“Merr hak” balerina shqiptare, e cila triumfon në garën e talenteve të “Amici” duke fituar kupën si artistja më e mira e të gjitha edicioneve. Në edicionin ku kish qenë konkuruese kishte dalë e dyta por tashmë është i vetmi personazh i dalë nga Amici që ka arritur majat e profesionializmit dhe suksesit
Pas tri orëve spektakël të nivelit të lartë mes 12 të rinjsh, shumë prej të cilëve talente të mirëfillta, mbrëmja televizive e Canale5 e 15 qershorit, e titulluar “Sfida e Talenteve”, kurorëzohet me shpalljen fituese të Anbeta Toromanit.
Pjesëmarrësit janë gjashtë këngëtarë e gjashtë balerinë pjesëmarrës në edicione të ndryshme të shkollës-spektakël “Amici”, ndërsa juria që vlerësoi paraqitjen e tyre përbëhej nga ekspertë të muzikës e baletit, dhe gazetarë.
Pas disa sfidave dyshe, në finale arrijnë Anbeta dhe Karima (fituese e vendit të tretë në edicionin e gjashtë të “Amici-t”). Garën e fiton Anbeta bashkë me 50 mijë eurot që i takojnë fitimtarit të spektaklit.
Toromani, balerinë klasike, u bë menjëherë e njohur për publikun e gjerë italian pas konkurrimit në edicionin e dytë të “Amici”, ku u rendit e dyta. Spikati menjëherë mbi të gjithë të tjerët për zotësinë dhe talentin e saj të jashtëzakonshëm. Në fakt, Anbeta deri në çastin kur erdhi në Itali për të konkurruar në “Amici”, ishte balerinë e parë e Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë. Pas konkurrimit ajo u mbajt nga “Amici” ku edhe sot është pjesë e trupës së profesionistëve të spektaklit. Mes arritjeve të ndryshme të Anbetës gjatë këtyre viteve në Itali, përveç spektakleve televizive të Maria De Filippit, mund të përmendim çmimin Gino Tani (2004) për artet e spektaklit dhe çmimin Danza&Danza (2005), pjesëmarrja në operën Makbethi i Giuseppe Verdit, në rolin e perëndeshës së shtrigave.
Mes pjesëmarrësve në spektaklin “Sfida e Talenteve” ishte edhe Leon Cino, fitues i edicionit të tretë të “Amici-t”. Bashkë me Anbetën e Kledin, edhe ai është një nga fytyrat e njohura të spektakleve televizive të De Filippit dhe ka marrë pjesë në musical-at “Footloose” dhe “Io ballo”.