 7 prilli i vitit 1939.
7 prilli është e premte e shenjtë. Atë ditë bëhet pushtimi ushtarak i Shqipërisë, me 22.000 burra që zbarkojnë në mëngjes herët në brigjet e Shqipërisë ku priten nga një rezistencë thuajse e papërfillshme e ushtrisë shqiptare, që numëronte vetëm disa mijëra njerëz, e që për më tepër ishte po ajo ushtri e stërvitur nga vetë italianët, që e njihnin mirë e dinin nga ta zinin…
Italianët humbasin rreth një duzinë ushtarë, por më tepër për të ashtuquajturin “zjarr mik”, me një fjalë për gabime ushtarake të vetat, sesa për konfliktin me shqiptarët. Zogu arratiset bashkë me gruan dhe djalin e lindur vetëm dy ditë më parë. Pas kësaj, brenda pak ditëve, zbatohet plani për krijimin e një bashkimi mes Italisë dhe Shqipërisë, në personin e Mbretit të Italisë Vittorio Emanuele III, që bëhet Mbret të Italisë dhe Shqipërisë (përveç titullit Perandor i Etiopisë).
Bëhet ajo që njihet si bashkim personal. Duhet të them që kjo është një ide politike që respekton shqiptarët, i vë ata në të njëjtin plan të Italisë, nën të njëjtin monark, ide që të sjell pak ndërmend monarkinë e dyfishtë habsburge që kishte Austrinë dhe Hungarinë, dy koronat. Porse, në të vërtetë, Shqipëria konsiderohet si një krahinë që i shtohet Italisë, është një vend i vogël, dhe Mussolini e Ciano zhvillojnë plane kolonizimi, të valorizimit të burimeve ekonomike, por kjo është një faqe shumë e shpejtë, sepse menjëherë vjen lufta, lufta me Greqinë, dhe planet e fashizmit nuk kanë kohë të zhvillohen më tej. Fashizmi fillon të organizojë një lëvizje rinore fashiste, sjell stilin italian në Shqipëri, ndërton pallate në stilin racionalist, shumëzon me tre nëpunësit shtetërorë, nga 6 mijë në 18 mijë, metodë e përdorur edhe në Itali në mënyrë që fashizmi të ketë konsensus sa më të gjerë. Por të gjitha këto zgjatën vetëm një vit, një vit e gjysmë, menjëherë më pas arrin kriza greke e gjithçka ndryshon.
Me bashkimin personal mes Italisë dhe Shqipërisë, me pushtimin e gjithçka që pason, hidhet edhe ideja e Shqipërisë së Madhe?
Natyrisht, tema e Shqipërisë së Madhe përdoret si propagandë ndaj shqiptarëve, për të bindur shqiptarët për të mirat e pushtimit italian, dhe në fakt është një temë nda jtë cilës shqiptarët janë shumë të ndjeshëm. Për formimin e Shqipërisë së Madhe apo të Shqipërisë Etnike, nga viti 1941 e për sa kohë zgjat pushtimi, shqiptarët u janë mirënjohës italianëve. Motive të tjera që krijojnë konsensus ndaj italianëve gjatë 9-10 muajve të parë të pushtimit janë prurjet në para, financimet, iniciativat ekonomike, që pakësojnë papunësinë. Por më pas marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe italianëve prishen, sepse shqiptarët sikur zhgënjehen: kur Italia sulmon Greqinë në tetor 1940, mundet, dhe shqiptarët thonë: “Si kështu? Kjo fuqi e madhe që na dukej Italia, mundet nga grekët që kanë një shtet më të vogël e më të prapambetur, popullsi më të paktë? Si është e mundur?”
E në këtë çast ka një si ftohje të shqiptarëve me italianët.
Veç të tjerave kishte edhe trupa shqiptarë në frontin grek, që shohin me sytë e tyre çka ndodh, tërheqjen italiane. Dhe shqiptarët mbesin të zhgënjyer, të shastisur nga kjo disfatë e papritur e italianëve.
Grekët hyjnë në Shqipëri. E gjithë Shqipëri e Jugut pushtohet nga grekët…
Do të nevojitet ndërhyrja e gjermanëve, në prill të vitit 1941, që Italia të mundë grekët.
Shkurt, në momentin e sulmit ndaj Greqisë shqiptarët nisin të dyshojnë në fuqinë italiane dhe njëkohësisht të kenë nostalgji për pavarësinë. Pas kësaj fillojnë edhe çetat e para partizane, që më pas do të shtohen edhe nën ndikimin e Lëvizjes Komuniste Ndërkombëtare.
Jam i bindur që muajt e parë të pushtimit shqiptarët prisnin diçka pozitive nga pushtimi italian, edhe pse natyrisht do të kishin parapëlqyer vetëqeverisjen, ruajtjen e pavarësisë, por megjithatë mendonin se mund të nxirrnin ndonjë avantazh nga pushtimi.
Bisedoi Roland Sejko