Çdo të martë e të shtunë fluturime Tiranë-Genova
Roma, 19 shkurt 2014 – Kompania e fluturimeve Air One e grupit Alitalia, nga 1 marsi do të niset në drejtim të Rinasit edhe nga Genova. Fluturimet Tiranë-Genova do të jenë dy herë në javë, të martë e të shtunë, do të nisen nga Rinasi në orën 10.20 ndërsa nga Genova në orën 12.55.
Pas falimentimit të Belle Air-it dhe pezullimit të fluturimeve të kompanisë Small Planet Airlines, kjo linjë ka mbetur pa një fluturim të drejtpërdrejtë.
Air One shtoi ofertën e fluturimeve mes aeroporteve italiane dhe Rinasit menjëherë pas falimentimit të Belle Air-it. Plani i zgjerimit të ofertës parashikoi nisjen e fluturimeve të reja Air One për të lidhur aeroportin e Tiranës me atë të Venecias, të Veronës dhe të Bolonjës që iu shtuan fluturimeve që lidhin kryeqytetin shqiptar me Milano Malpensa dhe Pisa.
Nga 1 marsi, Genova do të jetë aeroporti i gjashtë italian që do të ketë fluturim Air One të drejtpërdrejtë nga e për Rinas.