in

Presidentët e Shqipërisë demokratike, nga Alia te Nishani

Kanë dhënë dorëheqjen vetëm Ramiz Alia dhe Sali Berisha, por ky i dyti është i vetmi që është zgjedhur dy herë të njëpasnjëshme

Tiranë, 20 prill 2017 – Zgjedhja e Presidentëve para 21 tetorit të vitit 1998, vit kur u miratua dhe Kushtetuta e re e Shqipërisë, është mbështetur në procedurat e parashikuara në një kushtetutë të përkohshme, e cila u miratua pas vitit 1991, periudha kur u pranua dhe sistemi shumëpartiak.

Pas dorëheqjes së Sali Berishës nga detyra e kreut të shtetit më 1997 dhe sanksionimit të regjimit republikan në referendumin e po atij viti, filloi puna për nxjerrjen e Kushtetutës së përhershme të Republikës së Shqipërisë.

Gjatë hartimit të këtij dokumenti u shqyrtuan sistemet presidenciale dhe parlamentare, si dhe elemente të tjera të rendit kushtetues, ku u vendos zgjedhja e sistemit parlamentar, i cili parashikon pakësimin e kompetencave të presidentit dhe rritjen e kompetencave të kryeministrit.

Më 30 prill 1991, me zgjedhjen e Presidentit të parë të Republikës parlamentare nga ana e një parlamenti shumëpartiak, u krijua Institucioni kushtetues i Presidentit të Republikës.

Presidenti që pritet të zgjidhet këto ditë nga Kuvendi i Shqipërisë do të jetë i shtati i periudhës së postkomuniste. E kanë paraprirë Ramiz Alinë, Sali Berishën, Rexhep Meidanin, Alfred Mosiun, Bamir Topin dhe Bujar Nishanin.

 – Më 30 prill 1991, pas zgjedhjeve të para shumëpartiake të 31 marsit 1991, parlamenti i ri pluralist me propozim të deputetëve të Partisë së Punës, zgjodhi Ramiz Alinë, President të Republikës. Alia u dorëhoq nga ky post pas fitores së Partisë Demokratike në zgjedhjet e 22 marsit 1992.

– Më 9 prill 1992 Sali Berisha zgjidhet President i Republikës, detyrë në të cilën u rizgjodh edhe më 3 shkurt 1997, nga e cila dha dorëheqjen një muaj pas humbjes në zgjedhje të Partisë Demokratike dhe fitores së koalicionit të majtë.

– Më 24 korrik 1997, me propozim të Partisë Socialiste, Rexhep Meidani zgjidhet President i Republikës, mandati i të cilit përfundoi më 24 korrik 2002.

– Më 24 korrik 2002, Alfred Moisiu zgjidhet President i ri i Republikës, i propozuar nga 40 deputetë të grupeve të ndryshme parlamentare. Kandidatura e tij konsensuale ishte produkt i një marrëveshje maxhorancë-opozitë, pas bisedimeve disaditore.

– Më 23 korrik 2007 Bamir Topi, i propozuar nga Partia Demokratike, u zgjodh President i Republikës në raundin e katërt të votimit, duke marrë 85 vota.

– Me 11 qershor 2012 Bujar Nishani, i propozuar nga Partia Demokratike, u zgjodh president i Republikës, në raundin e katërt te votimit, duke marrë votat e 73 deputetëve.

Lexo edhe:
Afatet e procedurat për zgjedhjen e Presidentit

Zgjedhja e Presidentit të Shqipërisë. Dështon raundi i parë, sot mbahet i dyti

 

 

 

 

 

Sorpresa Albania

Afatet e procedurat për zgjedhjen e Presidentit