Janë rreth 13 mijë, imigrantët në Shqipëri. Në vend të parë mbeten turqit. Komuniteti i dytë përbëhet nga azilkërkuesit iranianë. Të tretët për nga numri renditen italianët, edhe pse prej vitesh ministrat e shtypi dhjetëfishojnë shifrat e këtyre të fundit
Romë, 6 shkurt 2018 – Rreth 4 vjet më parë, ministri i asokohe i Punës dhe i Mirëqenies sociale, Erion Veliaj, i deklaroi agjencisë ANSA se ishin rreth 19 mijë italianë me leje qëndrimi shqiptare. Shifrat e INSTAT-it të po atij viti e përgënjeshtruan menjëherë, e megjithatë shifra e 19 mijë italianëve në Shqipëri vazhdon të qëndrojë në këmbë qoftë në debate politike e qoftë në media, italiane e shqiptare. Një shkrim i Nicola Pedrazzit i botuar në Osservatorio Balcani e Caucaso (që gjeni në gjuhën shqipe këtu: Loja me shifrat e italianëve në Shqipëri) kthen në qendër të vëmendjes sërish këtë çështje.
Sa janë në të vërtetë të huajt, e në veçanti italianët, imigrantë në Shqipëri? “Më 1 janar 2017, numri i shtetasve të huaj që banojnë në Shqipëri ishte 12.519, ose 0,4% e popullsisë së vendit… ”. Këtë shkruan raporti i ministrisë së Brendshme “Profili i Migracionit 2016 – Shqipëri”, i fundit i këtij lloji. Mjafton kaq për të kuptuar që, edhe sikur të gjithë të ishin italianë, jemi akoma larg shifrës së ministrit. Por shifrat e detajuara mbi komunitetet e të huajve në Shqipëri, largojnë edhe më shumë shifrat reale nga ato që kanë mbushur deri tani opinionin publik.
Gjithnjë sipas ministrisë së Brendshme, mbeten turqit ata që përbëjnë komunitetin më të madh të të huajve rezidentë në Shqipëri, me 3.954 vetë. As sa gjysma e turqve italianët, që me vetëm 1.854 rezidentë në Shqipëri renditen të tretët. Më të shumtë se ata në numër edhe azilkërkuesit nga Irani, rreth 2.270 persona. Ndër të tjera kombësi të evidentuara nga Raporti, kosovarët 719 vetë, imigrantët nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (441 vetë), kinezët (331 persona), sirianët (184 persona) dhe indianët me 101 imigrantë.
Përsa i përket prejardhjes kontinentale të imigrantëve të Shqipërisë, 66% (apo 8.324 persona) vijnë nga Evropa, 26% (3.244 vetë) nga Azia, 5,6% (703 persona) nga Nga Amerika e Veriut dhe e Jugut, 1,8% (225) nga Afrika.
“Arsyet më të zakonshme të aplikimeve për leje qëndrimi në Shqipëri janë aktivitetet fitimpurëse, bashkimi familjar dhe studimi” vërehet në Raport.