in

Atentat në Tiranë, vritet Artan Santo

Në qendër të kryeqytetit është vrarë me armë biznesmeni i njohur Artan Santo, 58 vjeç, Ishte pronar dhe bashkëpronar i disa aktiviteteve private bankare dhe mediatike

Tiranë, 26 qershor 2014 – Një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e sotëm Tiranën. Në qendër të kryeqytetit është vrarë me armë biznesmeni i njohur Artan Santo i cili ka ndërruar jetë menjëherë. Dy persona të maskuar, që ndodheshin në një motor “Scooter” e kanë qëlluar me pistoletë, duke e lënë të vdekur në vend.

Sipas burimeve nga policia, atentatorët e kanë pritur të ndjerin dhe sapo ka dalë nga automjeti i tij, pranë selisë qendrore të Bankës “Credins” ku po shkonte në punë, kanë qëlluar gjashtë herë në drejtim të tij, para syve të dhjetëra dëshmitarëve. Atentatorët më pas janë larguar menjëherë në drejtim të zonës së Liqenit Artificial.

Policia ka marrë masa të menjëhershme duke ngritur postoblloqe dhe duke aktivizuar njësi të posaçme në zonën ku ndodhi krimi dhe ku mendohet se janë larguar autorët.

Në zonën e Liqenit Artificial dhe gjithë akset që lidhin këtë liqen janë ngritur postblloqe që lidhin këtë zonë. Njësi speciale janë duke kontrolluar me imtësi për kapjen e autorëve.

Dëshmitarët kanë deklaruar se personat kanë pasur në shënjestër të ndjerin Artan Santo dhe kanë qëlluar me pistoletë pa silenciator.

Pamjet filmike të kamerave te sigurisë së bankës “Credins” dhe bizneseve aty pranë kanë regjistruar momentet e krimit. Burimet e policisë thonë se kanë arritur të fiksojnë dy numrat e fundit të targave të fundit të motorit, që janë 09.

Të njëjtat burime thonë se autorët janë ndjekur deri në kufi me Fushë-Krujën dhe te “Ura e Gjolës” kanë humbur gjurmët. FNSH dhe RENEA kanë shkuar drejt zonës të dyshuar. Ndjekja e autorëve po bëhet edhe me helikopterë, ndërsa postblloqe janë ngritur dhe në hyrje të Fushë-Krujës, te Ura e Gjolës si dhe në Thumanë, Mamurras dhe në rrugë dytësore. Drejt Fushë Krujës e Thumanës është nisur dhe kreu i Policisë së Shtetit, Artan Didi. Forcat policore madje kanë shtuar dhe masat në kufi duke monitoruar kufirin e gjelbër në Kapshticë.

Artan Santo, i datëlindjes 1956, ishte bashkëpronar dhe drejtor i Përgjithshëm i Bankës “Credins”, si dhe bashkëpronar i njohur në fushën e medias, përkatësisht i “Focus Group” dhe “Tv Scan”. Ishte i martuar e baba i dy fëmijëve.

Policia: 100 mijë euro shpërblim për këdo që jep informacion mbi vrasësit

Autorët e dyshuar të vrasjes – Foto e vënë në dispozicion nga Policia
Policia e Tiranës ka vënë në dispozicion fillimisht 10 mijë euro, shumë që ka çuar në 100 mijë, për këdo që jep informacione të vlefshme mbi autorët e vrasjes së biznesmenit Artan Santo.

“Në vijim të njoftimit të dhënë ditën e sotme, mbi ngjarjen e ndodhur rreth orës 09.30 në zonën e Ish–Bllokut, ku si pasojë e të shtënave ka gjetur vdekjen e menjëhershme shtetasi Artan Santo, Policia e Kryeqytetit vendos në dispozicion një shpërblim prej 100 mijë euro.
Për çdo informacion të vlefshëm që do të çojnë në kapjen e autorëve Policia e Tiranës vendos këtë shpërblim, në çdo rast duke ruajtur anonimatin duke ju ftuar të telefononi në numrin 0694100003.
Krahas sa lartë, kërkojmë bashkëpunimin qytetar për të telefonuar për informacione të vlefshme edhe  në numrin pa pagesë 129.
Aktualisht grupi hetimor po punon  me intensitet në drejtim të zbardhjes tërësisht të kësaj ngjarje dhe identifikimin e autorëve”
, bën të ditur policia e kryeqytetit.

Homazhet për biznesmenin Artan Santo, të premten në ‘Hotel Sheraton’

Homazhet për biznesmenin dhe bankierin e njohur, Artan Santo, do të mbahen të premten rreth orës 10:00 në Hotel Sheraton. Rreth orës 16:00 do të zhvillohet ceremonia e varrimit. Njoftimin e jep familja që falënderon edhe për solidaritetin e ngushëllimet.

“Familja Santo – thuhet në një komunikatë të familjes të të enjtes mbrëma, –  falënderon të gjithë miqtë, të afërmit, koleget, të njohurit e Artanit, por edhe të gjithë shqiptaret për solidaritetin dhe ngushëllimet e ndjera në këtë moment kaq të vështirë. Ditën e nesërme, e premte 27 Qershor në orën 10.00 familja do të presë vizita dhe do të kryhen homazhe në nderim të Artan Santos në ambientet e Hotel Sheraton. Ndërsa në orën 16.00 do të zhvillohet ceremonia funebre pranë varrezave të Sharrës”.

Lexo edhe:

ANSA: “Pritë në Tiranë, vritet bankieri dhe botuesi i njohur”
Reagime pas vrasjes së biznesmenit Artan Santo

Pesëmbëdhjetë vjet “Bota Shqiptare”

Reagime pas vrasjes së biznesmenit Artan Santo