in

Arrestohet 50 vjeçari për dhunë ndaj të shoqes

Një histori e tmerrshme familjare merr fund: policia e Ternit ka arrestuar një shqiptar me akuzat e keqtrajtimit, lëndimit dhe dhunës seksuale në familje.

Romë, 2 tetor 2011 – Nga 1992-shi kur u martua, vetëm rrahje sharje dhe marrëdhënie seksuale pa pëlqimin e saj. Kjo ishte jeta për 43 vjeçaren shqiptare që në korrik paditi të shoqin te forcat e rendit.

Policia e Ternit  nis hetimet e zbulon një histori të tmerrshme e të dhimbshme familjare: dhunë fizike dhe psikologjike e vazhdueshme e një muratori shqiptar 50-vjeçar, shpesh i dehur, ndaj të shoqes dhe tre bijve të tij që shpesh vendosin të mos shkojnë as në shkollë për t’i qëndruar pranë të ëmës, gruaja që detyrohet  me forcë të ketë marrëdhënie seksuale e bijtë që dëgjojnë ulërimat kundërshtuese të të ëmës.

Çifti ishte martuar në Shqipëri në vitin 1992 e burri shpesh dehej e rrihte të shoqen. Më pas emigroi në Itali dhe situata nuk ndryshoi as kur e shoqja erdhi në Terni me të bijtë falë bashkimit familjar në vitin 2005. Shpresonte për një jetë më të mirë gruaja por përkundrazi dhuna e të shoqit u shtri edhe mbi tre fëmijët e çiftit, që tashmë të rritur përpiqen të mbrojnë të ëmën nga egërsia e babait.

Të shumta rastet kur 43 vjeçarja shqiptare – herë pas here në punë pranë ndonjë familjeje për të bërë punët e shtëpisë – është përzënë nga shtëpia bashkë me fëmijët nga i shoqi i dehur, apo është detyruar t’ia mbathë e të shkojë tek e motra për t’i shpëtuar dhunës. Shpesh gruaja ka përfunduar në repartin e Ndihmës së Shpejtë, por gjithnjë ka sajuar shkaqe nga më të ndryshme për të nxirat dhe plagët që ka në trup. Në prill episodi më i dhunshëm: ndërsa lante pjatat, i shoqi i ka vënë thikën në fyt në sy të tre bijve. Duke u përpjekur të mbrohej gruaja ka marrë një plagë të thellë në dorë për të cilën iu nënshtrua edhe një ndërhyrjeje kirurgjikale.

Në korrik dhuna përsëritet e këtë herë i shoqi i është vërsulur të birit. E trembur për jetën e djalit gruaja thërret forcat e rendit e këto nisin hetimet.

Del në dritë që gruaja me të bijtë shpesh i janë lutur babait të familjes të largohej nga shtëpia duke e kërcënuar se në të kundërt do ta denonconin, por 50-vjeçari premtonte se do të ndryshonte, shkonte edhe te njerëzit e gruas për të kërkuar ndjesë, por brenda 24 orëve niste sërish avazin.

Dhuna e fundit në familje pak ditë më parë kur sheh të bijën që trukohet përpara pasqyrës: sharje e shpulla. Por këtë herë 50 vjeçari nuk e ka të gjatë: të premten (më 30 shtator) në mëngjes, falë një urdhër arresti të gjykatësit për hetimet paraprake, agjentët e policisë e kanë arrestuar pranë stacionit hekurudhor ku burri duhet të merrte trenin për të shkuar në punë. Sot gjendet në burg me akuzat e keqtrajtimeve, lëndimeve të rënda dhe dhunës seksuale në familje.

 

Chiari, qyteti-shtet legist që nuk lejon martesën e klandestinëve

Arvizu: “Ju falënderojmë që na keni bërë pjesë tuajën”