in

Afatet e procedurat për zgjedhjen e Presidentit

Me Kuvendin në përfundim të mandatit, në një klimë politike të ndezur, kanë nisur dje (me vonesë) procedurat për zgjedhjen e pasardhësit të Nishanit në postin më të lartë të shtetit

Tiranë, 20 prill 2017 – Më 24 korrik përfundon mandati i Presidentit aktual, ndërkohë që procedurat për zgjedhjen e Presidentit të ri pritet të nisin në Kuvend në mes të muajit prill.

Klima e ndezur politike e javëve të fundit, e nxitur sidomos nga protesta e opozitës dhe debatet për reformën në drejtësi, e kanë lënë disi në heshtje zgjedhjen e Kreut të ri të Shtetit, që këtë vit përkon me zgjedhjet parlamentare të radhës.

Kushtetuta parashikon që procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit presidencial paraardhës. Kur mandati presidencial përfundon në gjashtë muajt që i paraprijnë fundit të mandatit të Kuvendit ekzistues, procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit të Kuvendit.

Sipas këtyre përllogaritjeve, parlamenti do të shpërndahet më 3 maj dhe se procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri, referuar pikës 2.1 të nenit 88 të Kushtetutës, duhet të kishin nisur qysh më 3 mars të këtij viti.

Sipas nenit 87 të Kushtetutës, Presidenti i Republikës “zgjidhet me votim të fshehtë dhe pa debat nga Kuvendi. Për zgjedhjen e Presidentit, Kuvendi zhvillon deri në pesë votime. Votimi i parë zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga fillimi i procedurës për zgjedhjen e Presidentit. Secili nga votimet e tjera zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga përfundimi pa sukses i votimit pararendës. Votimi quhet i kryer edhe kur në konkurrim nuk paraqitet asnjë kandidat. Në votimin e dytë, të tretë dhe të katërt mund të paraqiten kandidatë të rinj”.

Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë kur një kandidat merr jo më pak se 3/5 pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në votimin e katërt dhe të pestë zgjidhet President kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit, thuhet në Kushtetutë.

Presidenti i Republikës, në çdo rast, zgjidhet për 5 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë. Mandati përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të pestë nga data e betimit si President i Republikës. Mandati i Presidentit zgjatet vetëm në kohë lufte dhe për aq kohë sa vazhdon ajo.

Lexo edhe:
Presidentët e Shqipërisë demokratike, nga Alia te Nishani
Zgjedhja e Presidentit të Shqipërisë. Dështon raundi i parë, sot mbahet i dyti

 

 

Presidentët e Shqipërisë demokratike, nga Alia te Nishani

Zgjedhja e Presidentit të Shqipërisë. Dështon raundi i parë, sot mbahet i dyti