in

“Arti në Lëvizje”. Mbresa nga takimi me artistë e shkrimtarë shqiptarë në Brescia

Brescia është një qytet industrial i Lombardisë. Këtu jetojnë e punojnë mbi 20 mijë shqiptarë, një komunitet i vërtetë, që ka peshën e vet ekonomike e shoqërore, që gjithnjë e më tepër e bën më të pranishëm zërin e tij midis qytetarëve italianë, duke përçuar edhe kulturën e traditat e bukura shqiptare. Një komunitet i integruar mirë në jetën italiane, që ka zgjuar edhe interesin e qytetarëve dhe autoriteteve lokale të qytetit ku jetojnë.

Mendoj se kishin bërë mirë poeti Tonin Nikolli dhe grupi koordinator për projektin “AlbArt”, që kishin zgjedhur pikërisht këtë qytet për të hapur një sërë takimesh me shkrimtarë, piktorë, muzikantë e intelektualë shqiptarë, që jetojnë në Itali.

Takimi zhvillohet në lokalin “Shqiponja”, i  përgatitur posaçërisht për rastin dhe i zbukuruar nga djem e vajza shqiptare që punojnë aty. Në sallën e madhe ka flamuj shqiptarë e italianë. Petrit Alia, që është marrë prej kohësh me organizimin e këtij takimi, një burrë babaxhan dhe kurdoherë i qeshur, i ngjan zotit të shtëpisë që rri gjithnjë gati në pritje të mysafirëve, për t i përshëndetur e nderuar sa më mirë ata. Një poster i ndërtuar me shije paraqet 4 librat e poetes Adivie Hoxha, e cila bëhet e pranishme edhe në pamundësinë e saj për të ardhur në takim.

Me ambientin, organizimin, koordinimet mes komunës së Brescias e grupit organizator, ka bërë një punë të palodhur Marjola Begaj, e cila është edhe sekretare e grupit koordinues për krijimin e një Federate të shoqatave shqiptare të krijuesve e emigrantëve në tërë Italinë.

Tek shkallët në hyrje të lokalit takoj Felice Ferrarin, bashkëshortin e poetes Gjenovefa Myrtaj (Ferrari), i cili është i pasionuar pas udhëtimeve, evenimenteve artistike dhe i ndjek ato me dëshirë, interesohet vazhdimisht për kulturën e artin shqiptar, madje pret shpesh herë në shtëpinë e tij grupe artistësh e krijuesish shqiptarë. Ata jetojnë në Reggio Emilia e kanë ardhur për të marrë pjesë në këtë takim. Gjenovefa është autore e pesë vëllimeve poetike, kopje të të cilëve i ka sjellë edhe këtu, në stendën e posaçme ku ekspozohen mjaft prej veprave të pjesëmarrësve. Nga Reggio Emilia ka ardhur edhe Robert Shkurti, autor i katër veprave të ndryshme letrare. Për romanin e tij “Luftë e tragjedi në Suharekë” isha ftuar të flisja në këtë takim.

Brenda sallës takoj ndër të parët Irma Kurtin, autore të shumë librave e teksteve të këngëve në muzikën shqiptare, fituese e disa çmimeve letrare në Itali e Amerikë dhe Ambasadore e Paqes në Universitetin e Luganos në Zvicër. Edhe ajo ka ardhur që nga Bergamo bashkë me bashkëshortin e saj italian, një tip i gjallë e i lëvizshëm që bën foto të shumta me aparatin e tij nga takimi apo edhe nga bisedat e lira mes pjesëmarrësve. Irma prezantohet në takim me librin “Lajmet vijnë edhe këtu”.

Tonin Nikollin, që e njoh prej vitesh, autor i 5 librave me poezi dhe i dy të tjerëve në proces shtypi, e takoj sa përshëndetemi se edhe ai është i impenjuar me organizimin. Pastaj do rrinim më gjatë e do merrja nga ai edhe tre libra poetikë. Patriotin tim, profesor Ndue Shabakun e gjej tek bisedon me krijues të tjerë diku nga mesi i sallës. Më tej Fatmir Gjata e Skënder Laze (i cili këto ditë promovon librin e tij të sapodalë nga shtypi) bëjnë foto me pjesëmarrës të tjerë.

Salla u mbush shpejt e shpejt dhe konferencierët e shkathët Lori Duka, e cila studion për gjuhë të huaja dhe për komunikimin me mediat, dhe Ardit Aliaj, fillojnë prezantimin e programit, i cili është i ngjeshur, ritmik dhe interesant. Prof. Ndue Shabaku flet për krijimtarinë poetike të Tonin Nikollit. Pastaj një pas një prezantohen e flasin krijues si Irma Kurti, Lume Plaku, Vilma Preka, Valbona Jakova, Ismete Selmanaj, Iliriana Koleka, Alketa Delishaj etj. Poetja Rakela Zoga, që ka ardhur nga Selaniku i Greqisë, reciton nga poezitë e saj. Të gjithë priten me interesim dhe me duartrokitje nga pjesëmarrësit.

Më tërheq vëmendjen një prezantim i veçantë nga regjisorja e teatrit Valbona Xibri. Ajo është nga Tirana, por jeton e punon në Brescia. Prezantohet me veprën e saj të fundit “Burrnesha” që kap një temë interesante, atë të disa grave shqiptare që kanë vendosur të rreshtohen ndër burra, domethënë që adoptojnë jo vetëm veshjen prej burri, por edhe mënyrën e jetesës së burrit pa bërë transseksualizëm. Në malësitë e veriut shqiptar raste të tilla sporadike ka patur edhe në shekujt e kaluar, por autorja është ndalur edhe në raste të kohëve tona. Vepra e saj ka ngjallur interes dhe është mirëpritur edhe në teatrin “Odin” të Danimarkës.

Ndërsa korçarja Kristina Xhakolli, që jeton e punon në Rovereto, një qytet i bukur në portat e rajonit autonom Trentino-Alto Adige, punon prej vitesh si mësuese e gjuhës shqipe me fëmijët e emigrantëve, me qëllim që ata të mos e humbasin gjuhën amtare. Ajo ka pasion të veçantë për kostumet dhe vallet kombëtare. Ka ndërtuar një grup vallesh në Rovereto me të cilin prezantohet në këtë takim. Të bën përshtypje se si ka arritur të bashkojë në valle gra e vajza të tilla si Lule Kaloshi nga Dibra, Kadire Salihu nga Kosova, Ioanna Koutsokou (e lindur nga prindër emigrantë në Greqi) dhe mirditoren e vogël Alice Ndoci lindur vë Rovereto. Ato vijnë nga vende të ndryshme por i bashkon vallja popullore dhe pasioni për të, e kërcejnë bukur edhe vallen e veriut, edhe atë të jugut e edhe atë të Shqipërisë së mesme. Mësuesja dhe koreografja e palodhur, Kristina, i ka përgatitur vetë edhe kostumet popullore. Madje më thotë që tani po punon për përgatitjen e kostumeve dhe të ndonjë valleje arbëreshe për ta paraqitur në ndonjë nga takimet e ardhshme kulturore mes emigrantëve.

Në takim përshëndet edhe zëvendëskryetarja e bashkisë së Brescias dhe përgjegjëse për problemet kulturore, Laura Castelletti, e cila flet me dashuri për emigrantët tanë, për traditat kulturore të shqiptarëve, për bashkëpunimin e ngushtë me krijues, intelektualë e artistë shqiptarë në Brescia.

Pas përfundimit të programit, pjesëmarrësit nuk largohen menjëherë, por, me nga një gotë pije në dorë, rrinë e bisedojnë midis tyre, njihen nga afër dhe shkëmbejnë libra, bëjnë foto. Takimi le mbresa të ngrohta tek të gjithë dhe në fund u kërkojnë organizatorëve të dinë kur dhe ku do të jetë takimi i ardhshëm.

Ndue Lazri

Shtetësia italiane. Nga 18 maji kërkesat online, në disa provinca edhe më parë

La devalorizzazione del Parlamento