in

Arratisja e madhe. Një në tre shqiptarë i tha lamtumirë vendit!

Nga Gjergj Erebara

Gjatë dekadës së fundit, 30 mijë vetë në vit emigruan për t’i shpëtuar Shqipërisë

Instituti i Statistikave njoftoi dje se në vendin tonë jetojnë sot vetëm 2,8 milionë banorë, duke konfirmuar aludimet se edhe gjatë dekadës së dytë të tranzicionit, një pjesë e madhe e shqiptarëve zgjodhën largimin nga vendi në mungesë të kushteve të përshtatshme të jetesës. Popullata në Shqipëri vlerësohej në masën 3,2 milionë vetë nga INSTAT, duke marrë për bazë numrin e lindjeve dhe të vdekjeve gjatë dhjetë viteve të fundit, por emigrimi duket se i ka rrëmbyer rreth 350 mijë vetë, ose 35 mijë vetë çdo vit. Numri i shqiptarëve vlerësohet se është 4,2 milionë vetë aktualisht, por numri i atyre që janë larguar vlerësohet në 1,4 milionë vetë.

Në historinë e njerëzimit nuk ka raste të emigrimeve kaq masive dhe në periudha kaq të shkurtra kohore. Shqipëria ka pasur 2,8 milionë banorë për herë të fundit në vitin 1983.

Migrim i brendshëm

Ndërsa emigrimi i jashtëm është masiv, edhe migrimi i brendshëm duket se nuk mbetet pas. Gjatë dhjetë viteve të fundit, ndërsa afërsisht 1 për qind e popullatës është larguar nga Shqipëria, një numër tjetër i madh shqiptarësh janë larguar nga zonat e varfra. Vetëm Tirana dhe Durrësi kanë parë ditë të bardha gjatë kësaj dekade. Pjesa tjetër e vendit ka njohur vetëm rënie.

Popullata e Qarkut të Gjirokastrës ka shënuar rënien më të madhe në shkallë vendi. Këtu 33% e popullatës që banonte në 2001-n, është larguar drejt emigrimit ose drejt Tiranës e Durrësit. Nuk kanë mbetur prapa Dibra, ku popullata ka rënë me 28%, Berati me 27% dhe Kukësi me 23%.

Emigrante femra

Ndërsa emigrimi i jashtëm është karakteristikë për meshkujt, migrimi duket se prek më së shumti femrat. Ky migrim i femrave i kryer nga rrethet drejt Tiranës dhe Durrësit ka rritur koeficientin e maskulinitetit në pjesën tjetër të vendit, ndërsa e ka ulur në Tiranë e Durrës. Të dhënat paraprake të censusit që u publikuan dje nuk japin detaje mbi ndarjen e popullatës sipas moshave, por duke marrë parasysh se jetëgjatësia e grave në vend është më e lartë se ajo e burrave, deformimi në raportin meshkuj/femra për moshat riprodhuese është i dukshëm. Zonat që kanë densitet më të ulët popullate kanë edhe koeficient maskuliniteti më të lartë.

Densiteti

Në Shqipëri banojnë mesatarisht 98,5 banorë për kilometër katror, nga 112 që ishte densiteti në vitin 1991 dhe 108 që ishte në vitin 2001. Në Tiranë banojnë 10 mijë vetë për kilometër katror, duke e bërë kryeqytetin shqiptar një nga më të mbipopulluarit në kontinent, ndërsa në Leskovik banojnë vetëm 1,8 vetë për kilometër katror. Ndonëse rënia e densitetit në zonat kodrinore e malore ishte diçka e pritshme, depopullimi i madh i disa zonave bën të pamundur shfrytëzimin e burimeve natyrore, veçanërisht pyjeve dhe kullotave. Në një zonë të gjerë nga bregu i Jonit deri në kufi me Greqinë, banojnë më pak se 25 vetë për kilometër katror dhe e njëjta gjë dallohet edhe në pjesën veriore të vendit. Disa nga zonat me burime ekonomike të konsiderueshme si bregdeti i Jonit, shënojnë një depopullim të pazakontë.

Shqiptarët duket se janë larguar më së shumti nga zonat ku ka pak tokë dhe harta e densitetit, e publikuar dje nga INSTAT-i, tregon se pjesa më e madhe e Shqipërisë paramalore si në jug ashtu edhe në veri po kthehet në zona të depopulluara.

Rënia e popullatës i ka prekur të gjitha qarqet e vendit pa diskriminim me përjashtim të Tiranës dhe Durrësit. Edhe zona të pasura me tokë bujqësore si Fieri apo Lezha kanë shënuar rënie të konsiderueshme të popullatës dhe densitetit.

Urbanizimi

Projeksionet e Institutit të Statistikave tregonin se popullata urbane duhet të ketë kaluar 50% të popullatës totale diku rreth vitit 2010, por të dhënat e censusit tregojnë se ky kalim nga vend me mazhorancë rurale në vend me mazhorancë urbane, duhet të ketë ndodhur më herët. Të dhënat e censusit thonë se 53,7% e shqiptarëve ose 1,5 milionë vetë jetojnë në qytete. Por koncepti “qytet” në këtë rast përfshin popullatën banuese në zonat që ligjërisht njihen si qytete dhe që shumë shpesh nuk kanë aktivitete urbane. Rritja e urbanizimit rezulton të jetë pjesërisht pasojë e emigrimit të fshatarëve për jashtë vendit dhe pjesërisht e emigrimit të tyre drejt zonave urbane.

Botuar në gazetën Shqip’

Durrës. Gjatë vitit 2011 janë sekuestruar mbi 412 kg lëndë narkotike

Topi: “Nuk do të kandidoj më për president”