in

Azem Hajdari kthehet muskuloz në Qytetin Studenti

Shtatorja ‘muskuloze’ e Azem Hajdarit vendoset në sheshin “Demokracia” në Qytetin Studenti. Në inaugurim edhe Berisha: “Nderim për tribunin e demokracisë”. Në 95-tën e kishte quajtur ‘spiun të sigurimit’.

Tiranë, 12 dhjetor 2012 – Azem Hajdari, udhëheqës i Lëvizjes studentore të dhjetorit 1990, themelues i Partisë Demokratike, i vrarë më 12 shtator 1998, është kthyer sot në sheshin Demokracia në Qytetin Studenti.  Një shtatore e tij është përuruar në kuadrin e 8 dhjetorit ditës kombëtare të Rinisë

Monumenti i lartë 3 metra, i derdhur në bronz, është realizuar nga skulptori Hektor Dule, i cili ishte fituesi në konkursin e shpallur nga Galeria Kombëtare e Arteve dhe Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, kohë më parë.
Pas vitesh që qëndronte në ambientet e qendrës së Derdhjes së Monumenteve të Artit, shtatorja e Azem Hajdarit u përurua më në fund sot.

Hajdari paraqitet me të njëjtën formë që kanë qindra shtatore të dëshmorëve realizuar gjatë periudhes komuniste me monumentalizmin tipik të realizmit socialist. Kitchi soc-realist ‘pasurohet’ kësaj radhe me figurën tërë muskuj të Hajdarit, me gjoksin zhveshur e me pardesy drejt e ne mish.  

Heroizimit të shtatit të Hajdarit që nuk përputhet aspak me tiparet e vërteta trupore të ish-deputetit të vrarë më 1998 për motive të errëta, iu bashkua retorika e kryeministrit i cili në fjalimin e vet e quan ‘tribun i lirisë’.

“Sot këtë ditë ne inaugurojmë këtu shtatoren e liderit të dhjetorit, shtatoren e studentit, të njeriut, i cili në historinë tonë kombëtare do të mbetet ndoshta tribuni që me guximin, kurajën, vendosmërinë dhe vizionin bëri më shumë për liritë tona, për lirinë e shqiptarëve”, është shprehur Sali Berisha. “I dashur Azem, nuk mund të kishte vend tjetër më të gjetur, më të rëndësishëm sesa ky shesh, se ky qytet, ku ti nise një nga betejat më të mëdha, më të vështira, më të guximshme në historinë e lirisë së shqiptarëve” shtoi Berisha

Të nesërmen e përurimit, një e përditshme kryeqytetase  ka botuar krahas këtij fjalimi, edhe një fjalim tjetër të Berishës, botuar në gazetën Rilindja Demokratike  kur Hajdari protestonte ndaj Berishës në gusht 1995. Aty Berisha e quante Hajdarin “bashkëpuntor i sigurimit të shtetit, një shërbëtor i Ramiz Alisë.”

“Ju nuk e keni njohur liderin e dhjetorit, studentin që në krye të studentëve në dhjetorin ’90, të cilët ne shqiptarët në të katër anët e vendit do t’i quanim asokohe engjëjt e lirisë sonë”, tha Berisha më 8 dhjetor 2012.

“Askush në dhjetorin e vitit ’90 nuk i shkoi pas Azem Hajdarit. Studentët dhe rinia iu bashkuan PD-së, me të vetmin qëllim madhor, shkatërrimin e totalitarizmit, por jo në shërbim të Azem Hajdarit…”. pat thënë Berisha më 1995.

 

Shqipëria në sytë e arbëreshëve dhe kujtimet e Jorgaqit

Qeveria Monti dhe kostot e reformave