Dy ndërmarrjet e mëdha të kontrolluara nga komuna e Romës janë përfshirë në skandalin e ri me emrin “Parentopoli”
Të afërm, të fejuara apo miq të politikanëve, drejtorëve apo sindikalistëve të marrë në punë në ndërmarrjet e kontrolluara nga Komuna e Romës. Është ky skandali i fundit, i njohur me emrin “Parentopoli”, që po godet administratën e qendrës së djathtë të kryebashkiakut Gianni Alemanno.
Vëmendja e mediave dhe hetimet janë përqendruar mbi gati dy mijë punësimet në ndërmarrjen e transportit publik Atac dhe në atë të mbledhjes se mbeturinave Ama duke filluar nga viti 2008, kur e djathta fitoi në kryeqytet. Punësime të drejtpërdrejta ose të bëra nëpërmjet agjencive, pa konkurse publike, por të paguara me fonde publike.
Ndër rastet që bënë bujë ai i një vajze kërcimtare në diskotekë, mikeshë e një politikani që është bërë sekretare apo djali e vajza i kreut të eskortës së Alemannos të marrë në punë në Atac dhe Ama.
Kryebashkiaku, për të cilin opozita kërkon dorëheqjen, flet për një skandal të zmadhuar për ta sulmuar politikisht. Ai thekson se punësimet e dyshimta janë vetëm disa dhjetëra dhe premton se përgjegjësit do të zbulohen dhe ndëshkohen.