Sali Kutelli, rezident në Casorate Primo të Pavias u ndoq dhe u vra me pistoletë në një rrugë qendrore të qytetit më 14 janar 2012. Për vrasjen e tij arrestohen Giuseppe Trimboli, 28 vjeç, dhe Alessandro Notarangelo, 39 vjeç
Romë, 30 korrik 2012 – Kanë përfunduar sot në mëngjes me arrestimin e dy italianëve hetimet për vrasjen mbrëmjen e 14 janarit të këtij viti. Viktima ishte Sali Kutelli, rezident në Casorate Primo të Pavias që u ndoq dhe u vra me pistoletë në qendër të qytezës.
Sipas të përditshmes Gazzetta del sud, hetimet e karabinierëve të Pavias patën si rezultat identifikimin e dy autorëve të vrasjes. Janë Giuseppe Trimboli, 28 vjeç, dhe Alessandro Notarangelo, 39 vjeç, që të dy rezidentë në Casorate Primo. Sipas hetimeve Kutelli është vrarë për konflikte të lindura lidhur me administrimin e tregut të drogës në provincat e Pavias dhe Milanos. Trimboli edhe pse nuk njihet si eksponent i kriminalitetit të zonës, është pjesëtar i një familjeje të konsideruar ndër krerët e kriminalitetit të organizuar kalabrez.