Mbaron mandatin Massimo Gaiani, i vlerësuar së fundi nga presidenti i Shqipërisë me titullin “Për Merita të Veçanta Civile”
Romë, 19 nëntor 2015 – Është 53 vjeçari Aberto Cutillo ambasadori i ri italian në Tiranë. Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani ka pranuar dje letrat kredenciale të tij.
Cutillo ka nisur karrierën diplomatike në vitin 1986, dhe para se të emërohej në krye të ambasadës italiane në Tiranë, punonte në ministrinë e Jashtme italiane si nëndrejtor në Drejtorinë e përgjithshme për Bashkimin Evropian të ministrisë së Jashtme italiane me gradën e ministrit fuqiplotë.
Zë vendin e Massimo Gaianit që ishte ambasador i Italisë në Shqipëri nga dhjetori i vitit 2011. Para pak javësh, me rastin e largimit të tij nga Shqipëria, presidenti Nishani e vlerësoi atë me Titullin “Për Merita të Veçanta Civile” me motivacionin: “Në vlerësim të veprimtarisë diplomatike dhe kontributit të tij të çmuar në përparimin e gjithanshëm të marrëdhënieve dypalëshe dhe zbatimin e suksesshëm të Partneritetit Strategjik mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Italiane; për mbështetjen e pakursyer të procesit të integrimit evropian të vendit tonë; për ndihmën efikase në avancimin e reformave kyçe, përfshirë luftën kundër krimit të organizuar dhe reformën në drejtësi; si dhe për forcimin dhe pasurimin e mëtejshëm të shkëmbimeve kulturore mes dy popujve tanë”.
Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)