Xhaferr Isufi, në çastet më të vështira për të e familjen falënderon të gjithë shqiptarët e italianët që po më qëndrojnë pranë
Romë 29 shkurt 2016 – Ndërsa po përjeton momentet më të vështira si prind që ka humbur fëmijën teksa kthehej në shtëpi nga shkolla vetëm pse dikush nuk frenoi, Xhaferr Isufi nuk ka më lot e fjalë për dhimbjen e tij por flet për Il resto del Carlino për boshllëkun e madh që i lë e bija që askush nuk ia kthen më e mirënjohjen e thellë për të gjitha familjet e shqiptarëve dhe të italianëve që po i gjenden pranë.
“Nuk ka fjalë për të rrëfyer dhimbjen. Mllefi nuk është ndjenjë që një baba provon në të tilla fatkeqësi, as ndaj gruas që më shtypi vajzën. Për një prind nuk ka tragjedi më të madhe se të humbasë fëmijën e tij – thotë ai – por ç’të bëj, më duhet të shoh në sy realitetin e të provoj mbi kurrizin tim këtë mynxyrë”.
Tregon se ka mbërritur në vendngjarje vetëm pak minuta pasi kish ndodhur aksidenti, “Jetojmë vetëm 200 metra larg” por iu desh të prisnin ambulancën nga Imola sepse nuk ka qendër shëndetësore më pranë. “E ndonjëherë edhe një minutë mund të bëjë dallim për shpëtimin e një jete”.
A mund të shmangej ajo që ndodhi?” e pyet gazetari. “Shpesh vajzat vinin në këmbë nga shkolla. Fati i zi më mori Arsinën. Në këto çaste nuk mendoj as për dëmshpërblim e as për çështje gjyqësore. E vetmja gjë që mendoj është që ime bijë nuk jeton më. Siku të kishte marrë autobusin të shtunën tani do të ishte pranë meje” thotë Xhaferri që më pas shpjegon edhe pse vajzat jo gjithnjë e merrnin urbanin. “Edhe aboneja është kosto që jo gjithnjë mund t’ia lejojmë vetes. Nuk gjej gjithnjë punë e disa shpenzime mundohemi t’i shkurtojmë në familje. Meqë shkolla nuk është larg, Arsina dhe e motra e bënin rrugën në këmbë. Erdhëm në Itali për një fat më të mirë, por tani Shqipëria apo Italia janë bërë njësoj, madje andej nga ne sikur po mëkëmbet njëçikë. Por këto nuk kanë vlerë tani: nuk më mbetet veçse të mbahem fort mbas kujtimit të sime bije”.
Më pas tregon se e motra e Arsinës, ishin bashkë kur ndodhi fatkeqësia, nuk gjen paqe. “Ishin shumë të lidhura me njëra tjetrën, bënin gjithçka bashkë. Për të mungesa e papritur e të motrës lë një boshllëk që asgjë nuk e mbush”.
“Por shyqyr, rreth nesh, po shprehin shumë dashuri. – vazhdon Xhaferri – Familje shqiptare e italiane na gjenden pranë e na japin një dorë. Po tregojnë që na duan. Dashuria e tyre na ngushëllon por dhimbja që provojmë mbetet njësoj shumë shumë e madhe”.
Lexo edhe: Bolonjë. Aksidenti rrugor i merr jetën 14vjeçares Isufi