“Nga Mantovano vetëm propagandë mbi qendrat e identifikimit dhe të dëbimit”
Romë 20 gusht 2010 – “Si zakonisht, kjo qeveri përpiqet të tregojë se po e administron seriozisht imigracionin përmes mekanizmit të dëbimit dhe të mbajtjes së klandestinëve në Cie”. Filippo Miraglia, përgjegjës për imigracionin i Arci-t (Associazione Ricreativa e Culturale Italiana), komenton kështu deklaratat e nënsekretarit të Brendshëm Alfredo Mantovano, lidhur me objektivin e hapjes së qendrave të reja të identifikimit dhe të dëbimit në krahina me përqendrim të lartë të huajsh si Kampania, Toskana, Veneto dhe Piemonte. Deklaratave të Mantovanos, sipas të cilit falë këtyre qendrave, nga 1 janari deri më sot, “kanë qenë rreth 9.300 klandestinët që, duke kaluar nëpër Cie (qendrat e identifikimit dhe të dëbimit) janë riatdhesuar, gjë që dëshmon efikasitetin e mekanizmit të dëbimit. Qendrat italiane kanë standarde cilësie e jetueshmërie padyshim nga më të mirat në Europë, mjaft të shikosh ç’ka ndodhur në Francë apo në Spanjë, për ta kuptuar”.
Miraglia replikon: “Mua më duket se të dhënat thonë të kundërtën dhe që mekanizmi për të cilin flet Mantovano nuk funksionon fare. 9.300 personat që janë riatdhesuar me forcë në vendlindjet e tyre, nuk janë asgjë përballë klandestinëve që ligji i imigracionit i kësaj qeverie ka prodhuar. Është pikërisht ligji Bossi-Fini, në fakt, që provokon një rritje të ndjeshme të dukurisë së imigracionit të parregullt”.
“Dy sanatoret më të mëdha të imigracionit në historinë e Italisë – shpjegon Miraglia – si, për shembull, ajo e vitit 2002 që legalizio 650 mijë imigrantë, janë ndërmarrë pikërisht nga mazhoranca aktuale, kështu që ata e dinë mirë që ky është një proces që nuk funksionon, por nuk kuptoj pse këmbëngulin me lajmërimin e masave që janë për të të hedhur hi syve, që janë vetëm propagandë”. Sipas Miraglias “duhen promovuar rrugëzgjidhje që t’u lejojnë të huajve të legalizohen si, për shembull, promovimi i ligjshmërisë në marrëdhëniet e punës që veç të tjerash, do të sillte një prurje të madhe në arkat e shtetit”.
Lajmërimi se do të hapen Cie të reja “nuk zgjidh problemin – nënvizon përgjegjësi i imigracionit të Arci-t – edhe për faktin që qendrat ekzistuese kanë plot vende të lira, që nuk shfrytëzohen, sepse kanë nevojë që të shtohen forcat e rendit. Për më tepër, vetë BE me ‘direktivën për imigrantët’, që qeveria do të jetë e detyruar të zbatojë brenda fundit të këtij viti, parashikon mbajtjen mbyllur të të parregulltve vetëm si zgjidhje të fundit, kur s’ke ç’bën tjetër. E njëjta direktivë përcakton që personave të pranishëm në territorin kombëtar që nuk respektojnë ligjin mbi imigracionin fillimisht t’u kërkohet të largohen, pra të bëjnë të ashtuquajturin ‘riatdhesim vullnetar’, madje parashikon edhe një formë më të fuqishme të tutelës ligjore të imigrantëve duke u dhënë atyre sigurinë e të drejtës së mbrojtjes”.
Por Qeveria italian nuk ka ndër mend të zbatojë këtë direktivë, dhe ky është shkaku pse u fut vepra penale e klandestinitetit”.
Ndërkaq verifikohen arratisje nga Cie-të, rasti i fundit është arratisja e 30 klandestinëve nga qendra e identifikimit dhe e dëbimit e Trapanit. “Shkaqet e arratisjeve apo të revoltave që shpërthejnë në brendësi të këtyre vendeve duhen kërkuar në kushtet të cilave u nënshtrohen ata që mbyllen atje. Edhe sepse në shumicën e rasteve është fjala për të dënuar për krime të ndryshme që kanë kryer dënimin në burg, por që janë të detyruar të qëndrojnë edhe deri në 6 muaj të tjerë të mbyllur në Cie pa kuptuar mirë motivin. Njerëz pa asnjë perspektivë dhe që shohin se nuk u mbrohen të drejtat, nuk kanë rrugëzgjidhje tjetër veçse të tentojnë arratisjen dhe të shfryjnë inatin e tyre me revolta”.
(red.)