Të arrestuarit janë të tre shqiptarë, një prej të cilëve rezident në Belgjikë e dy të tjerët në provincën e Bergamos. Nga shitja e kokainës së sekuestruar, mund të bëheshin mbi 2 milionë e gjysmë euro.
Bergamo, 14 prill 2016 – Njëzetegjashtë kg kokainë e pastër e fshehur, shumica, në një Audi e një pjesë e vogël në shtëpi, dhe tre shqiptarë të arrestuar. Është rezultati i një operacioni të Guardia di Finanza të Brescias pas disa javëve hetime gjatë të cilave financierët kanë individualizuar dy shqiptarë që ishin në pritje të një furnizimi të konsiderueshëm. Këta, K.A. 28 vjeç dhe L.S. 26, ky i fundit rezident në Belgjikë, gjendeshin në Romano di Lombardia të provincës së Bergamos kur janë ndaluar. Me Renault Modus-in e tyre po hynin në një garazh ku sipas agjentëve duhet të ishte një tjetër veturë që duhet të kishte “mallin”.
Në fakt nga kontrolli i mëpasshëm i garazhit u gjet një Audi Q5 me targa belge, e modifikuar në pjesën poshtë ndenjëseve: ishin krijuar disa “xhepa” në të cilët, financierët gjetën të fshehur 23 kg kokainë të pastër. Në trafik ishte i përfshirë edhe një tjetër shqiptar, 44 vjeç me iniciale D.G., në apartamentin e të cilit u gjetën para, shumë celularë dhe çelësat e një apartamenti pjesë e të cilit ishte garazhi.
Nga kontrolli i banesave u gjetën gjithashtu edhe 3,5 kg kokainë, një pistoletë Glock 17 dhe material për konfeksionimin e drogës.
Tre shqiptarët u mbyllën në burgun e Brescias. Duhet të përgjigjen për trafik lëndësh narkotike, njëri prej tyre, 28-vjeçari K.A. edhe për mbajtje të paligjshme armësh pasi pistoleta u gjet në shtëpinë e tij. Sipas financierëve, po të hidhej në treg sasia e drogës së sekuestruar do të vlente mbi 2,5 milionë euro.