in

Reflekset e Salentos dhe të Shqipërisë në diskun e ri të Admir Shkurtajt

Më 13 prill, premiera digjitale e “Feksìn”, diskut të ri vetëm për piano të muzikantit nga Tirana që prej mëse njëzet vjetësh jeton në Lecce

Romë, 13 prill 2014 – Ka dalë sot online albumi i fundit i Admir Shkurtajt. Është vetëm për piano dhe titullohet “Feksìn”, i prodhuar nga shtëpia diskografike AnimaMundi Musica me mbështetjen e programit Puglia Sounds të Rajonit të Puglias.

Pas diskut Mesimér (AnimaMundi Musica 2012) me të cilin Admir Shkurtaj, fizarmoniçist i njohur, debutoi në piano, me Feksìn i kthehet sërish muzikës tradicionale. Jo vetëm asaj të Salentos si në të parin por edhe muzikës së vendlindjes, përtej kanalit të Otrantos, nga e cila sjell tre pjesë të diskut.

Feksìn është refleksi i diellit që në agim pasqyrohet në dritaret e shtëpive salentine dhe godet vështrimin e barinjve shqiptarë në malet përtej detit. Një shenjë e tërthortë e afërsisë mes dy botëve. Jehonë në Shqipëri e asaj bote të shumëdëshiruar në vitet ‘90. Takimi mes dy botëve, bindja se puna krijuese e Shkurtajt do të mund të hapë rrugë të reja e frytdhënëse bashkëpunimi, është edhe ideja qëndrore e AnimaMundi që ka prodhuar këtë disk me mbështetjen e programit të Rajonit të Puglias për muzikën, Puglia Sounds.   

Në Feksìn, krahas pjesëve të njohura të traditës muzikore të Salentos, gjen edhe pjesë të traditës shqiptare si “Valle e Shqipërisë së Mesme” apo “Mu aty te shtatë zymbylat” por edhe krijime të reja të Admir Shkurtajt.

I datëlindjes 1969, Admir Shkurtaj ka ndjekur studimet fillimisht në muzikë klasike e më pas në muzikë bashkëkohore për Fizarmonikë, kompozim dhe Muzikë elektronike. Hapat e parë i ka hedhur në Tiranë në liceun artistik Jordan Misja, studimet e larta i ka përfunduar në Lecce ku ka mbërritur në vitin 1991. Këtu është njohur me Jazz dhe muzikën tradicionale të Salentos, duke u kthyer në një nga interpretuesit më të rafinuar të saj.

Nga viti 1999 bën pjesë si fizarmoniçist në ansamblin Ghetonìa, ndër më të rëndësishmit e më origjinalët e zonës. Shkurtaj ka qenë gjithashtu edhe boshti qendror i shumë nismave e eksperiencave të suksesshme që kanë sjellë në Salento muzikën Ballkanike, si ato me Opa Cupa, Ghetonìa apo projekti i tij Talea.

Në shënimet e kopertinës së “Feksìn”, kritiku muzikor Marco Leopizzi shkruan: “Në ditët me erë veriu, nga brigjet e Salentos dallohen malet e Shqipërisë. Një ndjesi e përhershme kufiri që ushqen mendimin endacak të kësaj toke. Në të anasjelltë, nga ato male, barinjtë shqiptarë dallojnë reflesin (feksìn) e diellit në dritaret e shtëpive në brigjet puljeze. Pas suksesit të albumit Mesimér, muzikanti tiranas i adoptuar nga Salento takon sërish traditën, këtë radhë duke kthyer sytë edhe nga ajo e përtejdetit. Pjesët muzikore popullore duken të tëhuajtura, një refeks drite drite mes avantjazz-it, pianos dhe jehonave tradicionale”.

Albumi që mund të blihet online në iTunes apo në Spotify, përmban:

1. Aria de lu trainu (trad Salento)
2. Stornelli – Beddha ci voi venire (trad. Salento)
3. Aremu (trad. Salento)
4. Sciusciumaniellu (trad. Salento)
5. Around Malìa (Admir Shkurtaj)
6. Mu aty te shtat zymbylat (Dai sette giacinti) (trad. shqiptare)
7. Valle nga Shqipëria e mesme (Danza dell’Albania centrale) (trad. shqiptare)
8. Krahë (Ali) – (Admir Shkurtaj)
9. Quannu camini tie – (trad. Salento)
10. Quannu te llai la facce (trad. Salento)
11. Plurigestual – (Admir Shkurtaj)
12. Rindineddha – (trad. Salento)

Standard & Poor’s: Ekonomia shqiptare është e qëndrueshme

Djali ynë në dorë të fqinjit