in

Asambleja e KiE-së: “Shmangni bipolarizimin politik”

Asambleja e Këshillit të Europës ka miratuar mbrëmë me 63 vota pro dhe 4 kundër rezolutën mbi situatën politike në Ballkan

Tiranë, 7 tetor 2011 – Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, ka miratuar mbrëmjen e djeshme rezolutën për situatën politike në Ballkan, ku përsa i përket vëndit tonë, kërkohet që palët të punojnë së bashku për normalizimin e situatës politike në vend dhe të shmangin bipolarizimin politik.

Në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të KiE-së, thuhet se Asambleja nëpërmjet kësaj rezolute, bazuar në raportin e Björn von Sydoë, listoi një seri hapash për të reduktuar tensionet në veri të Kosovës, për t’i dhënë fund ngërçit politik në Bosnje Hercegovinë si dhe për të përmirësuar situatën në Shqipëri. 

Në lidhje me situatën në Shqipëri, rezoluta “inkurajon të gjitha partitë që të forcojnë pa vonesë, funksionimin e tyre të brendshëm, të punojnë drejt normalizimit të situatës politike dhe të nisin dialogun politik brenda parlamentit mbi reformat kyçe dhe të domosdoshme që duhen ndërmarrë, me një vëmendje të veçantë ndaj bisedimeve për anëtarësim në BE”.

Në rezolutë thuhet se Asambleja mirëpret faktin se zgjedhjet lokale 2011 tani kanë përfunduar zyrtarisht dhe se rezultatet e tyre janë pranuar nga votuesit shqiptarë dhe se merr parasysh angazhimin e udhëheqësit të Partisë Socialiste për t’i dhënë fund bojkotit të partisë së tij e parlamentit.

Gjithashtu, KiE shprehet se “mirëpritet marrëveshja e arritur mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste për të vazhduar punën me reformën elektorale dhe u bën thirrje atyre të sigurojnë që reforma të ketë parasysh problemet dhe të metat që u hasën si në zgjedhjet parlamentare edhe në ato lokale dhe të rrisë mundësitë për partitë e vogla që të hyjnë në parlament. Kjo gjë do ti jepte fund bipolarizimit që ka shënjuar politikën shqiptare dhe ka frustruar shumë popullin shqiptar në dekadat e kaluara”.
Lidhur me procesin e reformës elektorale, në rezolutë thuhet se duhet të merret parasysh edhe opinioni i Komisionit të Venecias.
Asambleja Parlamentare e KiE-së shprehet se është e vendosur të vazhdojë të ndjekë nga afër situatën në Ballkanin Perëndimor dhe, në veçanti, situatën në Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Shqipëri.

Tashmë 10 mijë firma për shtetësinë dhe të drejtën e votës

Demokracia shqiptare me dy diktatorë