in

Arrin dekreti i flukseve për 100 mijë ardhje të reja

30 mijë bashkëpunëtorë familjarë, 50 mijë punonjës nga vende që kanë marrëveshje me Italinë. Parashikohen sërish tri ditë klikimesh, “click day”. 4.500 kuotat për shqiptarët

Romë 14 dhjetor 2010 – Italia hap sërish dyert për punonjësit e huaj. Pas një bllokimi dy vjeçar mbërrin dekreti i ri i flukseve që autorizon hyrjen e rreth 100 mijë punonjësve. Teksti është firmosur më 30 nëntor nga Kryeministri Silvio Berlusconi dhe do të hyjë në fuqi pas botimit në Gazetën Zyrtare (Ja teksti i plotë i dekretit).

Rreth 50 mijë vende janë rezervuar për punonjësit e varur, në të gjithë sektorët, nga vendet që kanë marrëveshje me Italinë (Shqipëria 4.500, Algjeria, Bangladeshi, Egjipti, Filipinet, Gana, Maroku, Moldavia, Nigeria, Pakistani, Senegali, Somalia, Srilanka dhe Tunizia). 30 mijë vende janë rezervuar për punonjësit shtëpiakë (bashkëpunëtorë shtëpiakë, kujdestarë për të moshuar dhe fëmijë), të kombësive të tjera.

Dekreti parashikon edhe 4 mijë hyrje për punonjës që kanë marrë pjesë në programe formimi në vendlindje, dhe 500 hyrje për pasardhës italianësh në Argjentinë, Uruguaj, Venezuelë, Brazil të futur në listat e konsullatave.

Së fundi, u hapet rruga edhe 11 mijë konvertimeve të lejeqëndrimeve për studim, stazhe, punë sezonale dhe për qëndrues afatggjatë (të lëshuara nga vende të tjera të BE-së) në lejeqëndrime për punë.

Edhe këtë herë punëdhënësit do të mund të paraqesin kërkesën e punësimit vetëm nëpërmjet Internetit dhe autorizimet do të lëshohen deri në përfundimin e kuotave, sipas renditjes kronologjike kohore të paraqitjes së kërkesave. Do të ketë tre të ashtuquajtura “click day”, në program në shkurt të vitit 2011, dhe sërish, edhe një herë do të fitojnë më të shpejtët dhe ata më me fat, duke lënë jashtë pjesën më të madhe të ndërmarrjeve dhe familjeve që do të marrin pjesë në këtë garë.

Qeveria nuk do ta pohojë kurrë, por ky është një lëshim i vogël, i pamjaftueshëm, ndaj atyre që kërkonin një pajisje të përgjithshme me dokumenta qëndrimi. Edhe pse me mijëra vështirësi, kush ndodhet në Itali pa lejeqëndrim dhe do të ketë një kërkesë për punësim përmes flukseve, ashtu si edhe në vitet e shkuar, do të kthehet në atdhe dhe do të vijë sërish në Itali i pajisur me një vizë të rregullt hyrjeje për punë.

Elvio Pasca

Lexo edhe tekstin e plotë të nënshkruar nga Kryeministri Berlusconi më 30 nëntor 2010

15 dhjetor 2010, ora 00:01: shqiptarët pa viza në Europë

Teksti i dekretit të flukseve. 4.500 kuota për shqiptarët