in

Banka e Shqipërisë: 15% e investimeve bëhen në ndërtim

Investimet për ndërtesa përbëjnë rreth 15% të investimeve në total në ekonominë e Shqipërisë, dhe ndër to, rreth 70% e zënë investimet për ndërtesa banimi.
Për BSh-në, rritja e popullsisë, lëvizjet demografike brenda vendit si dhe dëshira më e theksuar për ta pasur në pronësi banesën ka krijuar në vite një kërkesë të qëndrueshme dhe në rritje për banesa.

Tiranë, 16 gusht 2012 – Rreth 15% të investimeve në total në ekonominë e Shqipërisë shkojnë në ndërtim, dhe ndër to, rreth 70% e zënë investimet për ndërtesa banimi. Këtë thotë një raport i Bankës së Shqipërisë sipas të cilit, transaksionet në sektorin e ndërtimit zënë mesatarisht 15% të shitjeve të ekonomisë në total nisur nga viti 2001.

Blerja e një banese përbën shpenzimin kryesor të një familjeje dhe konsiderohet si investimi më i madh që në përgjithësi kryhet prej këtyre agjentëve ekonomikë. Indeksi i çmimeve të banesave dhe indeksi i çmimit të qirasë të ndërthurur me tregues të tjerë ekonomikë, ndihmojnë në ndërtimin e një tabloje të plotë të zhvillimeve në tregun e banesave dhe plotësojnë analizën mbi ecurinë e ekonomisë, pohon studimi i BSH-së.

Indeksi i çmimeve të banesave, IÇB, në Tiranë paraqet një prirje të qartë rritjeje që nga fillimi i matjes së tij në tremujorin e dytë të vitit 1998. Indeksi i çmimeve është rritur me një mesatare vjetore +9%, dhe për periudhën 13 vjeçare të ndjekjes, IÇB është rritur gjithsej me rreth 169%.

Ngadalësimi më i spikatur i rritjes së IÇB-së u regjistrua gjatë vitit 2007 dhe në vitin 2008 kur çmimet e banesave shënuan norma negative rritjeje për herë të parë pas një periudhe 6 vjeçare në rritje.

Rënia e çmimeve në këtë periudhë u ndikua nga një rritje e ndjeshme e ofertës për banesa dhe në të njëjtën kohë nga shtrëngim i kushteve të kreditimit të zbatuara nga bankat, që mund të ketë ndikuar në një kërkesë më të përmbajtur për banesa. Pas një periudhe rikuperimi të normave rritëse gjatë vitit 2009 dhe gjysmës së parë të vitit 2010, në gjashtëmujorin e dytë të tij u regjistruan përsëri vlera negative të rritjes së çmimeve të banesave.

Ky zhvillim reflektoi më së shumti efektet e një kërkese të reduktuar konsumatore si rrjedhojë e krizës ekonomike globale. Si pasojë e saj, niveli i besimit konsumator pësoi ulje dhe pasiguria për zhvillimet e ardhshme ekonomike u rrit duke ndikuar në uljen e konsumit privat gjatë vitit 2010. Frenimi i kërkesës mbivendosi efektin rritës të çmimeve nga rënia e ofertës.

Kjo e fundit u reflektua nga rënia e numrit të transaksioneve të reja dhe mbajtja e banesave për shitje për një kohë më të gjatë në treg. Rënia e ofertës u parapri dhe nga një rënie e lejeve të ndërtimit që nga fundi i vitit 2009. Sipas BSH-së, luhatja e çmimeve në vendin tonë është ndikuar më së shumti nga faktorë të brendshëm, karakteristike të vendit tonë.

Rritja e popullsisë, lëvizjet demografike brenda vendit si dhe dëshira më e theksuar për ta pasur në pronësi banesën ku jeton ndaj alternativës së qiramarrjes së saj, ka krijuar në vite një kërkesë të qëndrueshme dhe në rritje për banesa, përfundon raporti i BSH-së. (ATSh)

Hiqej si grek. Në burg zbulohet identiteti i vërtetë i të kërkuarit shqiptar

Teramo{br}Rreh gruan e familjarët e saj, përfundon në burg