in

ACLI informon shqiptarët mbi pensionet në Shqipëri

Patronati ACLI do të ketë sportele kushtuar shqiptarëve në disa qytete italiane, si ai i hapur së fundi në Firence, ku emigrantët mund të informohen mbi historikun e kontributeve në Shqipëri dhe mbi të drejtën e pensionit

Romë, 9 maj 2012 – Shtimi i komunikimeve mes Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe Patronatit ACLI ishte në qendër të diskutimeve mes drejtuesve të ISSh-së dhe drejtuesve të ACLI-t gjatë kongresit të këtyre të fundit në Romë javën e shkuar. 

“Marrëveshja e përbashkët, e nisur që në vitin 2009 mes ACLI-t dhe ISSH-së, ka bërë të mundur që prej kohësh shumë nga bashkëqytetarët tanë në Itali të prekin në mënyrë konkrete të dhënat lidhur me përfitimet nga skema shqiptare, duke i dhënë jetë kështu një binomi të rëndësishëm të kujdesit social mes dy vendeve”, tha në fjalën e saj Drejtoresha e Përgjithshme e ISSh-së, Vjollca Braho. Ajo falënderoi drejtuesit e Patronatit lidhur me vendimin e disa muajve më parë për të hapur sportele në disa qytete italiane me të punësuar shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Itali, siç është ai i Firences. Operatorët e këtyre sporteleve u trajnuan disa kohë më parë nga specialistët e ISSh-së në Tiranë.      

“Unë konstatoj me kënaqësi se komunikimi me ju ka qenë mjaft i domethënës për të mbërritur tek bashkëqytetarët tanë që jetojnë dhe punojnë këtu, në vendin tuaj, e që mund të informohen se gjithkush prej tyre që ka pasur një historik marrëdhëniesh kontributive në Shqipëri, do të mund t’i marrë ato në momentin që do t’u lindë e drejta”, ka theksuar Braho, duke kërkuar që fusha e bashkëpunimit të vijojë me intensitetin maksimal për të bërë të mundur që të informojë çdo bashkëqytetar në kohë që ata të arrijnë të përfitojnë çdo kontribut të derdhur gjatë kohës që kanë jetuar në Shqipëri.

Përmes këtij komunikimi, shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Itali informohen lidhur me periudhat që kanë pasur të siguruara në Shqipëri, duke bërë të mundur kështu që të jenë në dijeni të kushteve që u nevojiten për përfitim në momentin që u lind e drejta.

ISSh aktualisht ka marrëveshje me tri Patronatet kryesore, INAS, ACAI dhe ACLI, përmes të cilëve, informon falas të gjithë emigrantët për të kaluarën e tyre kontributive në Shqipëri apo edhe për kushtet për të vijuar sigurimin edhe këtu.

ACLI, në veçanti, është një prej patronateve që në Itali ka 20 zyra rajonale, 105 zyra provinciale dhe  456 zyra lokale. E veçanta e këtij patronati është se ka 72 zyra në të gjithë botën, dy prej të cilave në Shqipëri- një në Tiranë dhe një në Shkodër. 

Lexo edhe:
Patronati Acli i Firences, sportel të posaçëm pensionesh për shqiptarët

Renzo Bossi student në Tiranë (pa shkelur asnjëherë) pa mbaruar të mesmen në Itali

Suedia e shqetësuar për rritjen e numrit të azilkërkuesve shqiptarë