in

Aksidenti i Himarës. Ëndrrat e lëna në mes të Eriola Xhoit

Eriola, studentja 25 vjeçare nga Elbasani shkruante për dashurinë, ëndrrat e jetës, udhëtimet

Eriola Xhoi
Elbasan, 24 maj 2012 – “Jeta nuk pati për qëllim të na bënte qenie të përkryera. Kushdo qoftë apo pretendon të jetë i përkryer nuk e ka vendin këtu, por në muze….”. Një thënie e Remarkut ishte postimi i fundit i vajzës nga Elbasani, Eriola Xhoi, që humbi jetën në aksidentin tragjik të hënën pasdite në Qafën e Vishës në rrugën Himarë- Sarandë.

Eriola, studentja e vitit të tretë në degën Gjuhë-Letërsi, kishte ëndërr të saj të bëhej mësuese letërsie. “Ndoshta një ditë do të botohen poezitë e saj, në të cilat shkruante për dashurinë, ëndrrat e jetës, udhëtimet, etj, por nuk do të jetë Eriola që do të gëzojë për këtë vëllim por miqtë dhe të afërmit e saj”. Kështu shprehen shoqet  e kursit dhe mikeshat e Eriolës, në shkollën ku ajo studionte.

Eriola, studentja 25 vjeçare nga Elbasani ka lënë pas kujtime të bukura dhe ëndrra të parealizuara. Është e pamundur të hysh në banesën e saj të vogël, ku ajo jetonte me nënën dhe vëllanë e saj më të vogël, pasi babai i saj ka më shumë se 7 vjet që ka ndërruar jetë. “Për arsye personale, Eriola i nisi studimet pak me vonesë, por ëndrra e saj ishte të studionte për gjuhë – letërsi, i pëlqente shumë letërsia dhe thoshte se donte të bëhej mësuese letërsie”, thotë një mikesha e saj, në pallatin ku edhe jetonte Eriola deri mëngjesin e së hënës.

Njihej nga shoqet si një vajzë me vizion, hobi i saj ishte parukeria, madje disa vite më parë kishte ndjekur edhe një kurs, por që për shkak të studimeve, nuk mund ta ushtronte edhe këtë profesion të dytë. Vjen një nga familje me një ekonomi normale, nëna e saj punon infermiere dhe nga çasti që mësoi se vajza e saj kishte vdekur në këtë aksident, nuk është më në gjendje të presë e të përcjellë njerëz.

Zia ka pllakosur këtë familje që tashmë ka mbetur vetëm me dy persona, nëna dhe vëllai i Eriolës.  “Nuk mund të harrojmë buzëqeshjen e saj, as fjalët e ëmbla, dhe dëshirën për të bukurën, është një fatkeqësi e madhe, për familjen që humbi një vajzë të mrekullueshme, por edhe për ne mikeshat e saj”, thonë shoqet e fakultetit të Eriolës, si edhe ato të fëmijërisë, që qëndrojnë pranë nënës së saj në këto ditë të vështira.

Bashkë me Eriolën në këtë aksident humbën jetën edhe 10 vajza të reja, trupat e tyre të pajetë u përcollën të martën në banesën e fundit, por kujtimi i tyre do të mbetet gjithnjë në mendjet e të afërmve dhe mbarë qytetarëve shqiptarë.

Ëndrra të këputura në mes

Kishin plot ëndrra, dashuri për jetën. Jetë që tragjikisht iu këput në mes në një ditë të bukur maji. Lot dhe dhimbje kanë shoqëruar këto ditë të fundit shqiptarët; lot dhe dhimbje për të rinjtë që u ndanë kaq shpejt nga jeta. Vajzat e vitit të tretë të Degës Gjuhë Letërsi të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit ishin nisur në një ekspeditë në Sarandë. Por prej saj nuk u kthyen 11 prej tyre.

“Zemra ime është e mbushur me plot dashuri për ty Zoti; faleminderit që më krijove dhe je me mua në çdo moment të jetës tokësore që jetoj”, shkruante Dorina Stafa, një tjetër vajzë që humbi jetën në aksidentin tragjik.   

Ndërsa një ëndërr e madhe dashurie u këput në mes. Një dashuri e hershme që nisi kur Besjana Xheneti ishte në gjimnaz dhe që ishte kurorëzuar një vit më parë me fejesë. Armand Halilaga nga Kavaja nguli këmbë të shoqëronte të fejuarën e tij edhe pse pedagogët nuk kishin dashur ta lejonin të udhëtonte me to. Dhe ky ishte udhëtimi i fundit për Armandin. Një dhimbje tejet e madhe për familjarët e tij dhe të fejuarën Besjana që i mbijetoi aksidentit.

(ATSh)

Lexo edhe:
Bie autobusi me studentë në Himarë. 13 të vdekur, mbi 20 të plagosur
Vlorë. Vajzat e aksidentuara mes ëndrrës dhe realitetit

Tragjedia e Himarës. Dy të aksidentuarat më rëndë të enjten për kurim në Austri

Nisin në Tiranë aplikimet për punësimin e infermierëve në Gjermani