in

Aleat bën milionë euro fitime me pasaportat biometrike shqiptare

Koncesionet e dhëna nga qeveritë kompanive private po u kushtojnë shtrenjtë shqiptarëve. Kanë paguar mbi 170 milionë euro përgjatë pesë viteve të fundit për pasaportat biometrike dhe letërnjoftimet elektronike, dokumente që  po të prodhoheshin nga vetë shteti do të kushtonin shumë më pak

Romë, 17 dhjetor 2015 – Gazetari Gjergj Erebara i Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Investigative (BIRN) boton sot një shkrim mbi fitimet marramendëse të tetë kompanive që në fusha të ndryshme veprojnë në një regjim monopoli që u është siguruar falë koncesioneve që qeveritë e ndryshme shqiptare u kanë dhënë në vite. Bëhet fjalë për Aeroportin e Rinasit, kontrollin teknik të makinave, nxjerrjen e bakrit e deri te pullat fiskale e pasaportat.

“Koncesionet po u kushtojnë shqiptarëve dhjetëra milionë euro në vit, qoftë në formën e fitimeve monopolistike të krijuara nga këto koncesione, qoftë përmes tregjeve virtuale të krijuara… – shkruan mes të tjerash Erebara – Shqiptarët paguajnë aktualisht rreth 6 milionë euro për pulla fiskale që në një situatë tjetër do të kushtonin dhjetë herë më pak, kanë paguar mbi 170 milionë euro përgjatë pesë viteve të fundit për pasaporta dhe karta identiteti elektronike, të cilat, nëse do të prodhoheshin nga vetë shteti do të kushtonin shumë më pak, apo paguajnë miliona euro fitime ekstra për koncesionin e aeroportit”.

Pasaportat biometrike në veçanti, që, për periudhën e shkurtër që iu la qytetarëve për ta ndërruar të vjetrën me të renë (më 1 mars 2012 u nxorën jashtë qarkullimit pasaportat e vjetra, me vetëm dy muaj paralajmërim) dhe çmimin e kripur për aplikimet pranë konsullatave (çmim që u rrit me 20% nga 1 janari 2015), goditën rëndë veçanërisht shqiptarët jashtë Shqipërisë, siç kemi shkruar shpesh në Shqiptariiitalisë.com.

Ja çfarë shkruan Erebara për Aleat, kompaninë që ka në koncesion pikërisht prodhimin e pasaportave biometrike:

Aleat është një kompani e krijuar si pasojë e vendimit të qeverisë “Berisha” për të dhënë me koncesion procesin e prodhimit të kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike. Ajo u themelua në gusht 2008, fillimisht si një koncesion trevjeçar, i cili do të prodhonte pasaportat dhe kartat e identitetit për shqiptarët dhe pastaj do t’ia transferonte teknologjinë qeverisë shqiptare. Por me një veprim të papritur, pak para skadimit të koncesionit, qeveria vendosi ta zgjasë më tej atë. Kontrata e koncesionit është mbajtur gjatë të gjithë kohës e klasifikuar si “sekret”.

Gjithsesi, të ardhurat dhe fitimet e kompanisë koncesionare nuk janë të tilla. Përgjatë pesë viteve 2010-2015, të ardhurat e kompanisë kanë qenë 17,6 miliardë lekë (125 milionë euro), ndërsa fitimet e akumuluara gjatë kësaj periudhe kanë qenë 3.3 miliardë lekë (rreth 24 milionë euro). Kostoja e përgjithshme e koncesionit do të vijojë të rritet për shkak se kontrata koncesionare vijon dhe se kompania është favorizuar herë pas here nga vendime të qeverive në kurriz të konsumatorëve. Në vitin 2012, psh, Ministri i Brendshëm i asaj kohe, Bujar Nishani, vendosi papritur të anulojë vlefshmërinë e pasaportave të vjetra pavarësisht afatit të maturimit, duke detyruar disa dhjetëra mijëra shqiptarë të blejnë pasaportë të re te koncesionari.

Një dorë e mirë parash pritet të krijohen për këtë koncesion edhe këtë vit për shkak të vendimit të qeverisë aktuale për të detyruar të gjithë shqiptarët që patën marrë pasaporta për fëmijët me toponime të gabuara, të paguajnë kostot e pasaportave edhe një herë, pavarësisht se gabimi nuk qe i tyre por i administratës publike.

ALEAT është një kompani monopol, çmimet e shërbimeve të së cilës përcaktohen nga autoriteti kontraktor, por këto çmime mjaftojnë që kjo kompani të ketë normë fitimi mesatare prej gati 20 për qind për periudhën 2010-2015.

Shkrimin e plotë e gjeni në Reporter.al:
Fitimet marramendëse të koncesioneve dhe monopoleve

 

“No, please, no…”, identifikimi i dhimbshëm i refugjatëve VIDEO

Jetoj në Itali e më ka ardhur gruaja për pushime. A mund ta mbaj këtu?