in

Aktorja Glenn Close frymëzohet nga burrneshat shqiptare për rolin e saj të fundit

Sot, më 10 shkurt, del në kinematë italiane filmi i më i ri me aktoren e famshme amerikane Glenn Close. Filmi është i regjisorit Rodrigo Garcia dhe quhet “Albert Nobbs” dhe pikërisht rolin e Albertit e luan aktorja 62-vjeçare, rol për të cilin është kandiduar për çmimin Oskar. Albert Nobbs është në të vërtetë një grua e cila vishet si burrë për të mbijetuar, për të punuar si shërbyes në Irlandën e shekullit XIX.
E në promovimin e filmit, teksa flet për sekretin e interpretimit të suksesshëm të këtij roli, aktorja thotë se frymëzimin e mori nga “virgjëreshat shqiptare”. “Në vitin 2002 ndoqa rastësisht një program në Discovery channel, ku flitej për Virgjëreshat e Shqipërisë, dhe mbeta e mahnitur nga ai zakon i lashtë. Më mbeti në mend një portret i mahnitshëm”, shprehet ajo. Veç të tjerash në intervistë shton edhe që “Është një kulturë në Evropë, sipas të cilës, nëse një familje nuk ka një mashkull, një femër transformohet në mashkull për të jetuar dhe për të përballur jetën si mashkull. Prej shumë vitesh më ka mbetur në mend imazhi i njërës prej këtyre grave, sytë, flokët. Kam qenë e mahnitur nga ky zakon gjithë këto vite dhe shpresoja që të më jepej mundësia që të luaja një rol të tillë”.

Shqipëria dhe Glenn Close
Nga Rovena Rrozhani

Glenn Close ne rolin e Albert Nobbs-it
Pas kontrabandistëve, skafistëve, trafikantëve… u deshën edhe burrneshat. Për rolin e saj të fundit, aktorja Glenn Close është frymëzuar nga një fotografi e një burrneshe shqiptare, apo një virgjëreshe të betuar. Një stereotip tjetër në filmat e huaj. Cila është Shqipëria e Hollyëood-it
“E kam në foto atë grua shqiptare, e ruaj që nga viti 2002… Është pjesë e kulturës shqiptare”.

Kështu shprehet ndër të tjera aktorja Glenn Close, teksa promovon filmin e saj më të ri, të cilin e deklaron më të dashurin e të gjithë karrierës. Fjalët e saj për rolin e Albert Nobbs janë përdorur thuajse nga të gjitha agjencitë e lajmeve dhe sajtet ne internet që i referohen filmit. Emri i Shqipërisë përmendet në informacione të ndryshme prej datës 27 janar, kur filmi ka filluar të shfaqet në kinematë amerikane dhe fushata publicitare është në kulmin e saj. Kureshtjes së gazetarëve se si ajo, aktorja ikonë e Hollyëood-it, ia doli të shndërrohej në një burrë, duke prekur jo vetëm  fytyrën, por edhe trupin e zërin gjithashtu, Glenn Close nuk harron t’i shtojë atë foto që ka parë në revistën “National Geographic”. Është imazhi i një burrneshe shqiptare, gruaje të shndërruar në burrë për të ruajtur trashëgiminë dhe për t’i dalë zot familjes.

Ndonëse Albert Nobbs është një irlandez(e) i shekullit XIX, i cili/e cila jeton në zemër të Dublinit, ku përpiqet të krijojë të ardhmen e tij/saj, aktualizimi shqiptar me shembuj të shekullit XXI, foto të burrneshave që jetojnë mes nesh, duket se e ka bërë për vete Glenn Close, e cila përtej trillit të një shkrimtari të njohur irlandez, arrin të ketë edhe imazhe të vërteta të asaj, që ajo e quan kulturë shqiptare.

Nuk është faji i Glenn Close. Ajo ka vuajtur aq shumë për të shndërruar pamjen e saj, veshët, hundën, flokët, trupin madje edhe zërin dhe kur fantazisë së grimierëve u vjen në ndihmë një imazh, është një avantazh i madh për të bërë një realizim që arrin të marrë një nominim për Oskar. Të mos harrojmë edhe nominimin e vetë aktores në ndërtimin e kësaj gruaje irlandeze, që për 30 vjet jeton si një burrë pa u kuptuar nga askush. Në fund të fundit, kjo foto i ka dhënë krah ëndrrës së saj për të realizuar filmin dhe nuk ka pasur fare rëndësi për të se a mund të quhet kjo pjesë e kulturës shqiptare, apo jo. I ka mjaftuar vetëm fakti ekzotik. Burrneshat shqiptare nuk janë vënë re së pari nga aktorja dhe fakti është vetë “National Geographic”. Janë shkruar artikuj dhe janë bërë dokumentarë, madje një vit më parë edhe performanca në anën tjetër të detit. Nuk mungon edhe një roman për burrneshat. Ato janë pjesë e realitetit shqiptar dhe nuk mund t’i mohojmë. Por gjithsesi, mbeten një realitet i kufizuar, një rudiment që nuk ka shanse për t’u zhvilluar më tej dhe nuk mund të identifikohen me kulturën shqiptare aq më tepër në rrafshin artistik, ku kujtesa e njerëzve ndalon pak më gjatë se kudo tjetër. Do të kisha dashur që një shqiptar të ishte ndodhur pranë aktores e ta kishte këshilluar që së paku të mos i cilësonte pjesë të kulturës shqiptare burrneshat e vetsakrifikuara. Sepse, edhe një herë Shqipëria e vogël, e panjohur nga shumë prej aktorëve dhe artistëve hollivudianë, lidhet me kinemanë, nëpërmjet një realiteti arkaik. Pas filmave me figura prostitutash apo kriminelësh shqiptarë, dhe pas zërit të diktatorit Enver Hoxha në filmin “Inside Man” me Denzel Uashington, kjo e burrneshave qe Glenn Close e lidh me kulturën shqiptare, për fat të keq nuk është një shenjë pozitive përbri emrit të Shqipërisë. E po të shtojmë këtu edhe faktin që shpesh këto gjëra kthehen në stereotipa artistësh të mëdhenj për vende të vogla dhe të panjohura, atëherë problemi bëhet akoma më shqetësues. Edhe një herë na duhet të durojmë përgjithësimin që vjen nga përdorimi i rudimenteve të realitetit tonë.

“Unë Gruaja”, e përjavshme e gazetës Panorama

Kreshnik Spahiu jep dorëheqjen nga posti i nënkryetarit të KLD-së

Emergjencë gjaku. Shoqatat: “Imigrantë dhuroni edhe ju”