I mbetur pa punë e me vesin e lojërave të fatit, i kërkon paratë një të njohuri duke u hequr si pjesëtar i një bande kriminale shqiptarësh
Romë, 7 korrik 2013 – Luigi E., 34 vjeç nga Abbiategrasso, i mbetur pa punë por me vesin e basteve, është arrestuar nga karabinierët për zhvatje të vazhdueshme parash ndaj një të njohuri, M.S., 30 vjeç, të cilit edhe më parë i kish marrë borxh. Frekuentues i lokaleve ku viheshin bastet e luhej bixhoz, Luigi humbiste shuma të konsiderueshme, të cilat deri sa ishte në punë arrinte edhe t’i paguante, por tani nuk mbeste tjetër veçse t’ua kërkonte ato para të tjerëve, duke u kthyer edhe në një zhvatës të paskrupullt.
Këtë radhë për të bindur mikun se paratë i kishte shumë të nevojshme kish sajuar se ia kishte borxh një bande shqiptarësh, dhe i hequr si njëri prej tyre, më pas i kërkonte paratë. I niste sms duke u kujdesur të bënte gabime gramatikore që ata t’i ngjanin mesazhet e nisur nga një shqiptar, dhe i jepte udhëzime ku t’i linte paratë, gjithnjë në një makinë që më pas u zbulua se ishte e të atit të Luigi E.
Në këtë mënyrë34-vjeçari arriti t’i marrë deri 20 mijë euro viktimës, që duke mos duruar më këtë situatë shkon te karabinierët për të paditur “bandën e shqiptarëve” që po e rrjep.
Brenda pak ditëve, karabinierët kanë arritur te Luigi E. Sajuan një dorëzim shume sipas udhëzimeve që iu dhanë me telefon viktimës, dhe kur shqiptari misterioz shkoi të tërhiqte shumën zbuluan se nuk ishte tjetër veçse Luigi E.
Ndaj tij është marrë masa e arrestit shtëpiak në pritje të gjyqit për zhvatje parash.