in

Amnistia fiskale në interes të qytetarëve

Kryeministri Berisha informon mbi kategoritë që do të përfitojnë nga amnistia fiskale, duke theksuar që prej saj do të përfitojnë vetëm qytetarët dhe biznesi

Tiranë, 23 mars 2011 – Në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Berisha ka sqaruar se “ligji për amnistinë fiskale u jep mundësinë qytetarëve të legalizojnë paratë e tyre me një taksë prej 3%”, ndërsa theksoi se”legalizimi i pasurive të paluajtshme do të bëhet  i mundur vetëm kundrejt një takse prej 1 për qind”.

Berisha bëri të ditur se “me ligjin e amnistisë falen të gjitha taksat, tatimet, gjobat dhe interesat e qytetarëve të papaguara deri në datën 31 dhjetor 2010”, dhe se prej këtij ligji do të përfitojnë të gjitha bizneset e vogla të paregjistruara, të cilat do regjistrohen duke paguar tarifën prej 3%.

Sipas kryeministrit do të falen sigurimet shoqërore për të punësuarit dhe të vetëpunësurarit, si dhe gjobat e vendosura para datës 31 dhjetor 2010. Gjithashtu do të falen kompanitë me bilance jo të përshtatshme, të cilave u jepet mundësia të bëjnë paraqitjen e plotë të pasurive të tyre në bilance kundrejt një tarife 6%.

Kryeministri informoi se do krijohet njësia e vetëdeklarimeve të të gjitha pasurive për biznesin.

Duke e konsideruar këtë amnisti, “një vendim plotësisht të moralshëm, të argumentuar dhe të drejtë”, Berisha u bëri thirrje të gjitha kategorive përfituese që të shfrytëzojnë harkun kohor deri në 31 dhjetor 2011, si afati, brenda të cilit ata do kenë mundësi që të përfitojnë nga çdo lloj detyrimi që amnistohet nga ky ligj.

Kreu i Qeverisë theksoi se “përfituesi kryesor i amnistisë fiskale do të jetë biznesi që është gjeneratori kryesor i mirëqenies, punësimit dhe zhvillimit të vendit”.

“Ftoj opozitën të votojë ligjin si një dëshmi e vullnetit për të shfrytëzuar pushtetin që ka në interesin më të mirë të vendit”, tha Berisha, duke i bërë thirrje opozitës që në rast se ka vërejtje dhe sugjerime të amendojë këtë ligj. Duke e cilësuar “të vonuar ndërmarrjen e amnistisë fiskale”, Berisha tha se “opozita nuk ka as edhe një shkak apo arsye që të mos e votojë këtë ligj”.”Në të kundërt do të aplikohet me faljen”, tha Berisha, edhe pse pranoi se falja nuk mund të ketë spektrin e amnistisë fiskale.

Lexo edhe:
Konfindustria: “Amnistia fiskale të nisë nga emigrantët”

Arrestohet në Ventimiglia i kërkuari në Shqipëri

Ministria e Jashtme mbështet Aurela Gaçen në Eurovizion