in

Ambasadori Gaiani: ATSh edhe në gjuhën italiane

Drejtori i Agjencisë telegrafike të lajmeve, Gëzim Podgorica, ka takuar ambasadorin Italian, Massimo Gaiani. Duke folur për komunitetin shqiptar në Itali dhe sipërmarrësit italianë në Shqipëri, ambasadori ka kërkuar hapjen e një seksioni të ATSh-së edhe në gjuhën italiane

Tiranë, 31 janar 2014 – Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Massimo Gaiani, priti në një takim, Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Telegrafike Shqiptare, Gëzim Podgorica, gjatë të cilit u diskutua për rolin që ka media dhe veçanërisht një agjenci publike si ATSh për të përçuar një informacion profesional dhe të pavarur mbi zhvillimet në vend, por edhe në forcimin e marrëdhënieve mes Italisë dhe Shqipërisë.

Ambasadori italian në Tiranë, Massimo Gaiani, ka theksuar rolin e madh që kanë marrëdhëniet mes vendeve dhe popujve, duke nënvizuar rolin e rëndësishëm që ka komuniteti shqiptar që jeton në Itali, i cili është integruar dhe ka jep një kontribut të rëndësishëm. Ambasadori Gaiani theksoi se komuniteti shqiptar në Itali që arrin në rreth 500 mijë vetë ka nevojë për informacion serioz dhe të pavarur nga Shqipëria, gjë që mund ta bëjë Agjencia telegrafike Shqiptare.

Nga ana tjetër Gaiani ka vlerësuar informimin sa më të gjerë mbi rolin e sipërmarrësve italianë në Shqipëri, të cilët janë një faktor i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik të Shqipërisë dhe ndikojnë në forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve. Për këto arsye, ambasadori ka propozuar hapjen në Agjencisë Telegrafike Shqiptare të një seksioni në gjuhën italiane.

Drejtori i Agjencisë Telegrafike Shqiptare, Gëzim Podgorica, theksoi nevojën e rritjes së një bashkëpunimi më të frytshëm të agjencisë me ambasadën për promovimin e të gjitha projekteve qeveritare italiane në Shqipëri në fusha të ndryshme, si punësimi, arsimi, mësimi i gjuhës italiane apo edhe aktivitetet e Institutit Italian të Kulturës. ATSh dhe ambasada italiane mund të bashkëpunojnë edhe në promovimin e biznesit italian dhe në pasqyrimin e realitetit ekonomik apo social që këta sipërmarrës sjellin në vendin tonë. Ndërsa me Institutin Italian të Kulturës, falë edhe arkivit të pasur të ATSh-së, mund të zhvillohen ekspozita të ndryshme fotografike.

Gjatë takimit është diskutuar për rolin që duhet të ketë media në tërësi dhe ajo publike në veçanti për pasqyrimin sa më real dhe të balancuar të zhvillimeve në vend, duke i shërbyer sa më mirë qytetarëve dhe për të ecuar në rrugën e integrimit europian të Shqipërisë. (Sipas ATSh-së)

Cittadinanza in vendita a Malta: “650 mila euro, ma anche un anno di residenza”

Kallëzim penal për ish konsullen në Milano, Spahia: Ka përfituar në kurriz të emigrantëve