Flamuri kuqezi me shqiponjën dy krenare po valëvitet në të katër anët e Shqipërisë që sot feston 100 Vjetorin e Pavarësisë në një klimë politike të nxehtë. Kryeministri i djathtë Sali Berisha prej ditësh ka bërë thirrje për unifikim etnik-kombëtar të të gjithë shqiptarëve që jetojnë në shtete të ndryshme në Ballkan duke ndihmuar kështu rigjallërimin e shpirtit të fortë nacionalist që është refuzuar nga opozita shqiptare.
Edhe dje në mbrëmje gjatë ceremonisë në Tiranë për përurimin e bustit të Adem Jasharit, simbol i rezistencës së shqiptarëve të Kosovës, Berisha ka pohuar se, “të gjithë ne përfqësues nga trojet etnike shqiptare, angazhohemi për të bërë realitet idealin për të cilin martirët tanë kanë luftuar për një shekull të tërë, atë të një kombi shqiptar të bashkuar në tokat e veta”.
Duke folur para eksponentëve më të lartë politikë shqiptarë të Kosovës dhe të Maqedonisë, Berisha më pas ka shtuar: “ëndrra e bashkimit është ëndrra e vërtetë europiane e kombit”, duke dashur të shpjegojë se ideja e tij është ajo e bashkimit të shqiptarëve në brenda BE-së.
Fjalët e tij kanë alarmuar vendet fqinje. Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanon, lajmëroi se anuloi vizitën e parashikuar në Tiranë, ku ishte ftuar të për marrë pjesë në festimin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Vendimi u motivua nga incidentet që ndodhën në kryeqytetin e Shqipërisë, kur makina e kryeministrit të Maqedonisë Nikolla Gruevski u qëllua me vezë ndërsa u vihej flaka dy flamujve të Maqedonisë.
Shumë analistë janë të mendimit se dëshira për nacionlizëm më shumë se një projekt realist është dukuri që shoqëron në njëfarë mënyre festën e pavarësisë si edhe në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare që pritet të mbahen në qershor të vitit 2013-të, fushata elektorale e të cilave parashikohet të jetë e ashpër. Në fakt, as përvjetori nuk ka mundur të vërë bashkë, të paktën në ceremonitë zyrtare, Berishën e liderin e opozitës Rama. Ky i fundit ka refuzuar të festojë në Tiranë, por po merr pjesë vetëm në festimet e organizuara në Vlorë, qyteti ku u shpall pavarësia.
Tirana sot është e gjitha kuqezi. Dhe simboli i vendit, shqiponja do të jetë sot në qendër të një torte gjigande, 550 metra katrorë dhe rreth 13 ton, për të cilën po punon një numër i madh pastiçerësh. (ANSAMed)