Shkrimtari Ismail Kadare, në një intervistë për “New York Daily News”, kujton disa nga çastet më të rëndësishme të 100 vjetëve të fundit: “ Shkëputja nga Perandoria Osmane, dalja nga komunizmi dhe rikthimi në kontinentin mëmë, Europën, mund të përcaktohen si tri ngjarjet themelore të këtij kombi. Të gjitha këto ndodhën brenda këtyre 100 viteve. Dhe mendoj se nuk janë pak”.
Shkrimtari Ismail Kadare, në një intervistë në gazetën amerikane “New York Daily News”, thekson se “në 100 Vjetorin e Pavarësisë së shtetit të tyre, shqiptarët mund të thonë se ky ka qenë shekulli më i rëndësishëm e njëherësh më dramatiku në historinë e tyre. Shkëputja nga Perandoria Osmane, dalja nga komunizmi dhe rikthimi në kontinentin mëmë, Europën, mund të përcaktohen si tri ngjarjet themelore të këtij kombi. Të gjitha këto ndodhën brenda këtyre 100 viteve. Dhe mendoj se nuk janë pak”.
Duke folur për atmosferën në të cilën e gjen ky përvjetor sot kombin shqiptar, Kadare thekson se “Gadishulli i Ballkanit, në të cilin bën pjesë Shqipëria, njihet sot si një nga zonat më të shqetësuara të Europës. Ndonëse pranohet njëzëri si zanafilla antike e qytetërimit europian, kjo biografi e fisme nuk e ka shpëtuar dot nga cilësimi si gadishull problematik, me të cilin Europa e Bashkuar ka vite që detyrohet të merret. Është një gjë pozitive, që të gjithë popujt e gadishullit kanë një synim të përbashkët: hyrjen në Europë. Mirëpo kjo dëshirë bashkuese, nuk mjafton, për fat të keq që ata ta kapërcejnë përçarjen e tyre proverbiale”.
“Kam pasur rastin të theksoj se janë tre popuj në Ballkan prej të cilëve varen shumë gjëra: grekët, shqiptarët dhe serbët. Janë fqinjë shekullorë, ndonëse identitetet, gjuhët, madje alfabetet i kanë krejt të ndryshme nga njëri-tjetri. Megjithatë, kjo nuk përbën asnjë arsye që të përligjë mungesën e harmonisë midis tyre. E thashë këtë për të ardhur te mendimi se, në qoftë se nga këto tre kombe, njëri prej tyre, kombi shqiptar, ka jo një, por dy shtete në Ballkan, Shqipërinë dhe Kosovën, e shoh këtë faktor si përgjigje të dyfishtë që ka ky komb për vendosjen e harmonisë dhe paqes në gadishull”, thekson shkrimtari i shquar shqiptar në këtë intervistë.
Në përgjigje të pyetjes se si e gjykon procesin e nominimeve të shumta të tij për Çmimin Nobel për Letërsi, Kadare thekson se “mendoj se nominimi për çmimin “Nobel”, qoftë edhe i përsëritur, është një kënaqësi për çdo shkrimtar. Ndërkaq, dihet se të gjithë të përmendurit humbin (nuk fitojnë), me përjashtim të fitimtarit. Megjithatë kjo nuk përbën ndonjë arsye për t’u mërzitur”.
Kadare thotë se ka qenë kandidat për herë të parë “në kohën kur vendi im, Shqipëria, ka qenë jo vetëm një vend komunist, por një vend stalinist, më i ashpri në Europë. Dihej se në një vend të tillë ky çmim nuk do të pranohej kurrsesi. Kështu që gëzimi im ka qenë i përzier me shqetësimin e refuzimit të detyruar”.