in

Aleanca kuqezi proteston në Romë kundër kryeministrit Berisha

Një grup aktivistësh të Aleancës Kuqezi kanë pritur me një pankartë të madhe ku shkruhej “Sali Berisha për tradhti, burgim të përjetshëm” hyrjen e delegacionit të kryeministrit shqiptar Sali Berisha në një nga vilat qeveritare ku ai po drekon bashkë me krerë të tjerë qeverish të ftuar të kryeministrit italian Monti.

Arsye e protestës është takimi i mundshëm i Berishës me Samaras-in: “Po i fal detin Grekut” thonë aktivistët.

Berisha është në Romë për të marrë pjesë në takimin e liderëve të Internacionales së Demokratëve të Qendrës, që zhvillohet sot. Në këtë takim, i cili drejtohet nga Presidenti i Internacionales së Demokratëve të Qendrës, Pier Ferdinando Casini, marrin pjesë liderë politikë nga vendet anëtare, ndër të cilët kryeministrat e Spanjës, Irlandës, Hungarisë dhe Greqisë.

Berisha e kryeministrat e tjerë janë ftuar për drekë nga kryeministri italian Monti në vilën Pamphili. E pikërisht para hyrjes së kësaj vile protestuan të rinjtë e Aleancës Kuqezi duke shpalosur disa pankarta, mes të cilave veç “Sali Berisha për tradhti, burgim të përjetshëm” edhe të tjera si “Albanian’s future is not 4 sale” apo “Jemi nipërit e Gjergjit. Ti ke zgjedhur rrugën e Hamzait, kujto që nuk shkoi larg!”.

Veç vëmendjes së Berishës që i përshëndeti me dorë nga makina, të rinjtë e Aleancës Kuqezi tërhoqën edhe vëmendjen e mediave të huaja e të kalimtarëve.

Shqiptari i Italisë

 

 

Sanatoria “Pa sqarime mbi dëshminë e pranisë do të jetë dështim i plotë”

1946. Dy vjet burg djalit të Ismail Qemalit për një armë antike të familjes