Jam emigrant në Milano, i datëlindjes 1954. Në Itali kam punuar me ndërprerje, por afërsisht më bëhen rreth 12 vite pune me kontribute. Në Shqipëri kam një vjetërsi pune me kontribute prej 23 vitesh. Dua të dij se kur e plotësoj moshën për pension pleqërie në Shqipëri. Po të dëshiroj të dal tani në pension të parakohshëm, a është e mundur? Po me vjetërsinë që kam në Itali a përfitoj pension?
Për të përfituar pension pleqërie sipas nenit 31 të Ligjit nr. 7703 datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, në pikën 1 theksohet:
“Personat e siguruar kanë të drejtë për pension pleqërie të plotë në moshën 65 vjeç burrat dhe 60 vjeç gratë, pasi të kenë plotësuar 35 vjet sigurime. Për periudhën e tranzicionit bëhet përjashtim nga ky rregull dhe zbatohet neni 92 i dispozitave tranzitore të këtij ligji”.
Në këto kushte ju plotësoni moshën për pension pleqërie kur të jeni 65 vjeç, pra në vitin 2019. Por nuk plotësoni vjetërsinë e nevojshme për pension të plotë.
Përsa i përket pensionit të parakohshëm, për të cilin kërkonit sqarim, që ligjërisht konsiderohet pension i reduktuar, kushtet për përfitimin e këtij pensioni përcaktohen në nenin 31/1 si më poshtë.
Personat e siguruar kanë të drejtë për pension pleqërie të reduktuar kur:
Pensioni i reduktuar është pjesë e pensionit të plotë dhe mbetet i reduktuar gjatë gjithë kohës së përfitimit. Ky pension llogaritet duke zbritur nga pensioni i plotë shumën që del nga shumëzimi i numrit të muajve të përfitimit të pensionit, para mbushjes së moshës së përcaktuar në nenin 92, me koeficientin mujor të reduktimit. Koeficienti i reduktimit të pensionit të plotë të pleqërisë, për personat që plotësojnë kushtet e parashikuara në paragrafin e parë të këtij neni, është 0,6 për qind në muaj. Ose thënë më thjesht, për 1 vit, reduktimi i pensionit do të jetë; 12 muaj x 0,6%= 7,2% të pensionit të plotë.
Duke qenë se ju keni 23 vite me kontribute në Shqipëri, nuk plotësoni kushtet e përcaktuara në germën “a”, ku kërkohet një vjetërsi kontributive prej 35 vitesh. Pra nuk mund të dilni në pension të reduktuar. Në këto kushte ju duhet të prisni deri në vitin 2019, kur të plotësoni moshën për pension për të përfituar sipas kontributeve të derdhura.
Përsa i përket vjetërsisë kontributive që keni në Itali sqarojmë:
Duke filluar nga 01.01.2012, personat që kanë një vjetërsi kontributive më 31.12.1995, mund të kenë të drejtën për pension pleqërie, por duhet të plotësojnë kushtin e vjetërsisë kontributive të barabartë me 20 vite.
Duke filluar nga 1 janari i vitit 2012, personat, kontributet e të cilëve fillojnë nga 1 janari i vitit 1996, mund të kenë të drejtën për pension pleqërie, mbasi të kenë plotësuar vjetërsinë kontributive prej 20 vitesh, duke plotësuar sigurisht dhe kushtet e moshës.
Për këtë kategori personash, mund të përfitohet pension i pjesshëm me plotësimin e moshës 70 vjeç dhe me 5 vite kontribute efektive, duke përjashtuar kontributet e njohura si kontribute figurative (shërbimi ushtarak, sëmundje e paaftësi për punë, leje lindjeje, dhurim gjaku etj) që nuk përfshihen në shumën e pensionit.
Bazuar në sa më sipër, në rast se keni filluar punë me pagesë kontributesh para datës 31.12.1995, do ju duhen detyrimisht 20 vite me kontribute për t’u përfshirë në kushtet e përfitimit të pensionit, në moshën 67 vjeç. Ndërsa po të keni filluar punë, mbas datës 1.1.1996, mund të përfitoni pension edhe me 5 vjet kontribute, por kur të plotësoni moshën 70 vjeç.
Naim Balluku, zëvendëspresident i patronatit INAS Albania
Lexo edhe:
Si kontrollohen periudhat kontributive e si aplikohet për pension në Shqipëri
Pensioni i invaliditetit në Shqipëri. Edhe emigrantëve që kanë vite pune në atdhe
Pensioni në Itali
“Sigurimi shoqëror për punësimin”, kompensimi i ri për papunësinë në Itali