in

Amelio: “Emigranti na sjell diçka duke ia hequr vetes”

Në numrin e ri të revistës Vanity Fair, ka një shkrim të regjisorit italian Gianni Amelios, i njohur nga shqiptarët për filmin Lamerica ku tregoi përmes dramës shqiptare edhe emigrimin italian. Në shkrimin e tij të fundit në Vanity Fair, shumëkush gjen veten. Ju sjellim këtu përkthimin e shkrimit, në origjinal mund të lexoni në numrin 50 të Vanity Fair.

Emigranti  na sjell diçka duke ia hequr vetes

Mendoj se emigracioni është tërmet, një tërmet i padukshëm sepse zhvendos njerëz dhe nuk shkatërron shtëpitë. Shtëpitë e rrënuara shihen, janë në sytë e të gjithëve: personat që zhduken nga njëri vend për t’u zhvendosur në një tjetër, duket sikur janë nisur për një udhëtim. Tërmeti, ai i vërteti, ndodh në vendin nga ku këta persona largohen : është ai vendi që pëson traumën. Ndërsa vendi ku këta emigrantë mbërrijnë, pasurohet me një tjetër njerëzim.

Mendimi im, ndjenja ime për emigrantin, është se ai sjell një dhuratë për dikë tjetër, por heq diçka nga vetvetja.

E mendoj dhe e them, sepse kam jetuar të njëjtën përvojë, kam qenë edhe unë në qendër të një tërmeti. Tek familja ime ka lënë gjurmë nisja e gjyshit tim për në Argjentinë, e më vonë nga ajo e tim ati dhe e vëllait të tij. Gjyshi im nuk u kthye më, nuk dha më kurrë lajme, prandaj im atë me të vëllanë shkuan ta kërkojnë. Im atë qëndroi në Argjentinë për 16 vjet, duke punuar ku t’i qëllonte dita e duke na shkruar herë pas here të njëjtën letër. Në atë kohë Kalabria ishte një tokë vejushash të bardha dhe burrash të zhdukur.

Nga fundi i viteve pesëdhjetë tek ne u hap një front i ri: emigrimi i brendshëm nga Jugu në Veri, nga Sicilia në Torino a Milano ose drejt Gjermanisë dhe Zvicrës. Ky qe një tërmet më pak i dhunshëm, një lëkundje rregulluese që bëri mirë.

Ndërsa emigracioni i viteve tona i ngjan atij që kam jetuar unë, që ka prekur im atë. Sot tek ne mbërrijnë njerëz që flasin një gjuhë tjetër, që kanë lëkurë me ngjyrë tjetër, por që na ngjajnë.

Teksa xhiroja Lamerica, në vitin 1994, kisha një ndjesi të vetme: që shqiptarët ishim ne, që ajo ishte dhe historia jonë.

Në film ka një personazh, një plak që nuk i ka më mendtë në kokë, i cili nuk beson se ndodhet në Shqipërinë post-komuniste, por në Italinë e pasluftës. Ndërsa shqiptarët vrapojnë me mijëra drejt portit, ai i ndjek, i veshur me një uniformë të vjetër ushtarake. E kur hipën në anije, është i bindur se po shkon në New York.

Emigrimet i ngjajnë të gjithë njëri-tjetrit, janë plagë dhe pasuri. Pasuri për ata që presin “të huajt”, plagë për vendin që detyron pjesën e tij më të mirë të shkulë rrënjët e veta. Vendi që largon është një vend i sëmurë. Vendi që di të presë, është një vend që do të ketë ndonjë burim më shumë.

Askush nuk ka gati zgjidhjen e problemeve që sjell emigracioni masiv: zgjidhjet nuk janë gjithnjë aq të afërta sa mjaft të zgjasësh dorën. Por frikëson indiferenca, këmbëngulja për të injoruar të tjerët nëse preken interesat tona, dëshirë për të mos parë, për të kthyer shpinën. Kështu jemi të gjithë të mundur.

Gianni Amelio
Vanity fair
Nr. 50 – 22 dhjetor

Kledi Kadiu në Koncertin e Vitit të Ri në La Fenice

Shqipëria ndër vendet më të këshilluara për turizëm nga CNN