in

Qeveria Monti dhe kostot e reformave

Fushata e ardhshme zgjedhore do të jetë një test i pjekurisë dhe realizmit të votuesve italianë në këtë situatë të vështirë krize ku po kalon ekonomia italiane, për të zgjedhur në krye të vendit personalitete të profilit të Montit. Italianët, që pothuaj  kishin harruar që ishin vend anëtar i G7-s rifituan dinjitetin  e vendit të tyre, të cilin ua ktheu sërish profesionalizmi i Mario Montit dhe kabineti i tij teknokrat. Italia ka nevojë për mendje teknokrate në këtë kohë të vështirë më shumë se për propagandë të çdo lloji.
Nga Ermelinda Meksi*

Prej disa ditësh shtypi i huaj po trajton pasojat e  dorëheqjes së Kryeministrit italian Mario Monti, i cili në takimin me Presidentin Giorgio Napolitano, më 8 dhjetor, deklaroi se do të largohet sapo të miratohet buxheti 2013. Ky vendim lidhet me faktin se siç duket shumë nisma ligjore mbi të cilat  qeveria e tij po punonte muajt e fundit, nuk ka të ngjarë të miratohen në parlament. Kështu, rrezikojnë të mos miratohen ligji mbi konkurrencën,  thjeshtimi i burokracisë së taksave si dhe një tjetër iniciativë që kishte të bënte me aprovimin e një kërkese të re kushtetuese për një buxhet të balancuar. Por ndoshta më e rëndësishmja, ishte një paketë masash për  nxitjen e rritjes ekonomike që u nis nga ministri i Zhvillimit ekonomik Corrado Passera, i cili guxoi të kritikojë vendimin e Silvio Berluskonit për të kandiduar për kryeministër. Kjo e bëri atë një figurë të sulmuar nga pasuesit e Berluskonit.

Vendimi i kryeministrit Monti për të dhënë dorëheqjen, zbehu edhe shpresat për një ligj të ri zgjedhor. Italianët përsëri do të votojnë sipas mënyrës së mëparshme, ku partitë vendosin përfaqësimin lokal të ligjvënësve me listat e mbyllura.

Dorëheqja e Montit mendohet se mund të shoqërohet nga dorëheqja e Presidentit italian GiorgioNapolitano, mandati i të cilit mbaron në maj. Kjo në mënyrë që të mos jetë ai që të zgjedhë kryeministrin e ri.

Edhe pse sondazhet tregojnë se Monti është i respektuar,  ato gjithashtu tregojnë pakënaqësinë popullore për pasojat e politikave të tij mbi taksat, mbi të ardhurat e disponueshme të individëve, pakënaqësi që arrin deri në urrejtje ndaj qeverisë së tij.

Berluskoni kishte menduar që deri në fushatën e ardhshme të mbante qëndrim abstenues, jo kundërshtues ndaj qeverisë Monti dhe të riorganizonte pasuesit e tij të përçarë duke kritikuar në të njëjtën kohë politikat shtrënguese për kursime dhe të tjera të qeverisë Monti. Kjo me qëllim për të paraqitur veten si njeriu që mund të drejtojë ekonominë në një mënyrë më pak të dhimbshme. Por për shkak të vendimit të kryeministrit Monti në fundjavë, Berluskonit i duhet të  nxitojë në përgatitjet për zgjedhje të parakohshme, që mund të mbahen ndoshta deri në 17 shkurt, duke pasur edhe festat në mes. Në këto rrethana mendohet se Berluskoni do të adoptojë një fushatë gjatë të cilës do të ofrojë politikën e uljes së taksave me pretekstin e gjallërimit të ekonomisë me synim thithjen në maksimum të votave.

Reformat për shërimin e ekonomisë së sëmurë në vendet e eurozonës kanë kosto. Ndaj kush drejton këto reforma, nëse nuk ka mbështetjen e duhur politike, si në rastin e Papademos në Greqi apo të Montit në Itali gjatë vitit të fundit, rrezikon t’i lërë në gjysmë të rrugës.

Fushata e ardhshme zgjedhore do të jetë një test i pjekurisë dhe realizmit të votuesve italianë në këtë situatë të vështirë krize ku po kalon ekonomia italiane, për të zgjedhur në krye të vendit personalitete të profilit të Montit. Nuk mund të mos përmend shkëlqimin që kryeministri Monti i dha Italisë në arenën ndërkombëtare, kryesisht atë europiane. Italianët, që pothuaj  kishin harruar që ishin vend anëtar i G7-s rifituan dinjitetin  e vendit të tyre, të cilin ua ktheu sërish profesionalizmi i Mario Montit dhe kabineti i tij teknokrat me profesorë të Universitetit Bocconi. Një universitet me emër jo vetëm në Itali, i cili sipas “Times”, nga i 30-ti në renditje e ngre në vendin e 15-të brenda një viti. Pjekuria dhe mençuria e politikës italiane do të tregohej po të kandidonte prof. Montin si kryeministër. Kjo do ishte shenjë emancipimi. Italia ka nevojë për mendje teknokrate në këtë kohë të vështirë më shumë se për propagandë të çdo lloji.

Gazeta Shekulli

*Ermelinda Meksi, disa herë ministre (e Zhvillimit dhe Bashkëpunimin Ekonomik, e Bashkëpunimit Ekonomik dhe Tregtisë, e Integrimit Europian), është sot anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë

Azem Hajdari kthehet muskuloz në Qytetin Studenti

Shteti i largët