in

Amazona Hajdaraj: “Dhuna, braktisja, emigrimi e çmenduria nuk mund të na lënë indiferentë”

Me tregimin e shkurtër “Cara Mamma”, Amazona Hajdaraj fiton Çmimin Special “Torino Film Festival” të edicionit X të konkursit letrar Lingua Madre. Për 40-vjeçaren nga Shkodra krijimtaria letrare është vetëm një prej dhjetëra impenjimeve që merr përsipër e bën më së miri, me vullnet të hekurt e shumë punë. Një shembull i shkëlqyer, jo vetëm për dy vajzat e saj

Është shqiptare një ndër fitueset e edicionit X të konkursit Lingua Madre, kushtuar shkrimtareve të reja nga e gjithë bota që shkruajnë në gjuhën italiane, çmimet e të cilit jepen gjatë ditëve të Sallonit ndërkombëtar të Librit në Torino që mbahet nga 14 deri në 18 maj. Amazona Hajdaraj Bashaj, 40vjeçare nga Shkodra, që jeton prej vitesh në Asti, me tregimin e saj Cara mamma, ka fituar Çmimin Special “Torino Film Festival”.

Cara mamma mund të jetë i papëlqyem për një pjesë të mashkujve shqiptarë, – thotë Amazona për Shqiptari i Italisë – por më vjen keq nëse ndihen të akuzuar. Kam prekur një realitet të asaj kohe, që ka lanë plagë edhe sot, dhe pse jo, aty ka pjesë të jetës familjare dhe sot. E jo vetëm të shqiptarëve por edhe italianëve. Me pak fjalë, në Cara Mamma trajtoj disa tema si braktisjen, emigrimin, trafikun, dhunën dhe çmendurinë. Mund të mendohet se e kam tepruar. Ju them vetëm jo. Ajo që kam shkruar është jetë. Jo e shumicës për fat të mirë, por është edhe ajo pjesë jete njerëzore që nuk duhet të na lërë indiferentë”.

Kur e keni shkruar këtë tregim? “Cara Mamma e kam shkruar italisht e përkthyer  shqip. Një pjesë shumë të vogël të kësaj proze  e kisha  shkruar një vit më parë për Krishtlindje. Më vjen natyrshëm të bëj urimet e festave ndryshe nga të tjerë në facebook. Jo me “Përshumvjet e gëzuar”,  por me diçka që shpreh dhimbjen e tjerëve. Sepse më pëlqen t’i kujtojmë vetes e  të tjerëve  që nuk jemi vetëm ne “të lumturit” e “të ngopurit” në këtë botë”. Në dhjetor të vitit të shkuar u kujtova se ishte konkursi i Lingua Madre. Plotësova pjesën që mendova se i mungonte tregimit Cara Mamma dhe e postova, dy ditë para datës të skadences në mos gaboj”.

Çfarë temash parapëlqeni e çfarë ju frymëzon të shkruani? “Mendoj se nuk kam tema të papëlqyeme, por më pëlqejnë temat e forta. Çdo gjë ndikon në krijmtarinë time. Më tërheq dhimbja, e njerëzve me të cilët më ka lidhur jeta apo e atyre që gjej përballë kur udhëtoj me tren. Terhiqem nga fizionomia,  nuk bashkëbisedoj me ta, vrojtoj dhe filloj të hyj në një botë që më duket e tyre por në të vërtetë është  imja”.

Amazona tregon se ka nisur të shkruajë vjersha kur ishte 9-10 vjeçe. “Babai ishte lexuesi dhe fansi im” kujton me ëmbëlsi. Ka vazhduar edhe në Itali,  por këto të fundit “ishin plot dhimbje” thotë. Ka botuar në vitin 2001 një libër të vogël me poezi (“Nuk ka asnjë vlerë poetike. Janë thjesht vjersha” pohon vetë) që titullohet “Skllav i mërgimit”. Dhe sqaron “skllav i mërgimit nuk ka edhe aq kuptimin e keqtrajtimit në vend të huaj, sa ka kuptimin e skllavërizmit në të gjitha kontekstet dmth që jemi ne që bëhemi skllevër të vetes dhe të mjedisit ku jetojmë”. Ka botuar edhe katër poezi në dy vëllimet e “Poezia Art i fjalës Shkodrane”, iniciativë e Vasil Markut. Vjet ka marrë pjesë në një konkurs online të Shkodrës me temën Pranvera në të cilin mori çmimin e tretë.

Sot shkruan poezi e prozë. “Prozat e shkurtra më vijnë ma mirë” pohon Amazona. “Drejtpërdrejt në italisht kam shkruar tregime për fëmijë. Madje njërin prej tyre, “Fiori va a vivere in Albania”, po e vazhdoj me pjesë.  Këto shkrime janë botuar online te Albania News. “Deri në fund të muajit besoj do publikohet libri im i vogël modest me përmbledhjen e këtyre pak prozave shqip-italisht (italisht të perkthyera nga një mike ime e  mirë, Ina Muhameti, mbasi nuk gjej kohë t’i përkthej vetë). Libri më duket një kurorëzim i bukur për dyzetvjetorin tim në qershor”.

Ndërsa flet me Amazonën kupton se është një person shumë pozitiv, me vullnet e me dëshirë për të ecur përpara, që nuk mposhtet lehtë nga vështirësitë e që sheh jetën me optimizëm; që të shkruarit është vetëm një nga dhjetëra gjërat që merr përsipër të bëjë dhe i bën më së miri.

Amazona ka ardhur në Itali në vitin 1992, në moshën 17vjeçare, për t’u martuar me djalin që kish njohur në qytetin e lindjes e që kish emigruar një vit para saj. Së bashku kanë sot dy vajza.

Vështirësitë e para? “Sa të duash si për të gjithë emigrantët shqiptarë e veçanërisht në vitet ’90. Por nuk dua t’i kujtoj më. Sot kthej kokën pas vetëm për t’u ndier e lumtur për rrugën që kam bërë”.

Në Shkodër, Amazona la përgjysmë edhe shkollën e mesme, por në Itali, edhe pse bëhet menjëherë nënë e gjithsesi i duhet të punojë, nuk lë pas dore studimin. Mbaron natën të mesmen, më pas një kurs specializimi e tani ndjek universitetin në Torino. Ndërkaq nga viti 2008 punon në një studio profesionistësh. “Nuk mund t’i lejoja vetes mosmbarimin e shkollës  së mesme në Shkodër, ishte sikur të kisha një pjesë të trupit të cunguar. Kisha etje me ditë, me mësu, me jetu dhe vazhdoj të kem. Nuk mund të kërkojmë nga askush as gjënë më të vogël po qe se nuk nisemi  nga vetja.  Detyra e  çdo njeriu nuk është të predikojë, por të veprojë e të japë shembullin e vet” thotë ajo e shton me çiltërsi: “Shpesh pyesja veten çfarë shembulli do të isha për time bijë? Një nënë që i dorëzohet fatit?”.

Është interesant kalimi që iu desh të bënte nga pedagogjikja që la në Shkodër në një shkollë kontabiliteti në Asti: “U informova për një shkollë ku të mbaroja studimet. Më pëlqente diçka që të kishte të bënte me ambientin social. – tregon ajo – U regjistrova fillimisht  në një shkollë private në degën “Drejtues të komunitetit”, dhashë provimet e dy viteve në një. Nuk më pëlqeu, mu duk shkollë që jepte diplomën lehtë sepse ishte me pagesë. Kështu u informova për të gjetur një shkollë nate që të mos lija as punën. E vetmja në Asti ishte  për ragionieri, 5 vjet.  U regjistrova edhe pse nuk  mund ta mendoja  aspak veten në një zyrë me letra. Por më pas, gjithmonë duke punuar mbarova një vit kualifikim në teknikë sipërmarrjeje. Tani vazhdoj vitin e dytë të universitetit, në Shkenca politike të administrimit”.

Ndërkohë kishit dy vajza të vogla… “Kur nisa të mesmen isha  25 vjeçe, vajza e madhe ishte 9, (shpesh herë e merrja me vete në shkollë ajo mbaronte në 16.30 unë e filloja në 19 deri në 23 ) ndërsa e dyta lindi kur unë isha në vit të katërt. Praktikisht edhe të dytën e merrja me vete në vit të tretë, e kisha në bark” tregon me buzë në gaz pa harruar të falënderojë nënën e saj e motrën që e kanë ndihmuar me vajzat. Veç tyre i pëlqen të përmendë edhe dy njerëz të rëndësishëm për të: “baba Zef Hajdaraj (Vata) i cili është figura më e rëndësishme për formimin tim si njeri. Dhe poeti, shkrimtari Daniel Gazulli i cili nuk është mes nesh që me 12 nandor të vitit 2012.  Danieli ishte udhëheqësi im shpirtnor, miku im më i shtrenjtë, dhe redaktori im i gjashtë prozave të para shqip dhe disa poezive”.

Për gjithçka ka bërë deri më sot, me shumë modesti, Amazona thotë: “Ia kam dalë mbanë si mjaft të tjerë që duan me ia dalë. Në italisht ka një fjalë të urtë që thotë: “volere è potere”. Mendohet pak e shton: “Kam dy Amazona brenda vetes që flasin e luftojnë me njena-tjetrën. Ajo më e dobëta shikohet në një pasqyrë xhami nganjëherë kur ndihet pak e lodhun, e i thotë tjetrës; “Mjaft ku don të shkosh? Ke plot të mira përreth, punën, familjen, shëndetin”. Tjetra e cila pasqyrohet  në atë të shpirtit, nxjerr forcën nga brenda e thotë: “Unë po jetoj, nuk po bëj asgjë që të tjerë para meje nuk kanë bërë e nuk kanë arritur. Po u ndala ka për të me ardhë  vdekja shpejt, kështu mendoj shpesh. Sepse më tremb ma shumë vdekja e shpirtit se ajo e trupit”.

A keni ndonjë projekt të ri? “Nuk mund të them se kam. Unë punoj, studioj, lexoj aq sa mundem, bëj gjëra që më pëlqen të bëj  dhe çdogjë vjen vetë. Piqet vetë dhe realizohet në atë moment pa ndonje mund të madh sa habitem nganjëherë e harroj që ajo që u realizua është vërtet puna dhe mundi i shumë viteve por që nuk e kisha menduar si projekt, mund të them si dëshirë”.

Keti Bicoku 

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Qendra e Kulturës Shqiptare risjell Shqipërinë në Sallonin e Librit në Torino

Zjarr në tragetin e linjës Bari-Durrës