in

Arrestohet Altin Belulaj, një nga skafistët e tragjedisë së 9 janarit 2004

Është kapur në Romë thuajse 8 vjet pas tragjedisë së 9 janarit 2004 kur 28 shqiptarë humbën jetën në Kanalin e Otrantos, Altin Belulaj, një nga organizatorët e udhëtimit me gomone, të cilin gjykata e Vlorës e ka dënuar me 20 vjet burg

Foto nga Interpol
Romë, 11 nëntor 2011 – Karabinierët e Romës kanë arrestuar një 31 vjeçar të akuzuar për organizimin në vitin 2004 të një prej shumë “udhëtimeve të shpresës” të shqiptarëve, dhe pikërisht atë të 9 janarit 2004 që përfundoi tragjikisht me vdekjen e 21 personave në kanalin e Otrantos. Është Altin Belulaj, i dënuar me 20 vjet burg dhe për të ishte lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar.

Ai kishte gjetur mënyrën për të qëndruar në Itali pa kaluar nëpër zyra konsullatash për vizë apo nëpër zyra komisariatesh për leje qëndrimi. Dokumentet e rreme që u ka treguar karabinierëve, kartë identiteti dhe patentë, ishin rumune, me emrin Florin Dorel Munteanu.

Pasi kanë kuptuar që dokumentet ishin të falsifikuara, karabinierët kanë kontrolluar shenjat e tij të gishtërinjve që nuk i kanë lënë më rrugë shpëtimi 31 vjeçarit: është Altin Belulaj që duhet të kryejë 20 vjet për mbytjen e gomones me 36 vetë, ngjarje e 9 janarit 2004 në të cilën humbën jetën 28 vetë. Mbi 31-vjeçarin rëndon mandat arresti ndërkombëtar i lëshuar në vitin 2005 nga Gjykata e Apelit e Vlorës me akuzën e favorizimit dhe kapërcimit ilegal të kufirit.

Belulaj, i shoqëruar nga një bashkatdhetar 42 vjeç, është pikasur nga karabinierët e stacionit Roma Appia në lagjen Statuario. Mbi 42-vjeçarin rëndon një urdhër burgosjeje i gjykatës së Tranit i vitit 2004 për trafik droge. Janë mbyllur që të dy në burgun Regina Coeli të kryeqytetit.

Tragjedia e 9 janarit 2004, ndër më të rëndat e kanalit të Otrantos, i mori jetën 28 shqiptarëve, thuajse të gjithë nga veriu (u gjetën 20 trupa, 8 persona të tjerë janë deklaruar të humbur). Për këtë ngjarje janë dënuar 9 vetë por nga këta, janë në kërkim ndërkombëtar ende katër vetë, pa llogaritur Belulajn e kapur më 11 nëntor. Sipas listës së botuar në faqet internet të Interpol-it, i mungojnë drejtësisë shqiptare: Nazmi Hykaj, i dënuar me 25 vjet burg (sot 49 vjeç); Cukal Delija, 25 vjet burg (42 vjeç); Zef Markun, 25 vjet burg (50 vjeç); Elton Tafili, 20 vjet burg (37 vjeç).

 

Arrestohet në Romë një skafist i tragjedisë së 9 janarit 2004

Vdes bigami shqiptar, secila nga dy gratë kërkon trashëgiminë