in

Albana që diagnostikon me të parë

Albana Çerekja, gjinekologia e pasionuar me profesionin e saj, fituese mes qindra konkurrentëve,  në konkursin ndërkombëtar on-line thefetus.net mbi diagnostikimin bazuar në imazhet ekografike

Në Itali, janë të shumtë të rinjtë që studiojnë mjekësi, apo mjekët e infermierët shqiptarë. Ndërsa për të fundit dyert e strukturave spitalore publike janë të hapura, në kuptimin e vendit të punës, për mjekët është më e vështirë, pasi që të punojnë në to u nevojitet shtetësia italiane. Por një gjë i bashkon: shpesh dallohen për aftësitë e tyre, dedikimin në studime e punë.

I tillë është rasti i një mjekeje nga Elbasani, Albana Çerekja, që jeton prej gati 15 vjetësh në Romë. Ka studiuar për mjekësi, në Tiranë dhe në kryeqytetin italian dhe është specializuar në  gjinekologji e obstetrike me rezultatet më të mira të mundshme. Më pas është perfeksionuar në ekografinë gjinekologjike e obstetrikale të cilës i dedikohet prej mëse 10 vjetësh. Sot punon në struktura shëndetësore publike dhe private ku meriton përditë respektin e kolegëve dhe dashurinë e mirënjohjen e pacienteve.

Albana me pasionin, përkushtimin e dhuntitë e saj ka arritur nivele të larta në profesion. Është e dashuruar me diagnostikimin me ultratinguj, arrin të kuptojë çdo linjë e njollë që i shfaqet në ekran, duke u siguruar pacienteve të saj diagnozë të saktë me një të parë. Por veç punës së përditshme, nga mëngjesi në darkë, ajo nuk resht së studiuari për rritjen e saj profesionale. “Unë jam një gjinekologe dhe kryej kryesisht ekografi – rrëfen ajo – Punoj në repartin e ekografisë së një departamenti publik dhe në disa qendra private. I adhuroj ultratingujt. Pasioni im është të kërkoj e të studioj sa më shumë në këtë fushë”.

Për 3 vjet me radhë, emri i saj renditet në nivelet e larta të konkursit të thefetus.net i organizuar nga ky web-site i mirënjohur i diagnozës prenatale me qendër në Amerikë dhe i drejtuar nga profesor Philippe Jeanty, një nga emrat më të njohur në nivel ndërkombëtar në këtë fushë, e që ka qëllime didaktike për të gjithë të interesuarit nga mbarë bota. Përveç kësaj, thefetus.net ka shpallur dhe një konkurs mbi gjetjen e diagnozës në disa raste patologjish të rralla të fëmijës ende në barkun e nënës, nëpërmjet studimit të imazheve ekografike të botuara në web-site.

Në dhjetor të vitit 2011, Albana u shpall fituese të vitit me 25 përgjigje të sakta për 25 pyetjet e bëra, duke merituar konsideratat më të larta nga vetë organizatorët e konkursit “një dituri mbresëlënëse që vjen nga ky brez i ri”. Sipas tyre “Albana është një ndjekëse e përkushtuar e faqeve të TheFetus.net. Përveç përgjigjeve të sakta që dërgon për konkursin, ajo na ofron vazhdimisht raste shumë interesante që ndesh në praktikën e saj të përditshme dhe që përbëjnë një kontribut të vlefshëm mesimor për gjithë frekuentuesit e sitit”. Në vitin 2009, kur mori pjesë për herë të parë në këtë konkurs ajo u rendit e treta, ndërsa në vitin 2010 u rendit e dyta. Gjithnjë ndër 400-500 konkurrentë, specialistë nga e gjithë bota.
Albana vetë shprehet me thjeshtësi: “Kaloj orë të tëra, kur mundem, në faqen e internetit të thefetus.net, ku kërkoj të gjej diagnozën e saktë, të studioj të gjithë artikujt dhe rastet e mëparshme të publikuara aty”. Kam një vajzë 12 vjeçe, të cilës i premtova se këtë radhë do të isha një nga fituesit e pare,  – vazhdon duke qeshur – kështu që ajo mund të më falë mua për gjithë kohën që unë nuk i kushtoj kur jam e zënë me kërkimet e mia”. E me siguri ashtu është. Irisi, e bija e Albanës, jo vetëm duhet ta ketë falur, por “duhet të jetë krenare për nënën e saj” siç shprehen organizuesit e konkursit.

Albana Çerekja ka shkëlqyer gjithnjë, edhe në mësime. Ka kryer shkollën e mesme në Elbasan dhe u diplomua me dhjeta. Në vitet 1990-1995 mbaroi Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë, edhe këtë vetëm me dhjeta. Më pas, në vitin 1998, Albana u diplomua në Mjekësi në Universitetin ‘La Sapienza’ të Romës, gjithnjë me rezultatet më të larta të mundshme: me notën 110, me lavdërime e përgëzime nga komisioni. Në vitin 2004 u specializua në Gjinekologji e Obstetrikë me notën 70/70 (me bursë për merita nga ministria italiane e Arsimit dhe e Universitetit për 5 vjet). Në vitin 2008 mbrojti Doktoraturën në kërkimet shkencore në fushën materno-infantile e në gjinekologji në universitetin “La Sapienza”. Është zotëruese e katër gjuhëve të huaja. Ka kryer kurse perfeksionimi në Romë, Paris, Londër. Është autore e artikujve e relacioneve nё revista shkencore, bashkautore e shumë librave, merr pjesë vazhdimisht në konferenca apo kongrese italiane e ndërkombëtare.

Albana është e bija e dy mësuesve të mrekullueshëm nga Elbasani, Sytki e Natasha Çerekja, të cilët gjatë qëndrimit të tyre në Romë, hapën në vitet 2005-2008 shkollën e gjuhës shqipe «Drita» në Fontenuova, një qytezë në hyrje të Romës, për fëmijët e emigrantëve që vinin nga Shqipëria, Kosovë dhe Maqedonia. Për tre vjet me radhë bënë çmos që 30-40 fëmijëve shqiptarë të mos u mungonte mësimi shqip i të shtunës, të cilit edhe pse pa asnjë shpërblim iu dedikuan me pasion e dashuri.

Hyqmet Zane

“Specia” më e re e të larguarve

Të rejat më të fundit nga Lega: “Të heqim fondin për imigracionin”