in

Ambasadori Sequi mbështet nismat në ndihmë të zonave veriore

Konad ndërmerr nismën “Një kilogram për emergjencën”, operatori e telefonisë celulare PLUS dhuron ushqime e karta me bisedë falas. Sequi: “Edhe me gjëra të vogla tregohet solidaritet. Po të arrijmë t’i sjellim buzëqeshjen një familjeje me fëmijë të vegjël sot në këtë kohë emergjence është diçka që ia vlen”

Tiranë, 19 shkurt 2012 – Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian, Ettore Sequi, i bashkohet nismës “Një kilogram për emergjencën” të ndërmarrë nga rrjeti i “Conad” për të dhuruar pako simbolike me ushqime për banorët e krahinave të bllokuara si pasojë e motit të keq.

Në një prononcim për mediat të dielën në mesditë, ambasadori Sequi u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të tregohen solidarë me  banorët e izoluar nga dëbora në veri dhe verilindje të vendit. Ndërsa i është bashkuar nismës “Një kilogram për emergjencën”, duke dhënë ndihma për banorët e izoluar, ambasadori Sequi ka theksuar se me këtë gjest modest ka dashur të tregojë solidaritet me banorët që vuajnë nga kushtet e vështira të motit. “BE po ndërmerr nisma të ndryshme, por edhe në gjërat e thjeshta është e rëndësishme të tregohet solidaritet. Sikur të bëjmë një familje me fëmijë të vegjël të buzëqeshë sot, në këtë kohë emergjence, është diçka që ia vlen të bëhet”, u shpreh Sequi.

Sipas tij, kjo iniciativë është shumë e rëndësishme për të treguar vlerën e solidaritetit. “Në ditët të vijim kam planifikuar të vizitoj disa prej zonave, mendoj të bëj diçka të vogël, por të mirë”,  theksoi ai.

Edhe kompania shqiptare e telefonisë së lëvizshme “PLUS Communication”, po mbështet me ndihma ushqimore si dhe me karta telefoni me kohë bisede falas, banorët që gjenden prej disa ditësh, të bllokuar nga bora e dëndur në zonat veriore të vendit.

Kjo kompani ka vendosur të shpërndajë 1000 karta SIM PLUS me kohë bisede falas për përdorim nga ana e banorëve të bllokuar nga dëbora. Burime nga PLUS bëjnë të ditur se kësaj nisme i janë solidarizuar edhe punonjësit e operatorit celular PLUS, që gjithashtu kanë kontribuar vullnetarisht në këtë donacion.

Lexo edhe:

 

Murebest, biznesi i nisur me një dhomë gjumi të sjellë nga Italia

Rrënojat e Kukësit të vjetër mbi akullin e liqenit