E diplomuar në Juridik në Zojën e Këshillit të Mirë në Tiranë, prej pesë vjetësh Kushi ndjek në universitetin e Barit specializimin, dy master e tani ka fituar konkursin për doktoraturën në Të drejtë publike të krahasuar
Në historinë e Universitetit Aldo Moro të Barit, Alda Kushi, 28 vjeç nga Durrësi, është e para studente e huaj që zgjidhet në Senatin Akademik. Kushi është nga Durrësi, është diplomuar në Tiranë në universitetin e Zojës së Këshillit të Mirë, në Juridik me një tezë mbi sistemin zgjedhor shqiptar. “Sistemi zgjedhor dhe ai i Drejtësisë në Shqipëri mendoj se është një argument i ndërlikuar e nuk mund ta përmbledh me dy fjalë. – thotë për Shqiptariiitalise.com kur e pyesim se në ç’përfundime arriti me tezën e saj, por shton me bindje – Mendoj që problemet ekzistojnë dhe ka nevojë padyshim për një reformë e një dorë të fortë zbatimi”.
Në Bari ka mbërritur pesë vjet më parë për të ndjekur diplomën e specializimit e gjatë kësaj periudhe ka mbrojtur edhe dy master dhe ka fituar konkursin për doktoraturën në “Të drejtë publike të krahasuar” që akoma vazhdon. Pikërisht gjatë studimeve të doktoraturës është lidhur me shoqatën Adi (associazione dei dottorandi italiani).
Për dy vitet e ardhshme ajo do të jetë senatore e do të përfaqësojë kolegët e saj në organizmin më të lartë vendimmarrës të universitetit, por mbi të gjitha ajo dëshiron të jetë urë lidhëse mes doktorandëve (të rinjtë që mbrojnë doktoraturën) dhe Senatit. “Dua të informoj kolegët për gjithçka ndodh në Senat e të përcjell atje kërkesat e tyre” thotë ajo.
Shoqata Adi, që e ka kandiduar, prej disa muajve po kundërshton ligjin e stabilitietit sepse, sipas tyre, ai po penalizon edhe më shumë të rinjtë e sapodiplomuar e po rrit paqëndrueshmërinë e punës. E mungesa e fondeve, ka shkaktuar tashmë jo pak probleme: vetëm në Bari, për shembull, në tre vitet e fundit, vendet për një doktoraturë kanë shkuar nga 240 në vetëm 100. E shtrëngimet e vazhdueshme nuk premtojnë asgjë të mirë në këtë aspekt, përkundrazi rëndojnë një situatë gjithnjë e më të zymtë që detyron të rinjtë italianë të kthejnë sytë nga universitete të huaja.
Prej pesë vjetësh në Bari, ajo njeh tashmë jetën universitare edhe të studentëve shqiptarë në kryeqendrën e Puglies, për të cilët thotë: “Janë të integruar shumë mirë në shoqërinë italiane dhe në universitet” madje shton: “Kam marrëdhënie të mira me shoqata të ndryshme të studentëve shqiptarë e italinë, shkëmbejmë shpeshherë informacione përsa u përket aktiviteteve e problemeve të ndryshme që hasen”.
Megjithë suksesin akademik e rritjen profesionale në Bari, të ardhmen e saj Alda Kushi e sheh në Shqipëri: “Në fund të këtij rrugëtimi në universitetin e Barit, në projektet e mia të ardhshme është edhe kthimi në Shqipëri. Sa për punësimin, edhe atje kam shumë dëshirë që të vazhdoj të jem pjesë e qarqeve akademike”.