Po të hidhej në treg do t’i sillte fitime për 400 mijë euro
Romë, 7 dhjetor 2012 – Enver Meta, 37 vjeç, është arrestuar para disa ditëve nga Guardia di Finanza për trafik ndërkombëtar droge, sapo ka hyrë nga Franca në Courmayeur të Valle d’Aosta-s. Në makinën e tij me targa greke, financierët kanë gjetur 2 kg kokainë të pastër dhe 4 gramë heroinë me prejadhje nga Belgjika.
“Kapja e Metës është fryt i hetimeve të nisura që me arrestimin në korrik të një tjetër trafikanti, Anton Ceka që mbahet në burgun e Brissogne-s” sqarojnë financierët.
Fillimisht financierët kanë zbuluar 4 gramët e heroinës e vetëm pas një kontrolli të imët të makinës, me ndihmën e qenëve antidrogë, kanë gjetur – të fshehur në një paret të dyfishtë të makinës – sasinë prej 2 kilogramësh të kokainës.
“Fakti që Meta kishte dy lloje drogash: heroinën në sasi të vogël e që mund të zbulohej lehtë dhe kokainën në sasi të madhe e të fshehur shumë më mirë se e para, ka rëndësi për nga pikëpamja investiguese” thonë financierët që shpjegojnë “po të kishim gjetur vetëm heroinën Meta duhej të përgjigjej vetëm për mbajtje lëndësh narkotike, ndërsa me zbulimin edhe të dy kilogramëve të kokainës duhet të japë llogari para drejtësisë për një vepër penale shumë më të rëndë, trafik ndërkombëtar droge”.
Nga analizat e bëra, kokaina – e ndarë në 4 pako, njëra prej të cilave përmbante 50 cilindra me peshë 10 gramë secili, të gatshëm për t’u hedhur në treg – ka rezultuar e pastër, e një cilësie të mirë, që po të shitej do t’i sillte Enver Metës fitime për 400 mijë euro.