Mospërgjegjshmëria për të analizuar dy vjet dështime, dy vjet inercie në punë, dy vjet rrugëtimi pa timon e busull, dy vjet skandale e vrasje misterioze, dy vjet “fajin e kanë ata paraardhësit e 23 viteve të shkuar”, kanë bërë që kjo qeveri të kontribuojë në humbjen e shpresës, në vrasjen e ëndrrave. Ja pse ikin shqiptarët.
Nga Enida Bozheku
Këto ditë të gjata gushti duket sikur makina e madhe shtetërore, pavarësisht pushimeve të merituara të kujtdo që ende e ka një punë, duket të jetë vënë në lëvizje dhe forca e saj të mos ndalet. Ky duket të jetë thjeshtë një iluzion i mirë, stisur nga organet propagandistike në shërbim të strukturave shtetërore.
Në fakt, prej disa ditësh zëri pompoz i Kryeministrit duket të ketë marrë trajta imponuese dhe deri kërcënuese për një popull që çdo ditë e më shumë po humb shpresën, besimin se nesër do të bëhet më mirë dhe se e ardhmja do të buzëqeshë. Mbas një debati të hapur të stilosur me stilin tashmë të njohur e të parapëlqyer nga Kryeministri, ai i pyetje-përgjigjeve në rrjetet sociale, vëmendja të ndalej tek arsyetimi që z. Rama jepte mbi atë se kush ishin shqiptarët që largoheshin dëshpërimisht nga atdheu i tyre. Në një përgjigje diametralisht të kundërt nga faktet reale, z. Rama shprehet se ata shqiptarë që largohen nuk janë vendasit që popullojnë Shqipërinë, por emigrantët shqiptarë prej vitesh të vendosur në Greqi.
Për mendimin e kujt shkruan, kjo përgjigje duket sa banale, tendencioze aq edhe shpërfillëse të një problemi gangrenë. Në një analizë të pastër logjike mund të thuhet se shqiptarët që jetojne e punojnë në Greqi, janë në shumicën e rasteve të pajisur me dokumente – leje qëndrimi afatgjate greke që u lejojnë atyre (emigrantëve shqiptarë në Greqi) lëvizjen dhe zhvendosjen në çdo shtet të BE-së me qëllim punësimi. Nga kjo vjen natyrshëm të pohosh se, asnjë interes efektiv, real dhe hipotetikisht më përmirësues i jetës së shqiptarëve të Greqisë do të ishte i tillë sa të detyronte shqiptarët, që në vend të shfrytëzimit të dokumenteve greke të paraqisnin kërkesën për azil politik në Gjermani.
E thënë kjo, si një ndër pikat e ndryshme të përgjigjeve të z. Rama, me rëndësi duket të jetë dhe mënyra se si qeveria Rama po përballon një situatë “krize kombëtare”, ku tendenca është ajo e mohimit kategorik të një problemi therës, plage sociale dhe mbi të gjitha të një treguesi zhgënjimi dhe vuajtje pa precedentë në demokraci. Nën udhëheqjen e z. Rama, jo më shumë se një vit më pare, Shqipëria do të festonte me pathos dhënien asaj të statusit kandidat për BE. Po ku është sot BE-ja?!
Shqipëria, sot, falë një qeverisjeje të keqe, jo profesionale, aspak serioze dhe shumë të patinuar si një grua plakë e fytyrë me silikon po nxjerr në pah, në këto dy vjet, kraterin e pafund që është krijuar nga mendjengushtësia e udhëheqësve të ndërruar në vite, por ende të mbijeuar në arenën politike.
Kryeministri nën madhështinë e figurës së tij, po tenton t’u mbushë mendjen shqiptarëve që gjithçka po shkon mirë, që ai po punon, ndërkohë, gjithnjë e më shumë, fuqitë e tij kontrolluese, manipuluese dhe censuruese po shtohen me shpejtësi të frikshme. Populli, po ndien ardhjen e një fryme të re, po, flladin e një autokracie të veshur me petkun e demokracisë, aspak funksionale, por vetëm delirante, që po troket në dyert e një vendi ende në tranzicion politik, social, ekonomik, ku simptomat e kancerit duken qartë në çdo hallkë të organizimit shoqëror.
Kërcënimi, edhe pse në parim i drejtë, për luftën kundër evazionit fiskal duket të gjejë konsensus në frymën e përgjthshme të kujtdo që kërkon shtet, por kjo nuk mund të realizohet me afate imperative, pa plane dhe programe edukuese, me rievokim të së kaluarës për të matur kutin e dështimit dhe me vetëkënaqësinë për të thënë, frazën magjike “ne do të bëjmë”.
Rilindja ishte shpresa se, ne, të gjithë, do të bënim Shqipërinë, se elitat intelektuale do të viheshin në Olimpin e drejtimit të vendit, për ta nxjerrë atë nga fundi, humnera e trekëndëshit të Bermudës ku ajo ndodhet, por jo, zhgënjimi erdhi shpejt.
Mospërgjegjshmëria për të analizuar dy vjet dështime, dy vjet inercie në punë, dy vjet rrugëtimi pa timon e busull, dy vjet skandale e vrasje misterioze, dy vjet “fajin e kanë ata paraardhësit e 23 viteve të shkuar”, kanë bërë që kjo qeveri të kontribuojë në humbjen e shpresës, në vrasjen e ëndrrave.
Deri më tani, makina e propagandës alla Orwell në “1984” na tregon se kemi një qeveri që flet për dështim në dogana e tatime, por fjalor nuk ka, kemi një qeveri që na bën pjesëmarrës në aktivitetet e saj kulturore, tërësisht të krijuara në imazh e ngjashmëri të vetvetes, por nuk na jep bukë, kemi një qeveri që udhëhiqet për shfaqje e jo për punë.
Falimentimi i Shqipërisë duket sikur po afrohet me ritme marramëndësë, borxhi i saj po rritet me hapa shqetësues, largimi i investitorëve të huaj, si pasojë e mosgarancisë së një vazhdimësie prodhimi dhe fitimi, tkurrja, tashmë e pandalshme e popullsisë, po bën që Shqipëria t’i afrohet shpejt e më shpejt, trasformimit në një shprehje gjeografike, pa popull, por thjesht tokë djerrë.
Deri ditën që z. Rama të zgjohet nga petku i pushtetit kryeministror dhe të kuptojë që sekreti “për të mbretëruar” gjatë nuk është fërkimi i krahëve të grupeve klienteliste, kompromisat e pështira politike, por rikthimi i besimit në popull, vlerësimi i mendjeve të intelektualëve, burra e gra idealiste, jo sahanlëpirësa si ata me të cilët krenohet, mburret e shtyp me këmbë, Shqipëria do të vazhdojë të avullojë. Nëse Z. Rama ende nuk ka kuptuar që të mbetesh në histori ka dy mënyra, o si hero, o si dështak, nëse mendon që qameti le të bëhet mbas tij veç pushteti mos preket, le të kërkojmë të gjithë Azil Politik në Gjermani për t’i shpëtuar një të ardhmeje terr.