in

Kreshnik Spahiu jep dorëheqjen nga posti i nënkryetarit të KLD-së

Sot, kur Kuvendi e kishte thirrur për të raportuar përpara komisionit hetimor të ngritur për shkarkimin e tij, Kreshnik Spahiu, nënkryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ka dhënë dorëheqjen. “Për t’i hapur rrugë një vendimi kushtetues dhe të paanshëm nga kolegët e në Gjykatën Kushtetuese” të cilëve u është drejtuar për zgjidhjen e mosmarrëveshjes mes Kuvendit dhe KLD-së, pas ngritjes së komisionit për hetimin e veprimtarisë së tij

Tiranë, 10 shkurt 2012 – Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, deklaroi sot dorëheqjen nga ky post, pak muaj para mbarimit të mandatit të tij. Në një konferencë për shtyp, Spahiu shpjegoi se i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të zgjidhur mosmarrëveshjen mes pushtetit legjislativ dhe pushtetit gjyqësor, pas ngritjes në Kuvend  të një komisioni hetimor për hetimin e veprimtarisë së tij dhe se për t’i hapur rrugë një vendimi kushtetues dhe të paanshëm nga kolegët e tij në Gjykatën Kushtetuese, që është arbitri dhe autoriteti kushtetues, vendosi të largohet nga detyra.

“Deklaroj se edhe ditën kur Gjykata Kushtetuese të vendosë pranimin e kërkesës dhe paligjshmërinë e komisionit inkuizitor antikushtetues, unë nuk do të pranoj të rikthehem më në këtë detyrë. Për këtë arsye po i paraqes Presidentit të Republikës së Shqipërisë dorëheqjen e parevokueshme nga funksioni i anëtarit dhe Zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, shtoi më tej ai.

Kreshnik Spahiu është vënë në qendër të një hetimi nga një Komision Hetimor, i ngritur në Kuvend.

Si nismëtare e komisionit, maxhoranca e akuzon Spahiun për veprimtari të kundërligjshme, si angazhim në lëvizje politike gjatë kohës së ushtrimit të detyrës së zv/kryetarit të KLD-së. Kreshnik Spahiu u zgjodh në postin e nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pas miratimit të Parlamentit, para tre vjetësh.

Pak pasi Kreshnik Spahiu deklaroi dorëheqjen si nënkryetar i KLD-së, ka nisur punën Komisioni Hetimor i ngritur nga Kuvendi për shkarkimin e tij. Sot ishte në plan që të dëgjohej dëshmia e Spahiut. Kryetari i këtij komisioni, Enkelejd Alibeaj bëri një koment të shkurtër për dorëheqjen e Spahiut duke thënë se ajo nuk ndikon punën e komisionit. “Nuk kam asnjë koment në aspektin juridik. Dorëheqja e tij nuk ka asnjë efekt në punën e komisionit hetimor,” tha Alibeaj. Por siç kishte thënë edhe dy ditë më parë, Alibeaj përsëriti se do të depozitojë një kallëzim penal për Kreshnik Spahiun me argumentin se ka penguar punën e komisionit. Sipas Alibeajt, Spahiu ka shkelur nenin 17 të komisionit duke mos dorëzuar dokumentacionin e provat e nevojshme.

Komisioni pati kërkuar të inspektojë dokumentet financiare të KLD-së, por Spahiu tha se Kuvendi nuk e ka këtë kompetencë, duke shpjeguar më tej se kjo është vetëm kompetencë e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Deklarata e Spahiut

“Pas 3 vitesh e gjysmë përpjekjesh të qeverisë për të më shkarkuar, e cila e ka fillesën më korrik 2008 kur ish-ministri i Drejtësisë së qeverisë Berisha i kërkoi Këshillit të Lartë të Drejtësisë verifikimin e mandatit tim, e deri më sot kur politikisht kërkohet rrëmbimi i këtij funksioni, akt në të cilin është përfshirë edhe një pjesë e Kuvendit, vendosa t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese për të zgjidhur mosmarrëveshjen mes pushtetit legjislativ dhe pushtetit gjyqësor, të nisur me kërkesën për shkarkimin e Zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke marrë dhe pushtuar Kuvendi kompetencat ligjore të vetë Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Për t’i hapur rrugë një vendimi kushtetues dhe të paanshëm nga kolegët e mi në Gjykatën Kushtetuese, që është arbitri dhe autoriteti kushtetues, vendosa të largohem nga detyra ime edhe për faktin se kjo nuk është luftë personale por institucionale.

Deklaroj se edhe ditën kur Gjykata Kushtetuese të vendosë pranimin e kërkesës dhe paligjshmërinë e komisionit inkuizitor antikushtetues unë nuk do të pranoj të rikthehem më në këtë detyrë. dhe për këtë arsye po i paraqes Presidentit të Republikës së Shqipërisë dorëheqjen e parevokueshme nga funksioni i anëtarit dhe Zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Për shumë deputetë dhe ministra lënia apo largimi nga karrigia është fundi i botës dhe pushtetit të tyre sepse ata urrehen nga publiku dhe kapen fort pas karriges, makinës, truprojave, privilegjeve duke diktuar pushtet, për ne largimi nga karrigia nuk është as fundi dhe as vazhdimi por fillimi i provës me autoritetin dhe pushtetin që të dhuron publiku. Ata kanë frikë nga rruga, qyteti, realiteti dhe njerëzit që i rrethojnë, për ne është fillimi i një maratone sepse karriget janë të përkohshme ashtu si dhe jeta e vet njeriut, ndërsa kauzat nuk vdesin.

Më lejoni t’u them punë të mbarë atyre që po lë, me mirënjohjen që më mbështetën 4 vjet nën presionin e qeverisë dhe ndërkohë për ata që më presin t’u them rrugë të mbarë në udhën e gjatë që po nisim”.

Ish-kreu i Forcave të Armatosura, Luan Hoxha, largohet me familjen në ShBA

Aktorja Glenn Close frymëzohet nga burrneshat shqiptare për rolin e saj të fundit