Violonçelisti shqiptar dhe këngëtarja salentine prezantojnë veprën e tyre të parë, cd-në me titullin Ura
Romë, 7 prill 2014 – Më 8 prill (ora 21.00), në auditoriumin Parco della Musica të Romës, prezantohet disku i parë i dyshes së krijuar nga Maria Mazzotta, këngëtare salentine dhe Redi Hasa, violonçelist shqiptar prej vitesh në Lecce.
Disku i tyre quhet Ura, fjalë që veç kuptimit në gjuhën shqipe, do të thotë “tani” në dialektin salentin.
Projekti muzikor “Ura” përmban pjesë të traditës së Jugut të Italisë dhe të Ballkanit, të popujve të Evropës së moçme por edhe të migrantëve të kohëve e vendeve të ndryshme. Zëri i Maria Mazzottas merr lehtësisht ngjyrimet e pasura të gjuhëve të ndryshme muzikore të dy brigjeve të Adriatikut, ndërsa violonçelli i Redi Hasës shpreh më së miri çdo notë të melodive tradicionale, duke dhënë një gjurmë të fortë të tyren pjesëve që interpretojnë e duke ngjallur kështu emocione të forta tek publiku. Ata kthejnë në tinguj që të lënë pa fjalë ngjyrat, shijet, erërat e hijet e ekzistencës njerëzore.
Disku Ura përmban dhjetë pjesë muzikore, ndër të cilat edhe kompozimin e vetë Hasës “Ohri” dhe këngën shqiptare “Kno mi qyqe”.
Redi Hasa e Maria Mazzotta kanë nisur të bashkëpunojnë që në vitin 2005, fillimisht me këngë tradicionale e improvizime të çastit, e më pas me këngë e arranxhime të reja që gjithnjë të kujtojnë traditat e vendeve të origjinës së tyre.
Redi Hasa është 36-vjeçar nga Tirana. Që në moshën 7-vjeçare ka nisur studimin e violonçellit e ka mbaruar akademinë e Arteve në Tiranë. Në vitin 1998 ka ardhur në Itali me një bursë studimi për në Konservatorin “Tito Schipa” të Lecces ku jeton edhe sot.
Konsiderohet një muzikant ekletik që gërsheton në mënyrë të përkryer muzikën me të cilën është rritur me atë salentine që ka gjetur në Itali. Me interpretimin e tij të ngrohtë emocionon publikun e bën për vete kritikën. Dhjetë vitet e fundit ka bashkëpunuar me artistë të shumtë dhe ka marrë pjesë në evenimente të rëndësishme muzikore italiane dhe në nivel ndërkombëtar.
K.B. Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)