in

Arben Morina: “Punët e mia janë copëza zemre”

Për të realizuar një intervistë me një piktor nuk është aspak e thjeshtë, kjo pse e konsiderojmë të “pamundshme”  të arrihet të shprehet me fjalë atë që piktori e shpreh me ngjyra, mbasi vetë ngjyra, vetë piktura, mund të “lexohen” ndryshe sa herë ndryshon këndvështrimi ynë.

Megjithatë, kurioziteti e dëshira mbështesin tentativën tonë e mbase mund të sqarojmë në rrugë e sipër atë që dyshojmë që nuk e kemi kuptuar mirë. E kush “e kap” shpirtin e artistit?! Një sipërmarrje e guximshme, ndoshta naive apo mendjelehtë. Gjithsesi po e provojmë… Po provojmë të përkufizojmë në fjalë shpirtin artist të piktorit të mirënjohur Arben Morina, i diplomuar ne Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë dhe shumë i suksesshëm me krijimtarinë e tij artistike jo vetëm në atdhe por tashmë i mirënjohur në Itali, ku për shumë vite zgjodhi të jetonte e punonte në Firence, si edhe në shtete te tjera.

Më bën përshtypje, më mbush me kënaqësi shënimi  kritik i Imzot Timothy Verdon, Ph.D. Prof. i Historisë së Artit (Standford University) në Firence për Arben Morinën:
“Që nga fillesat e tij të hershme ballkanike gjer në nivelin më të lartë ndërkombëtar ku tanimë ka mbërritur, Arben Morina ka ruajtur një qetësi medituese që rrallëherë haset në artin bashkëkohor, duke e gjallëruar me një pasion të qetë që rrallëherë haset në artin e çfarëdo epoke. Ai është një nga piktorët premtues të mijëvjeçarit tonë të ri”.

Si zakonisht, para çdo interviste kërkoj të informohem për personazhin, të njoh historinë, të kaluarën, të mësoj për të ardhmen, ëndrrat e projektet. Por në këtë rast po ndryshoj rrjedhën e procedurës tradicionale, mbasi një njohje e para disa vitesh, e rastësishme aq sa dhe e organizuar, më bën që të rimarr me Arbenin bisedën e nisur në mbrëmjen për krijimin e LASAT – Lidhjes së artistëve e shkrimtarëve shqiptare në Toskanë.

Intervista

Bota Shqiptare: Si e keni konsideruar krijimin e një lidhjeje apo shoqate për artistët shqiptarë në Toskanë?
Arben Morina: Lidhja e shkrimtarëve dhe artistëve në Toskanë ishte një ide shumë e mirë, por që kërkon seriozitet, vizion dhe përkushtim për t’u bërë realitet i prekshëm. Së pari mendoj se duhet të bëhen bashkë e të gjejnë kompromisin, ky është dhe një nga qëllimet e Lidhjes.
Në realitetin shqiptar është shumë i rëndësishëm ky bashkim i intelektualëve, shkrimtarëve dhe artistëve, që janë pikësëpari përcjellësit dhe ushqyesit me vlerat shpirtërore. Një rol dhe përgjegjësi të veçantë do të luaj kjo lidhje në Firence e Toskanë, në zemrën e kulturës dhe artit botëror. Le të shërbejë kjo lidhje si urë lidhëse midis qytetërimeve, Shqipërisë, Italisë, komunitetit dhe më gjerë.

Cilat duhet të jenë synimet për një shoqatë të tillë që duhet të ndihmojë për unitet, promovim e shprehje identiteti kulturor e artistik?

Mendoj që Lidhja duhet të promovoje vlerat më të mira të artit e kulturës mbarëshqiptare, të të gjitha trevave shqipfolëse. Të stimulojë talentet e reja, dhe të krijojë lidhje më të ngushta dhe koordinim veprimesh me shtetin shqiptar e italian, me shtetin e ri të Kosovës, me arbëreshët e Italisë, institucionet e kulturës në Shqipëri, me grupet e biznesit e më tej. Arkivi apo informacioni mbi artistët dhe shkrimtarët është shumë i rëndësishëm. Mendoj të ketë dhe një broshurë apo diçka e kësaj natyre ku mund të shkruhet dhe programi tremujor apo gjashtëmujor i aktiviteteve të Lidhjes. Në këtë mënyrë puna merr seriozitet dhe njëkohësisht reklama funksionon dhe duhet të funksionojë më mirë. Mendoj se çdo aktiviteti i duhet bërë reklamë serioze. Nganjëherë thuhet nuk ka fonde, unë mendoj që mendja bën gjithçka.

Të kalojmë tani te Arbeni  te “pse-ja ” e ikjes nga atdheu ku dhe jeni kthyer, prej të cilit prapë pastaj vendosët të largoheni, domethënë të riktheheni në Firence. A mund të njohim motivet?

Firence! Zgjedhja ime është ëndrra e çdo artisti.
U ktheva në Shqipëri sepse ndieja një thirrje, ndieja një detyrim ndaj vendit tim…  Lirisë t’i japim një dimension tjetër, të thyejmë barrierat, të bashkojmë njerëzit, të krijojmë ura të fuqishme lidhëse, të bashkojmë idetë, të prekim kordat e ndjeshmërisë njerëzore dhe të gjithë bashkë të ndërtojmë, të krijojmë, ta bëjmë jetën më të bukur, t’i lëmë kësaj toke vlera e vetëm vlera.

Pse pikërisht në Firence gjetët vendqëndrimin tuaj e pas kaq vitesh si e konsideroni këtë qytet?

Firence, nga hyjnore në tokësore. Pikërisht këtu, në shekullin XV mori formë të jashtëzakonshme ai fenomen që shënjoi një kthesë thelbësore në art dhe kulturë: Rilindja.
Firence, qyteti i shpërthimeve krijuese. Firence, qyteti i njerëzve të imagjinatës… Firence, qyteti që la gjurmë të rëndësishme në thellësi të qytetërimit. Për të gjitha këto arsye çdo artist do të zgjidhte Firencen po të kish mundësi.

Imzot Timothy Verdon, Ph.D. Prof. i Historisë së Artit (Standford University) në Firence, në një shënim kritik për ju, mes të tjerash, shkruan:  “Portretizimi i fëmijëve dhe i të rriturve nga Morina përmban në vetvete  një qetësi që të kujton thellësinë e portretit të shekullit të gjashtëmbëdhjetë e shtatëmbëdhjetë, ndërsa realizimi i kalimit të raporteve të dritës e masës në fshatin toskan përbën një “prozë” virtuale përmes aftësisë për të prekur kordat e kujtesës, duke sugjeruar njëherazi një botë që u përgjigjet ëndrrave njerëzore…” Një stil i kushtëzuar nga studimet apo një përzgjedhje e natyrshme?
Stili, shprehja e individualitetit të artistit, me pikën ku dhe bëhet diferenca. Tek unë gjithçka buron në mënyrë shumë të natyrshme.

E përkufizoni veten piktor romantik, i ndjeshëm e idealist. Në pikturat tuaja, sidomos te portretet (në ato që unë kam parë) nuk dalloj askund hije dhimbjeje apo trishtimi, ndofta diku në ndonjë shikim arrij të gjej një melankoli të lehtë … por kaq. Mos vallë te dëshira për të sjellë realen në një trajte optimizmi keni gjetur një strategji “ikje” nga realiteti, që si për të gjithë nuk duhet të këtë qenë e nuk është pa vështirësi e pengesa?

Padyshim rrethanat, ambienti, eksperiencat, kanë luajtur një rol në formimin tim si artist. Krijimtaria është pasqyrë e shpirtit dhe e formimit të artistit, e situatave apo realitetit që e rrethon dhe mënyra e të shprehurit i përgjigjet këtij realiteti. Mendoj se duhet të bëjmë kujdes në kultivimin e artit që të ketë më shumë aromë shqiptare.

Te kjo frymë shqiptarie Kosova është një temë e preferuar (e lidhur kjo dhe me origjinën e familjes suaj) apo jo?

Kosova është pjesë e trupit tim, pjesë e qenies sime, pjesë e popullit tim. Që fëmije jam edukuar me ndjenjat e dashurisë për njerëzit e vendin. Kosova gjithmonë ka qenë objekt i bisedave në familjen time. Kjo falë edhe origjinës nga babai. Motivet e Kosovës kanë shoqëruar gjithë krijimtarinë time. S’kishte si të ndodhte ndryshe.
“Jehona kosovare”, e titullova ekspozitën e hapur me disa artistë kosovarë në Tiranë. Ideatori isha unë. Ekspozita parapriu në kohë ngjarjen më të madhe në historinë shumëshekullore të Kosovës: Pavarësinë!

Në vite krijimtaria juaj artistike është vlerësuar vazhdimisht me çmime. Cilat do të veçonit?
Asgjë nuk veçoj, asgjë nuk përjashtoj, gjithçka është pjesë e të tërës. Të gjitha krijimet janë copëza zemre bëre në kohë të ndryshme, në situata të ndryshme, janë mozaik emocionesh.

Aktualisht cila janë impenjimet aktuale krijuese?
Aktualisht po punoj porosi të ndryshme në teknikën e vajit, ku dominojnë portretet.

Dhe çfarë projektesh keni për këto vite që vijnë?
Idetë i kam të pafundme, dhe do t’i shpalos në momentin e duhur.
Kam shprehur përmes mediave elektronike e të shkruara një projekt interesant për Kaninën spektakolare, Kaninën e të parëve të mi, Kaninën e Miteve, Legjendave dhe Historisë…

Këtë bisedë me piktorin e talentuar Arben Morina mund ta quaj vetëm bisedë hyrese, pasi të tjera biseda besoj do vijojnë për të njohur e zbuluar “shpirtin” e artistit Morina të shprehur në veprat e artit që realizon, në projektet, idetë, dëshirat dhe ambiciet e tij.

Albana Temali, Bota Shqiptare 246

Vdekjet në punë: Jeta e shqiptarit vlen më pak se ajo e një italiani

Katër i Radës diventi simbolo della tragedia