in

Anilda Ibrahimi: “Italisht, por me temë shqiptare”

Pas  romanit befasues “Rosso come una sposa” shkrimtarja shqiptare me banim në Romë penë italiane i kthehet lexuesit me “l’Amore e gli stracci del tempo”. Botuar sërish nga Einaudi, edhe pse i shkruar drejtpërdrejt në italisht, është sërish një temë  dashurie dhe dhimbjeje që vjen nga Ballkani

Shqiptari i Italisë:  Mëse një vit më parë doli romani “Rosso come una sposa” ambientuar në një krahinë të Jugut shqiptar. Në këtë të dytin ke kaluar nga Shqipëria në Kosovë, duke trajtuar plagën e fundit të Ballkanit përmes dy të rinjve e familjeve të tyre… Përse kjo zgjedhje?

anilda.gifAnilda Ibrahimi: Kur doli romani im i parë shpesh shtypi italian më bënte pyetjen: Kur një libër i ambientuar në Itali? Dhe unë përgjigjesha se kam akoma shumë tema që i perkasin Ballkanit, kështu që mund të flasim pas disa vitesh… Në fakt Ballkani për mua është histori, ngjarje, folklor, baladë, dhimbje, plagë  e  pasion, nga ato pasionet që të lënë pa frymë. Gjatë shkrimit të këtij libri kam vuajtur me të vërtetë, shpeshherë në përditshmërinë time thërrisja familjarët e mi me emrat e personazheve të librit. Kam ecur mbi një fill tejet të brishtë, e bindur që për mua kjo mënyrë të treguari ishte e vetmja. Nuk më pëlqejnë librat me personazhë  të këqij, personazhet e mi janë persona që gjenden në mes të Historisë, që nuk kanë  zgjedhur të jetojnë dramat e kohës, por koha ka zgjedhur për ta. Doja të tregoja dramën e Kosovës, por jo duke vënë në qendër serbët dhe retorikën e luftës. Kam vënë në qendër dy të rinj të cilëve lufta u ndryshon fatin dhe koha e pamëshirshme siç di të jetë vetëm ajo, u copëton ëndrrën që i mbajti në jetë, dashurinë e tyre.

Në libër bën pershtypje harku kohor që ndjek fatin e këtyre dy familjeve. Je nisur nga Jugosllavia e Titos për të mbërritur në ditët tona. Edhe në librin e parë, bën përshtypje sfondi historik që ti u jep ngjarjeve që tregon.

Historia është shumë e rëndësishme për mua. Më intereson pa masë, ndërthurja e ekzistencës sonë me historinë, me “H” të madhe. Ne gjendemi në mes të saj pa e kuptuar dhe në distancë e marrim vesh sa ka ndikuar ajo në jetën tonë. Më pëlqen toni prej ngjarjeje të vërtetë që marrin ngjarjet që tregoj, ato janë fryt i fantazisë sime por gjithsesi lexuesit orientohen më mirë duke imagjinuar çfarë ndodhte realisht në atë moment. Në hapësirën e kohës që  përqafon libri im, jam  përpjekur të tregoj ndryshimet në Ballkan, diçka vdes në thellësi të këtij gadishulli që gjithmonë është në qendër të lëvizjeve të mëdha historike. Është një vdekje që konsumohet edhe në miqësinë e vërtetë të Besorit dhe Miloshit, në dashurinë e fëmijëve të tyre Ajkuna e Zlatan, në vërshimin e fateve  të humbura drejt Europës në  periudhën post-titoiste dhe në rikrijimin e vendeve, kufijve, familjeve… Me pak fjalë mund të them që  në këtë libër historia nuk është më e fortë se dashuria, por që të dyja janë më të pafuqishme se koha…  (la storia non è più forte dell’amore, ma entrambi sono più deboli del tempo).

Ka ndonjë ngjarje të vërtetë, konkrete, që të ka shtyrë të shkruash këtë roman?

Në vitin 1999 gjatë luftës në Kosovë, unë punoja në Këshillin Italian për refugjatët. Kam asistuar mbërritjen e  refugjatëve në Comiso (Sicilia), kam dëgjuar historitë e tyre dhe kam ndjekur rrugën  e integrimit të disave apo të ikjes nga Italia për t’iu bashkuar të afërmve në Gjermani apo Zvicër të të tjerëve. Kam dëgjuar aq shumë nga jeta e tyre që në një moment e kuptova që duhet të gjeja mënyrën për t’i treguar ato, për t’i bërë të njohura për publikun. Nuk është vetëm akt bujarie nga ana ime por edhe detyrë, sepse  shkrimtarët dhe artistët duhet  t’u kthejnë njerëzve atë që marrin prej tyre. Shpëshherë në zyrën time në Romë më ka qëlluar të dëgjoja edhe historitë e djemve apo familjeve serbe të ikur edhe ata nga lufta, persona të dëshpëruar që s’kishin asgjë të përbashkët me politikën e Milosheviçit. Në ato momente pyesja veten nëse isha në gjendje të kapërceja ndjenjën time nacionaliste dhe t’i trajtoja siç trajtoja të tjerët. Të njëjtën gjë vendosa të bëj kur shkrova këtë libër.

Përsëri italisht, ashtu si libri i parë. Mos vallë shqipja nuk është më gjuha jote e ndjenjave, apo siç thuhet ndryshe, ke filluar të ëndërrosh në italisht?

Edhe librat e ardhshëm do të jenë në gjuhën italiane. Le të lëmë ndjenjat mënjanë dhe të bëjmë një diskutim logjik: a ka nevojë të shkruaj unë në shqip për të rrëfyer Shqipërinë e sotme? Ajo ka shkrimtarët e vet që ndjekin përditshmërisht zhvillimin e saj, shoqëror, kulturor dhe politik, unë kam 15 vjet që kam ikur ç’mund të them për të? Gjuha letrare zhvillohet, kuptime të reja hyjnë në të, unë ç’mund të di? Kthehem rrallë, bëj pjesë në kategorinë e familjeve të përziera  dhe detyrimisht respektojmë zgjedhjet e të gjithë pjesëtarëve të familjes, por në ato 15 ditë që kthehem unë,  sinqerisht nuk jam në gjendje të thith të rejat dhe të karikohem aq sa më mjafton për të shkruar romanet e mia. Më ka qëlluar rasti të lexoj një gazetë shqiptare on line, që imponon italishten si gjuhë komunikimi dhe ku pjesëmarrësit më fyejnë me fjalë vërtet të rënda për zgjedhjen e italishtes si gjuhe letrare. Paradokse shqiptare? Me këtë rast u them të gjithë lexuesve të mi, që nuk ka asnjë akt tradhtie nga ana ime drejt gjuhës mëmë. Zgjedhjen time e shoh si përulje të një personi të ndërgjegjshëm që e do gjuhën e vet në atë farë menyre sa të hiqet mënjanë duke thëne: une s’jam në gjendje, ka të tjerë që e bëjnë më mirë se unë, Shqipëria ecën përpara edhe pa mua! Nuk jemi të pazëvendësueshëm… Pastaj ky fenomen është shumë i përhapur në të gjithë perëndimin. Francia ka Milan Kunderën, Zvicra Agotta Krisof, Anglia Zadie Smith e Hanif Kuneishi. Emblematik është rasti i fitores së Nobelit të këtij viti nga Herta Mueller, ex-cittadina romena. “Atdheu është çka flitet” deklaroi në momentet e para të fitores. Atiq Rahimi, afgano që shkruan në frëngjisht, me librin “Guri i durimit” fitoi çmimin  më prestigjioz në Francë për vitin 2008, Concourt. Pra është një fenomen global nga ku nuk mund të përjashtohemi ne shqiptarët.

lamoreeglistraccideltempo.gifSa e përdor shqipen në jetën e përditshme? A ndjek televizionin, shtypin shqiptar?

Gjuhën shqipe në përditshmërinë time e përdor pak, fare pak. Në fillim u përpoqa t’i mësoja shqip tim shoqi, por hoqa dorë. Italianet për gjuhë të huaja nuk janë shumë të prirë! Ai thotë që nxënësit e paaftë janë sinonim i paaftësisë së mësuesit e ndofta ka të drejtë… Me fëmijët më ndryshe. Me vajzën flas, por më përgjigjet italisht. Këtë e vërej edhe në familje të tjera shqiptare, brezi i dytë i lindur në këtë vend, italishten e konsideron në njëfarë mënyre si gjuhën e nënës, dhe shqipja bëhet si gjuhë e huaj që ia vlen të mësohet. Shtypin shqiptar e ndjek nëpërmjet internetit, ndjek edhe Botën shqiptare sepse më jep masën e integrimit të komunitetit shqiptar si dhe problematikat që kanë të bëjnë me të. Kanalet televizive shqiptare nuk e ndjek, sepse nuk ndjek televizionin në përgjithësi, përveç emisioneve të veçanta në kanale si BBC apo National geographic. Televizioni i sotëm është pasqyrimi i të keqes që ka goditur shoqërinë. Në të gjitha konferencat e mia u bëj thirrje të rinjve të marrin distancat nga programet e tronistëve të Maria de Filipit e të tjera programe si ky. Jeta reale është tjetër gjë, Italia e sotme është e mbushur me probleme dhe sikur ka humbur nga sytë edukimin e të rinjve që u ka mbetur të edukohen nga televizioni komercial. Nuk e kam idenë sa është goditur televizioni shqiptar nga ky fenomen, uroj me gjithë zemër që të mos ketë marrë dhe imituar  të këqijat e perëndimit.

A është botuar ndonjë libër i yti në Shqipëri, i përkthyer në gjuhën shqipe?

Deri tani, as libri im i parë nuk është botuar në Shqipëri. Einaudi është kontaktuar nga  shtëpi botuese të ndryshme por nuk kam pranuar unë dhe ata kanë respektuar dëshirën time. Mënyra e të treguarit tim nuk i përshtatet gjendjes shpirtërore që populli shqiptar kalon në këto momente. Tonet e mia nuk janë retorike, nuk kanë për qëllim hakmarrjen në largësi të mërive të vjetra politike, unë rrëfej thjesht për kënaqësinë e rrëfimit.

Kam lexuar komente nga lexues shqiptarë ku thonë se bëj apologjinë e komunizmit, apo se kam dëshirë të rehabilitoj vitet e diktaturës. Unë kam treguar diktaturën në atë masë që ajo ka kushtëzuar jetën time, në atë masë që ishte  pasqyruar në përditshmërinë time. Personalisht, e dënoj komunizmin siç dënoj çdo lloj diktature në botë, por kjo nuk më pengon të them që diktatura tek ne kishte mbështetjen dhe admirimin e gati një populli të tërë. Për t’u kthyer tek pyetja, mund të them që  publiku shqiptar nuk mund të marrë distancat kaq shpejt nga e kaluara e tij dhe të shohë me gjakftohtësi periudhën diktatoriale. Kështu që tonet e mia të qeta janë pa vend në atë kontekst.

anilda3.gifSi ka shkuar libri i parë?

“Rosso come una sposa” ka shkuar jashtëzakonisht mirë. Këto ditë bashkë me librin e ri, i pari u ribotua në versionin Tascabile – Einaudi. Ka qenë një nga librat më të shitur për vitin 2008 dhe është përkthyer në shumë vende si: Gjermani, Finlandia, Polonia, Israele, etj.

Me librin e parë kam fituar gjithashtu shumë çmime letrare si: Edoardo Khilgren – Città di Milano; Corrado alvaro, Città di Penne, Giuseppe Antonio Arena dhe së fundmi këto ditë La Magna Capitana.  Jam pamasë e kënaqur dhe përfitoj të përshëndes nga faqet e gazetës ata që më kanq lexuar dhe shpesh dërguar letra të mrekullueshme mbushur me afekt ku më thonë se gjejnë veten në personazhet  e mi. Mendoj që ky është çmimi më i madh për një shkrimtar.

Projekte të ardhshme? Mos duhet të presim ndonjë roman të ri për vitin e ardhshëm?

Po shkruaj librin e tretë, që mbyll trilogjinë. Edhe pse trajtoj tema të ndryshme, bashkë me dy të parët, dhe ky që po shkruaj, janë pjesë e një trilogjie. Isha nisur nga vitet ‘900,  nga shoqëria arkaike dhe e mbyllur e një krahine shqiptare duke shoqëruar mbërritjen e saj në modernitet. Në librin e dytë trajtoj shpërbërjen  e Ballkanit, pra fundin e shoqërive të bazuara në koncepte etnike dhe daljen në një botë europeiste. Personazhet e “L’amore e gli stracci del tempo” përfaqësojnë paradigmën e çrrënjosjes totale, atje ku ky koncept nuk vesh vetëm një karakter kultural, por  na çon sërish në fushën e larmishme dhe të gjerë të problematikave migrante ku merr ngjyrime që janë më të prekshme e më të thella. Libri i tretë është nga ana e fëmijëve, brezi i fundit i lindur tjetërkund, në njëfarë mënyre kthimi – jo fizik – në origjinën e tij, ndërgjegjësimi. Kaq nuk mund të them më tepër.

Shqiptari i Italisë, nëntor 2009

Lexo edhe: Anilda që rrëfen plagën tonë

Ibrahimi: “Gjatë ikjes shpërbëhet edhe identiteti, por mbeten kujtimet”

 

Genti Tavanxhiu

Olen Cesari: “Të nxisim kulturën tonë”