in

“Azil në Gjermani”, qindra vetë dynden në portin e Vlorës

Me qindra vetë janë dyndur të enjten në portin e Vlorës, të bindur se mund të linin Shqipërinë e të fitonin azil politik në Gjermani. Arrestohen pronari i agjencisë turistike “Agimi Travel” dhe katër persona të tjerë, që sipas forcave të rendit mashtronin duke u premtuar azil qytetarëve. Ministri Tahiri dhe ambasadori gjerman shkojnë në Vlorë. Ambasada Gjermane: “Mos u mashtroni nga thashethemet. Kush dëshiron t‘i shpëtojë një situate të vështirë ekonomike, nuk ka të drejtë për azil”

Romë, 19 dhjetor 2014 – Edhe 23 vjet pas eksodeve të mëdha të shqiptarëve, duket se janë akoma të shumtë ata që duan të lënë Shqipërinë e të shkojnë në një vend evropian për të kërkuar azil politik. Prova e fundit është ajo e djeshmja, kur në portin e vlorës janë dyndur qindra e qindra qytetarë të cilëve u ishte thënë se Gjermania ka hapur dyert për ata që duan azil. Asgjë e vërtetë, natyrisht, por mjaftoi sërish një thashethem, për t’u ngritur jo pak personave, kryesisht nga fshatrat e Vlorës, Fierit, Elbasanit e Gramshit. Ata ishin pajisur me nga një bilet 150 euro me të cilën nga Vlora do të arrinin në Brindisi, që aty do të ngjiteshin në Milano e që aty me autobusë do të shkonin deri në Mynih.

Dhe nisur nga situata e pazakontë e krijuar të enjten në portin e Vlorës, ku policia e kufirit kishte bllokuar 6 autobusë me rreth 500 persona, policia e Vlorës ka arrestuar Agim Muçën, i cili akuzohet për falsifikim dokumentesh dhe ndihmë per kalim të paligjshëm të kufirit. Po ashtu, janë arrestuar edhe katër persona të tjerë, që dyshohet se ishin bashkëpunëtorë të tij.

Agim Muça, 55 vjeç, banues në lagjen “1 Maji” Fier, administrator i agjencisë së udhëtimeve “Agimi Travel”, dyshohet se u premtonte klientëve të tij që niste drejt Italisë edhe aprovimin e kërkesave për azil në Gjermani.

Sipas policisë së Vlorës, gjatë marrjes në pyetje, Muça është shprehur se puna e tij është e ligjshme dhe se nuk ka organizuar asnjë lloj mashtrimi, ndërsa drejton gishtin tek konkurrenca si shkaktare e kësaj tymnaje. “Qytetarët janë këshilluar të mos kërkojnë azil në vende të BE-së. Ne jemi të rregullt me kompaninë tonë. Është një transport i rregullt, ndërsa paguajmë taksat”, theksoi ai.

Të arrestuarit e tjerë janë  Shezai Aliaj 45 vjeç, pronar i një pike këmbimi valutor në Novoselë dhe Kastriot Hoxhaj, 43 vjeç, banues në fshatin Fitore të komunës Novoselë, të cilët dyshohen bashkëpuntor të Muçajt. Në vijim u arrestuan për veprën penale “Moskallzim krimi”, Denisa Mitro, 26 vjeç, banuese në Fier, agjente e shitjes së biletave në agjencinë “Agimi Travel” dhe Matilda Mazreku, 26 vjeç, banuese në Fier agjente e shitjes së biletave në agjecsinë “Agimi Travel”.

Aksioni i Policisë

Mëngjesin e të entjes, Policia e Vlorës pas një sinjalizimi nga Policia Kufitare e Portit të qytetit bregdetar ka nisur një hetim të shpejtë ndaj agjencisë “Agimi Travell”, në pronësi të shtetasit Agim Muça, nisur nga situata e pazakontë e krijuar në portin e Vlorës, ku policia kishte bllokuar 6 autobusë me rreth 500 persona. Pas konstatimeve dhe marrjes në pyetje të disa prej udhëtarëve, u ngritën dyshimet se ky fluks vjen si rrjedhoi e një skeme mashtrimi nga agjencitë turistike, që nisin qytetarët drejt Gjermanisë me premtimin se atje do të marrin statusin e azilantit. Prej këtej erdhi edhe arrestimi i pronarit të agjencisë në fjalë. Menjëherë pas aksionit, Ministria e Brendshme, përmes një deklarate për mediat ka theksuar se çdo përpjekje për të kërkuar azil në vendet e BE-së në mënyrë abuzive, është absolutisht e papranueshme, pasi tashmë Shqipëria konsiderohet si një vend i sigurt dhe vendet e BE nuk i miratojnë kërkesat e këtij lloji. Ndërkohë, mësohet se ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ambasadori gjerman, Helmut Hoffman, janë nisur drejt Vlorës.

Ambasada Gjermane: “Mos u mashtroni nga thashethemet. Kush dëshiron t‘i shpëtojë një situate të vështirë ekonomike, nuk ka të drejtë për azil”

Pas lajmit se qindra qytetarë po tentonin të udhëtonin drejt Gjermanisë për të kërkuar azil, me anë të një deklarate për shtyp, ka reaguar Ambasada e Gjermanisë në Tiranë, duke theksuar se nuk ka asnjë mundësi për të fituar azilin ekonomik.

“Ambasada e Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë po ndjek me shqetësim emigrimin ilegal të shqiptarëve për në Gjermani, i cili prej një viti është në një nivel shumë të lartë. Kohët e fundit duket se janë përhapur thashetheme me qëllim për të nxitur shqiptarët të udhëtojnë jashtë vendit duke u servirur atyre fakte të rreme. Të gjithë ata, të cilët çojnë ndër mend të paraqesin kërkesë për azil në Gjermani, duhet të dinë se: Kushtetuta dhe ligjet e shtetit tonë parashohin të drejtën për azil për t’ju ofruar mbrojtje qytetarëve të cilët janë të kërcënuar nga përndjekja në vendet e tyre të origjinës. Por në të kundërtën, kush dëshiron t‘i shpëtojë një situate të vështirë ekonomike, nuk ka të drejtë për azil. Thashethemet, sipas të cilave, për shtetasit shqiptarë ekzistojnë shanset për të përfituar azil politik dhe mundësitë për t’u punësuar, janë të pavërteta”– thuhet në deklaratë.

“Zgjidhja për shtetasit shqiptarë, që kanë nevojë për mbrojtje, nuk qëndron në një procedurë pa shpresë azilkërkimi në Gjermani, por në një jetë më të mirë në Shqipëri dhe në një Shqipëri me të ardhme europiane.”– mbyllet deklarata për shtyp e Ambasadës Gjermane në Tiranë.

Elisabeta II do të abdikojë për Krishtlindje? E kush do ta pasojë në fronin mbretëror?

Ambasada e SHBA-së: Viza trevjeçare për studime, turizëm dhe biznes