in

AK, Spahiu: “Emigrantëve t’u garantohet e drejta e votës”

Aleanca KuqeZi nis turin e takimeve me emigrantët shqiptarë të cilët kthehen në masë në këtë periudhë pranë të afërmve të tyre. Lideri i Aleancës KuqeZi, Kreshnik Spahiu çeli të dielën fushatën e takimeve me emigrantët shqiptarë në qytetin e Durrësit. AK ka marrë firmat e 14 deputetëve të parlamentit britanik që i drejtojnë shtetit shqiptar  një apel të qartë: “Mos i mohoni të drejtën e votës komunitetit shqiptaro-britanik”.

Tiranë 16 korrik 2012 – “Ka ardhur koha që të gjithë t’i ktheni sytë nga Shqipëria, nga toka jonë e cila po dergjet, shitet dhe copëtohet për interesat personale të Sali Berishës dhe Edi Ramës. Sot më shumë se kurrë ju duhet të kuptoni që politikat e PS dhe PD kanë dështuar dhe këto dy forca politike duhen ndëshkuar. Duhen ndëshkuar me votë për qëllimin e vetëm për t’i dhënë Shqipërisë një faqe të re në historinë e saj moderne, ku zhvillimi, integrimi dhe prosperiteti të mos ketë as ngjyrën blu e as atë rozë por të mbajnë vulën kuqezi, vulën e shqiptarëve kuqezi”. Kështu u është drejtuar dje emigrantëve kreu i AK Kreshnik Spahiu.

Spahiu vuri theksin tek e drejta e votës së emigrantëve e cila prej 22 vitesh u është mohuar pasi “Berisha dhe Rama e dinë mjaft mirë që vota e emigrantëve është votë ndëshkuese sepse ata arrijnë ta bëjnë dallimin midis një politike zhvilluese evropiane dhe një politike klienteliste”.

“Ju e keni parë dhe dëgjuar që Aleanca KuqeZi ka zhvilluar protesta në Romë, Bruksel, Londër, Gjenevë dhe Uashington për të drejtën e votës e cila është një e drejtë kushtetuese që i takon të gjithë shqiptarëve, brenda dhe jashtë kufijve. Por kjo e drejtë u është mohuar nga burracakët e politikës shqiptarë që i tremben votës tuaj të drejtë” ka vijuar Spahiu.

Më pas ai ka treguar nismën më të fundit të Aleancës KuqeZi në Britaninë e Madhe: “Dega jonë në Londër ka arritur të marrë firmat e 14 deputetëve të parlamentit britanik të cilët i drejtohen shtetit shqiptar me një apel të qartë: Mos i mohoni të drejtën e votës komunitetit shqiptaro-britanik. Njohja e kësaj të drejte është themeli i ndërtimit të shtetit demokratik”.

Takimet e Aleancës KuqeZi me emigrantët shqiptarë që kthehen gjatë sezonit veror do të vijojnë në të gjitha qytetet bregdetare të Shqipërisë.

Lexo edhe:
Aleanca KuqeZi: “Shqiptarët në emigracion të harruar nga qeveria”
Pse tremb vota e emigrantëve?

Mos i prisni pemët e mia!

Fucecchio. Atentat dy shqiptarëve. Vdes 31-vjeçari Rucaj