in

Dyfishohen udhëtarët e avionët, zgjerohet aeroporti i Rinasit

Dyfishimi i vëllimit të avionëve dhe të pasagjerëve në aeroportin e Rinasit gjatë pesë vjetëve të fundit ka bërë të nevojshme ndërtimin e kullës së re kontrolli dhe të një ndërtese të re për zyrat e Agjencisë Kombëtare të Trafikut Ajror. Investimi është prej 12 milionë eurosh dhe me këtë AKTA synon ofrimin e një shërbimi më cilësor në përputhje me të gjithë standardet ndërkombëtare.

Tiranë 20 gusht 2010 – Nga viti 2005, numri i pasagjerëve që udhëtojnë nga aeroporti ndërkombëtar i Rinasit është dyfishuar, sikurse dhe numri i avionëve që qarkullojnë në hapësirën ajrore, gjë që ka çuar në nevojën e rritjes së kapaciteteve infrastrukturore dhe njerëzore të Agjencisë Kombëtare të Trafikut Ajror, ndaj edhe kanë nisur punimet për ndërtimin e godinës së re të AKTA-së dhe të kullës së kontrollit.

“Në 2005-ën numri i pasagjerëve ishte 730 mijë, ndërsa sot 1 milion e 400 mijë”, ka deklaruar dje ministri Olldashi gjatë inspektimit të punimeve të godinës së re të kësaj agjencie. Gjithashtu në këta pesë vjet vërehet dyfishimi i ulje-ngritjeve në Aeroportin e Rinasit dhe një rritje me 40% të mbikalimeve në hapësirën  ajrore shqiptare, pra të tranzitimeve përmes hapësirës ajrore shqiptare, të cilat duhet  të kontrollohen nga AKTA.

Investimi prej 12 milionë eurosh i bërë nga AKTA në kuadrin e projektit “Për  Modernizimin e Hapësirës Ajrore Shqiptare”, do t’i sigurojë agjencisë të gjitha kushtet e duhura të punës, duke pasur parasysh që  transporti ajror ka pësuar gjatë viteve të fundit një rritje shumë më të shpejtë nga ajo që ishte parashikuar në fillimet e këtij projekti. Me ndërtimin e godinës së re dhe të kullës së kontrollit parashikohet që Agjensia Kombëtare e Trafikut Ajror të përballojë dyfishin e kapaciteteve aktuale të trafikut të njerëzve dhe të avionëve.

Drejtori i AKTA-s, Petrit Sulaj, është shprehur që “Kulla që po ndërtohet është e standardeve ndërkombëtare, ndoshta më e mira në Ballkan, me të gjithë parametrat bashkëkohorë të sigurisë, me aparaturat dhe sistemet më moderne”.

(red.)

Arci: “Ligji Bossi-Fini ka shtuar imigracionin klandestin”

Nënë Tereza: veprimtari të ndryshme në 100-vjetorin e lindjes