Pse romët dhe çifutët janë viktimat e para
Marrja e shenjave të gishtërinjve fëmijëve të arixhinjve, është një masë raciste.
Nuk bëhet fjalë për racizmin e tmerrshëm, dhe të frikshëm që priremi të imagjinojmë në qetësinë tonë: është racizmi i pastër, i respektueshëm, i shumë etërve në krye të familjeve, që adhurojnë natyrën, qentë e fëmijët, plot me qëllime të mira për njerëzimin, të vendosur të izolojnë të riedukojnë apo të zhdukin pjesë të parregullta, të pista, të sëmura apo të deformuara të shoqërisë. Një fjalë me tingull dhe kuptim dashamirës përkufizon të gjithë këtë me: eugjenetikë. Mjafton tu hedhësh një sy muzeve dhe qendrave të kërkimit të kryeqyteteve të shkencës mjekësore gjermane për t’u gjendur para dokumenteve të lëna pas nga vitet e dëshirës për të përzgjedhur dhe për të përmirësuar racën njerëzore. E megjithatë, siç ndodh gjithmonë kur bëhet fjalë për arixhinj, çifutë dhe viktima të tjera të lindura të racizmit, ata që propozojnë apo mbrojnë disa masa nuk duan që të përkufizohen racistë. Por historia mund të ndihmojë në largimin e disa iluzioneve. Edhe me një vlerësim të shpejtë e sipërfaqësor del se masat shkencore të zbatuara mbi trupin e njeriut janë një gjë e ndryshme dhe e kohëve të fundit, që spikat në zhvillimin mijëvjeçar të barrierave të ndryshimeve artificiale të ngritura midis neve dhe të tjerëve. Në fillim ishin ndryshimet gjuhësore. Janë rezultati më i vjetër i tentativës për tu shpallur superiorë ndaj të tjerëve: “ne” flasim, “të tjerët” belbëzojnë, rrokje të pakuptueshme. Prandaj i quajtëm barbarë. Pastaj erdhi koha e betejave fetare, me mbërritjen në Evropë të Krishtërimit si fe universale dhe e detyrueshme, të tjerët u shndërruan në të pafé kur ishin jashtë kufijve tanë, apo në heretikë e çifutë kur ishin brenda kufijve tanë. U desh të izoloheshin për t’u ndaluar që të na infektonin: muret e getove dhe një cohë e verdhë mbi kapele, një yll i Davidit për çifutët, një tunikë e zezë më djajtë e pikturuar sipër për heretikët. Nëse heretikët apo çifutët përfundonin në turrën e druve, veshja e tyre ngelej e varur në vend të shenjtë për t’i përkujtuar famën e keqe. Sot ka ngelur ndonjë prej tyre nëpër muze, si dokument i një të kaluare të largët.
Por marrja e shenjave të gishtërinjve është diçka tjetër.
Sir Francis Galton, shkencëtari i madh anglez kushëri i Darvinit, dhe autor i një vepre të rëndësishme për klasifikimin e shenjave të gishtërinjve (Fingerprints 1892), nuk ishte racist. Besonte në shkencë dhe në mundësinë e zhvillimit të intelektit njerëzor. E megjithatë metoda e marrjes së shenjave të gishtërinjve gjeti zbatim për herë të parë në 1897, në një zonë ku qytetërimi perëndimor kishte vendosur të modifikonte një kulturë tjetër, e përdori një oficer policie anglez në Bengalë. Pra ishte që nga fillimi një metodë e lindur nga kërkimi shkencor që u përdor mbi një popull të dominuar nga Perëndimi, dhe u shndërrua në një mjet policor për identifikimin e kriminelëve. Që prej asaj kohe teknikat e matjes së trupave dhe dallimi i ndryshimeve nga i ashtuquajturi normalitet, u vunë në përdorim të përzgjedhjes së racave të mira dhe eliminimin e atyre të këqija. Siç ka shpjeguar historiani më i mirë i racizmit modern George Mosse, në botën bashkëkohore racizmi priret të shndërrohet në një pikë referimi për shumicën. Është një mënyrë e të parit të gjërave që ka pushtuar idetë e njerëzve të shkencës jo racistë, dhe i ka përdorur për të imponuar idealin e respektit borgjez dhe të moralit të shtresës së mesme, çështje pastërtie, ndershmërie, serioziteti moral, pune të palodhur e jete familjare. Ai që largohet nga ky ideal konsiderohet njeri i ndryshëm, i rrezikshëm, kriminel potencial. Ekzistenca e tij është një atentat për shëndetin e trupi shoqëror, të individit kolektiv, atij entiteti gjigant, të çmuar, pjesë e të cilit jemi dhe që duhet të mbrojmë. Nëse i ndryshmi mund të izolohet, rreziku mund të shmanget – kjo është ëndrra e racistit. Sepse kriminel njeriu lind nuk bëhet. Siç shkroi në 1938 një avokat gjerman shumë i suksesshëm, Hans Frank, “biologjia kriminale, apo teoria e kriminalitetit të trashëguar, tregon një lidhje ndërmjet degjenerimit racor dhe prirjeve kriminale”. Ja pse duhet çuar fëmija i arixhinjve përpara makinës së shenjave të gishtërinjve. Raca e tij është e degjeneruar, e prirë për nomadizëm, alkoolizëm, vjedhje. Ai nuk e di, por ne e dimë. Herët apo vonë ajo gjurmë e skeduar nga policia do të hyjë në punë. Syrit të ligjit nuk do t’i shpëtojë.
Pikërisht syri.
Drejtësia ka shumë sy dhe vesh. Prej mijëra vitesh diskutohet nëse është më i rëndësishëm syri apo veshi. Drejtësinë ka nga ata që e pikturuan me një fashë mbi sy për të thënë se ajo garanton trajtim të njëjtë për të kamurit e të varfrit, për të fuqishmit dhe të mjerët. përpara të pasurve e të varfërve, të fuqishmëve e mjeranëve. Sot drejtësia italiane i ka hapur të gjithë sytë e saj për të parë arixhinjtë dhe fëmijët e tyre. Arixheshkat për shekuj me radhë na kanë lexuar fatin në vijat e dorës. Sot ka ardhur dita që të lexojmë e të vendosim ne fatin e tyre. Sa për fëmijët, thonë se është për t’i mbrojtur. Jo për të gjithë do të jetë e mundur: ajo vajza e vogël së cilës iu dha në dorë një kukull eksplozive nuk ka më gishta.
Adriano Prosperi (tetor 2009)