in

Aksidentet rrugore: të njëjtat të drejta për të huaj dhe italianë

Për Gjykatën e Kasacionit, të huajt viktima të aksidenteve rrugore dhe familjarët e tyre duhet të kenë të njëjtat të drejta të italianëve, edhe në dëmshpërblimet që duhet të marrin nga kompania e sigurimeve të automjetit

Romë, 12 janar 2011 – Sentenca nr. 450 e Gjykatës së Kasacionit, e depozituar më datë 11 janar 2011, ndryshon ndjeshëm tablonë e të drejtave të jokomunitarëve në rast se ata mbeten viktima të aksidenteve rrugore. Sipas kësaj sentence në rast se një qytetar jokomunitar dëmtohet ose humb jetën në një aksident, të afërmit e tij kanë të njëjta të drejta me italianët, edhe nëse nuk banojnë në Itali. Në bazë të këtij vendimi, nuk ka asnjë rëndësi nëse vendi i origjinës së emigrantit ka apo jo ndonjë traktat reciprociteti në këtë fushë më Italinë.

Praktikisht të afërmit e emigrantit jo komunitar mund t’i kërkojnë drejtpërdrejt dëmshpërblimin për dëmin moral kompanisë së sigurimit të automjetit që ka shkaktuar vdekjen e të afërmit të tyre.

Sentenca e Gjykatës së Kasacionit është marrë mbi rastin konkret të një nënë shqiptare e cila më 3 dhjetor të vitit 1996 humbi të birin në një aksident rrugor. Në afërsi të San Clemente të Casertës, i riu shqiptar që udhëtonte me biçikletë u shtyp nga një Mercedes, e drejtuar nga shtetasi italian Guiseppe C. Pas kësaj humbjeje, nëna e të riut, megjithëse nuk ka ardhur kurrë në Itali, i kërkoi dënim moral kompanisë së sigurimeve. Në shkallë të parë dhe të dytë të gjykimit, pretendimi i gruas ishte konsideruar i papranueshëm. Bile ajo ishte dënuar me pagimin e shpenzimeve gjyqësore. Arsyetimi i gjykatësve të Napolit ishte se kërkesa mund të pranohej vetëm nëse kishte prova që edhe Shqipëria ia njeh të njëjtën të drejtë shtetasve italianë, pra në rast se ekziston një marrëveshje reciprociteti mes dy vendeve.

Por këmbëngulja e kësaj nëne,  bëri të mundur që të arrihet në këtë sentencë të Kasacionit, e cila tanimë konsiderohet si të jetë ligj. Kasacioni specifikon se për sa i përket mbrojtjes së të drejtave të pashkelshme të njeriut, siç është jeta, nuk ka fare rëndësi nëse shtetet kanë apo jo marrëveshje reciprociteti. Mjafton që dëmi të jetë bërë në Itali. Në vendim lexohet: “Të drejtat themelore të personit, siç është e drejta e jetës, e sigurisë dhe e shëndetit, meqenëse janë të njohura nga Kushtetuta, nuk mund të kufizohen nga neni 16 i dispozitave fillestare të Kodit Civil mbi kushtet e reciprocitetit. Si rrjedhojë mbrojtja duhet të garantohet pavarësisht nga shtetësia”.

Tani rasti i nënës shqiptare do të rishqyrtohet nga Gjykata e Apelit të Napolit e cila duhet të ndjekë parimet e vendosura nga Gjykata e Kasacionit.

Lampedusa, muzeu i mërgimtarëve

Italia e fundit ndër vendet e OSBE-së për studentët e huaj